Arben Muçobega, biznesmeni i lidhur me trafikantët Ben Qimja dhe Renato Çami, kaloi nga një kompani e vogël në Fier në oligark të preferuar të qeverisë Rama. Përmes kompanive të shumta, ai pastron miliona euro nga droga dhe korrupsioni, ndërsa SPAK nuk ka nisur ende një hetim të plotë...
Biznesmeni Arben Sadik Muçobega, dikur pronar i një biznesi modest për punë ndërtimore në fshatin “Çlirim” të Fierit, tashmë renditet ndër oligarkët kryesorë të afërt me qeverinë e kryeministrit Edi Rama. Pavarësisht lidhjeve të dokumentuara me trafikun e drogës dhe të klandestinëve, Muçobega vazhdon të përfitojë projekte gjigante ndërtimore në toka dhe plazhe të dhëna falas nga shteti.
Në panairin e organizuar nga qeveria në Athinë, vetë Rama dhe ministrja Mirela Kumbaro promovuan në mënyrë të veçantë kompaninë “Bega 07” të Arben Muçobegës, megjithëse ky biznes është objekt i denoncimeve të shumta në SPAK për pastrim parash dhe korrupsion.
Pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste, Muçobega u shndërrua shpejt në një ndërtues VIP, duke siguruar leje për pallate, kulla, hotele dhe resorte në Sarandë, Himarë, Vlorë, Fier dhe Tiranë, në mënyrë të dyshimtë dhe shpesh mbi toka shtetërore të grabitura me dokumente false.
Analizat financiare tregojnë se kompania “Bega 07” ka fshehur sistematikisht të ardhurat reale. Në vitet 2023-2024, Muçobega deklaroi vetëm 5 milionë euro xhiro vjetore, ndërsa investimet reale arrijnë deri në 25 milionë euro në vit. Për të fshehur këto shifra, ai ka krijuar disa kompani të tjera si “Almatek Oy”, “Scandinavia Invest”, “Trakos” dhe “ATK Construction”, të gjitha të regjistruara në të njëjtën adresë në Fier, dhe të përdorura si kanale për pastrim parash.
Një fakt tronditës është se kompania “Almatek Oy” përdor NIPT-in e kompanisë projektuese “Compass Studio”, duke shmangur kështu kontrollin financiar. Gjithashtu, kompania “Scandinavia Invest” figuron vetëm në QKB dhe jo në regjistrat tatimorë, duke shmangur detyrimet fiskale.
Përmes këtyre kompanive të dyshimta, Muçobega ka qarkulluar rreth 300 milionë euro në ndërtim pallatesh dhe resortesh. Hetimet paraprake në Sarandë, Vlorë, Fier dhe Tiranë për trafik droge, evazion fiskal dhe pastrim parash janë mbyllur pa arsye nga autoritetet ligjzbatuese.
Një shembull flagrant është miratimi në shkurt 2025 i resortit “The Concave” në Gjirin e Llamanit, Himarë, zonë e shpallur më parë e mbrojtur natyrore. Ky projekt u miratua me propozim të ministres Mirela Kumbaro, duke dëshmuar qartë ndikimin politik në favor të Arben Muçobegës dhe grupit të tij kriminal.
SPAK ende nuk ka reaguar seriozisht ndaj këtij rasti flagrant, duke ngritur dyshime mbi integritetin e sistemit të drejtësisë dhe duke shtuar presionin publik për një hetim të plotë dhe transparent. /Pamfleti

Lini një Përgjigje