TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 9 Korrik 2026, 16:31

Zbulohet skema me tjetërsimin e pronave në Durrës, lëshohen 12 masa sigurie!

Shkruar nga Pamfleti
Zbulohet skema me tjetërsimin e pronave në Durrës, lëshohen
Kadastra e Durrësit

Personat nën hetim dyshohen për falsifikim dokumentesh, mashtrim, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Kadastra e Durrësit vijon të jetë gangrenë problemesh. Një tjetër skemë e tjetërsimit të pronave shtetërore është zbuluar së fundmi, ku ka çuar në caktimin e 12 masave të sigurisë nga Gjykata, ndaj ish-funksionarëve të Hipotekës së Durrësit dhe personave që dyshohet se kanë përfituar prona në mënyrë të paligjshme.

Masat janë vendosur pas një hetimi disa vjeçar të Prokurorisë, e cila po heton një sërë veprash penale që lidhen me administrimin dhe regjistrimin e pronave.

Sipas burimeve hetimore, personat nën hetim dyshohen për falsifikim dokumentesh, mashtrim, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Aktualisht, ekzekutimi i masave të sigurisë është ende në vijim, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë ende publike identitetet e të gjithë personave të përfshirë.

Hetimi ka nisur pas një procesi të detajuar inventarizimi të regjistrave hipotekorë në Drejtorinë Vendore të Kadastrës Durrës, ku u zbuluan parregullsi të shumta që ngritën dyshime për ndërhyrje të qëllimshme në dokumentacionin zyrtar. Nga gjithsej 1.063 regjistra të kontrolluar, vetëm 152 rezultuan të rregullt, ndërsa në pjesën dërrmuese të tyre u konstatuan probleme serioze.

Sipas hetuesve, në regjistra janë evidentuar faqe të zhdukura, të zëvendësuara, të dubluara apo të dëmtuara, elemente që dyshohet se janë përdorur për të manipuluar të dhënat e pronësisë dhe për të mundësuar kalimin e pronave shtetërore në favor të subjekteve private. Prokuroria dyshon se këto ndërhyrje nuk kanë qenë të rastësishme, por pjesë e një mekanizmi të organizuar që ka funksionuar për një periudhë të gjatë.

Emrat ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë:

Ramazan Sheshi – arrest me burg – i dyshuar për veprat penale të “Mashtrimit”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Adrian Kona – arrest me burg, i dyshuar për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.

Bledar Zerba – arrest me burg, i dyshuar për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.

Rovin Zeqja – arrest me burg, i dyshuar për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.

Shaqir Sheshi – arrest në shtëpi, i dyshuar për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”.

Viktor Mataj – arrest në shtëpi, i dyshuar për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”.

Arianit Mataj – arrest në shtëpi, i dyshuar për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”.

Besnik Xhafa – arrest në shtëpi, i dyshuar për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”.

Fiqeret Xhafa – detyrim paraqitje, i dyshuar për veprat penale të “Mashtrimit”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Jonida Mergeja – detyrim për paraqitje, e dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Leandro Dervishi – detyrim për paraqitje, i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Artur Çobani – detyrim për paraqitje, i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”

“Nga ky raport rezulton qartë se në regjistrat hipotekorë dhe në volumet fizike janë konstatuar mungesa të shumta, si dhe ndërhyrje të paligjshme. Konkretisht, gjatë inventarizimit është konstatuar se një numër i konsiderueshëm regjistrash hipotekorë paraqesin dëmtime të ndryshme, faqe bosh, faqe të dëmtuara ose të grisura, faqe të vendosura jashtë rendit kronologjik, faqe që mungojnë tërësisht, faqe të zëvendësuara, faqe që dallojnë dukshëm nga njëra-tjetra si për nga forma, ashtu edhe për nga lloji i shtypshkronjës, si dhe faqe të shkëputura nga boshti i volumit. Nga inventarizimi i 1.063 regjistrave hipotekorë rezulton se vetëm 152 prej tyre nuk paraqesin dëmtime, ndërsa 908 rezultojnë të dëmtuar. Sipas këtij inventari, mungojnë tërësisht 730 faqe, 243 faqe janë zëvendësuar, 569 faqe rezultojnë të dubluara, 25 faqe janë të grisura dhe 1.548 faqe janë bosh”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Në kuadër të hetimeve po verifikohen të gjitha procedurat administrative dhe dokumentacioni që lidhet me regjistrimin e pronave, me synim identifikimin e përgjegjësive penale të çdo personi të përfshirë. Gjithashtu, po hetohet mënyra se si janë përfituar pronat dhe nëse ato janë shitur apo transferuar më pas te persona të tretë.

Zbulimi i skemës së fundit të dyshuar për tjetërsimin e pronave shtetërore në Durrës nuk është një rast i izoluar. Prej disa vitesh, ky qark ka qenë në qendër të hetimeve të institucioneve të drejtësisë për manipulime me pronat, falsifikim dokumentesh dhe regjistrime të paligjshme në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.

Një nga dosjet më të rëndësishme është ajo e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila dërgoi një javë më parë për gjykim tetë persona, të akuzuar për krijimin dhe drejtimin e një strukture kriminale që dyshohet se përvetësoi qindra mijëra metra katrorë tokë në zonat bregdetare të Durrësit. Sipas SPAK, grupi vepronte përmes falsifikimit masiv të dokumenteve të pronësisë, të cilat më pas regjistroheshin në Kadastër me bashkëpunimin e zyrtarëve të ndryshëm.

Hetimet kanë zbuluar se aktiviteti kriminal ishte përqendruar kryesisht në zonën Shijak–Kepi i Rodonit, ku dyshohet se autorët shfrytëzonin familje bujqësore me kushte të vështira ekonomike dhe kryefamiljarë të moshuar për të manipuluar Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP). Më pas, përmes dokumenteve të falsifikuara, shtoheshin parcela të reja, hartoheshin harta dhe referenca fiktive, duke bërë të mundur regjistrimin e pronave në favor të personave të përfshirë në skemë.

Në kuadër të atij procedimi penal, SPAK vendosi nën sekuestro preventive prona me sipërfaqe totale rreth 690 hektarë, me një vlerë të përllogaritur rreth 17 milionë euro.

Skema e zbuluar së fundmi nga Prokuroria e Durrësit, ku janë caktuar 12 masa sigurie ndaj ish-funksionarëve të Hipotekës dhe përfituesve të dyshuar të pronave, konsiderohet një tjetër episod që ngre pikëpyetje mbi mënyrën e administrimit të pronave shtetërore në qarkun e Durrësit. Megjithëse bëhet fjalë për procedime të ndryshme penale, të dyja hetimet kanë në qendër dyshimet për manipulim të dokumentacionit të pronësisë dhe përfshirjen e punonjësve të administratës në tjetërsimin e pasurive të paluajtshme.

Prokuroria pritet të zgjerojë hetimet edhe për episode të tjera që mund të lidhen me këtë skemë të dyshuar, ndërsa ekzekutimi i masave të sigurisë dhe veprimet procedurale vijojnë.

kadastra e durrësit #tirana me masa sigurie

Lini një Përgjigje