TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet27 Shkurt 2026, 15:30

VKM/ Qeveria indekson me 2.5% pagat e mësuesve, ushtarakëve dhe policisë nga 1 janari 2026

Shkruar nga Pamfleti
VKM/ Qeveria indekson me 2.5% pagat e mësuesve, ushtarakëve dhe
Kryeministria

Në tre vendime të veçanta, Këshilli i Ministrave përcakton ndryshimet në strukturën e pagave dhe efektet financiare për vitin 2026

Qeveria ka miratuar tre vendime që parashikojnë indeksimin me 2.5% të pagave për mësuesit dhe stafin jomësimor në arsimin parauniversitar, ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura dhe punonjësit e Policisë së Shtetit. Vendimet hyjnë në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe i shtrijnë efektet financiare nga data 1 janar 2026.

Vendimet janë miratuar në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.35/2023 për kompetencat në caktimin e pagave në administratën publike, si dhe ligjeve përkatëse sektoriale për arsimin, statusin e ushtarakut dhe Policinë e Shtetit.

Ndryshimet për arsimin parauniversitar

Në vendimin që i referohet arsimit parauniversitar, Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshime në vendimin nr.425, datë 26.6.2024, duke zëvendësuar lidhjet përkatëse që përcaktojnë strukturën dhe nivelet e pagave për punonjësit mësimorë dhe jomësimorë.

Sipas pikës 2 të vendimit:

Për disa pozicione të caktuara (të listuara sipas numrave rendorë në lidhjet përkatëse), paga e pozicionit është rezultat i indeksimit me 2.5% dhe i politikës së rritjes së pagave.
Për pozicionet e tjera, rritja është rezultat i indeksimit në masën 2.5%.
Efektet financiare për vitin 2026 do të përballohen nga buxhetet e institucioneve përkatëse, të miratuara në ligjin nr.87/2025 “Për buxhetin e vitit 2026”, ndërsa për njësitë e vetëqeverisjes vendore do të mbulohen nga transferta e miratuar dhe të ardhurat e veta.

Indeksim edhe për ushtarakët aktivë
Një tjetër vendim ndryshon VKM-në nr.420, datë 26.6.2024, që rregullon trajtimin me pagë dhe shtesat mbi pagë për ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura.

Sipas këtij vendimi:

“Paga bazë për gradë” dhe
“Paga për titull akademik/gradë shkencore/kualifikim shkencor”
janë rezultat i indeksimit në masën 2.5%.

Efektet financiare për paga dhe sigurime shoqërore e shëndetësore për vitin 2026 do të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, sipas ligjit për buxhetin e vitit 2026.

Rritje me 2.5% edhe për Policinë e Shtetit

Vendimi i tretë sjell ndryshime në VKM-në nr.4, datë 9.1.2025, që përcakton elementët përbërës të pagës bruto mujore dhe kriteret për shpërblimet e punonjësve të Policisë së Shtetit.

Sipas përcaktimeve:

“Paga për gradë” është rezultat i indeksimit në masën 2.5% për të gjitha gradat.
Për gradat “Inspektor” dhe “Nënkomisar”, rritja është rezultat i indeksimit 2.5% dhe i politikës së rritjes së pagave.
Efektet financiare për vitin 2026 do të përballohen nga buxheti i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të miratuar në ligjin për buxhetin e vitit 2026.

qeveria paga

Lini një Përgjigje