Mediat italiane vijojnë t'i kushtojnë vëmendje zhvillimeve politike në Shqipëri. Sot, ato shkruajnë se kryeministri Edi Rama, i cilësuar si "miku i Melonit", po përballet me një valë protestash dhe akuza të reja, ndërsa raporti "Edi Rama Files" dhe hetimet e SPAK e kanë vendosur sërish në qendër të debatit publik.
Tani po fryn një erë e keqe për Edi Ramën. Kryeministri i Shqipërisë, deri para pak vitesh një nga politikanët më në modë në qarkullim, po përballet me një çështje të rëndë që rrezikon të dëmtojë imazhin e tij. Në të vërtetë, pavarësisht shumë mohimeve të pjesshme, imazhi i tij tashmë është copëtuar. Gjithçka nisi me një lajm në dukje të zakonshëm: qeveria e drejtuar nga Rama u ka dhënë të drejtat e zhvillimit të ishullit të Sazanit dhe zonës së mbrojtur bregdetare të Zvërnecit kapitaleve të huaja.
Blerësit, një grup investitorësh të lidhur me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, përkatësisht dhëndri dhe vajza e Donald Trump, synojnë të realizojnë një projekt gjigant turistik (dhe luksoz) në këto dy zona. Rezultati? Populli shqiptar ka dalë në rrugë për të protestuar kundër neglizhencës së liderit socialist, të cilin e akuzon se dëshiron t'ia shesë pjesë të vendit oligarkisë globale. E ashtuquajtura Revolucioni i Flamingove vazhdon prej javësh. Manifestimi kombëtar i 4 korrikut nxori në rrugë mijëra njerëz, duke treguar se protesta vazhdon të mobilizojë turmat si në ditën e parë. Kërkesa e protestuesve? Një ndryshim politik që, në radhë të parë, duhet të nisë me dorëheqjen e Ramës.
Rama, për momentin, po reziston, nuk pranon të japë dorëheqjen dhe përpiqet t'i kundërshtojë akuzat, pjesërisht duke delegjitimuar protestuesit dhe pjesërisht duke ngritur si argument frikën e një lufte hibride të supozuar kundër Tiranës. Ndërkohë, organizata Progressive International ka publikuar një dosje që përshkruan me hollësi sistemin e pretenduar brenda të cilit do të vepronte kryeministri shqiptar. Dosja quhet Edi Rama Files dhe e akuzon Ramën se ndodhet në qendër të një sistemi të konsoliduar spekulimesh, shpronësimesh dhe korrupsioni në dëm të qytetarëve shqiptarë.
Sipas dokumenteve të ndryshme të shqyrtuara nga autorët e hetimit, resorti i Zvërnecit do të përfaqësonte vetëm një pjesë të një rrjeti pasurish të paluajtshme që do të shtrihej nga bregdeti shqiptar deri në kryeqytet. Një rrjet që, sipas pretendimeve, është autorizuar drejtpërdrejt nga Edi Rama. Edi Rama Files kanë përqendruar vëmendjen te veprimtaria e Këshillit Kombëtar të Territorit, organi që lëshon autorizimet për të gjitha projektet kryesore të ndërtimit në vend. Presidenti i këtij organi është Rama.
"Çdo resort në bregdet dhe çdo kullë e ndërtuar në qytete ka kërkuar firmën personale të Edi Ramës. Pa vulën e tij nuk ndërtohet asgjë", thuhet në raport.
Problemi, përtej gjithçkaje, është ajo që Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) pretendohet se ka zbuluar: një rrjet të gjerë trafiku droge dhe pastrimi parash që do të kalonte pikërisht përmes sektorit të pasurive të paluajtshme.
Sipas pretendimeve, çdo projekt ndërtimi që sot është objekt hetimi nga SPAK ka marrë miratimin personal të kryeministrit. Vëmendje tërheq edhe statusi i Investitorit Strategjik, i përdorur për të gjitha projektet e mëdha të vendit, një status juridik i krijuar nga Rama, i propozuar prej tij në parlament dhe që sot ndodhet nën kontrollin e tij të drejtpërdrejtë në cilësinë e kryetarit të Komitetit për Investimet Strategjike. "Pasi merret ky status, pronarët e mëparshëm të tokave nuk mund ta kundërshtojnë më projektin në gjykatë", thuhet në raport. Jo vetëm kaq: Komiteti për Investimet Strategjike (për kronikë: i drejtuar nga Edi Rama dhe me firmën e tij) thuhet se i ka dhënë të njëjtin status kompanisë Atlantic Incubation Partners, një shoqëri e lidhur me Jared Kushner pas projektit të Zvërnecit. Sipas SPAK, toka e kësaj kompanie do të ishte siguruar falë një dokumenti... të falsifikuar.
Dokumentet e SPAK, për shembull, i lidhin tokat e Zvërnecit me një person të quajtur Artur Shehu, me origjinë nga Vlora, banues në Florida, por me interesa ekonomike përgjatë bregdetit shqiptar. Në janar 2019, autoritetet evropiane monitoruan një takim në Aruba, gjatë të cilit Shehu dhe persona të tjerë thuhet se diskutuan "logjistikën e trafikut të kokainës në Amerikën Latine dhe investimet në pasuri të paluajtshme në Shqipëri, potencialisht të financuara me fonde të paligjshme dhe të mbështetura nga autoritete politike", ka shpjeguar më tej Progressive International.
Duke ndjekur rrjedhën e parave, SPAK e ka zgjeruar hetimin shumë përtej Zvërnecit. I njëjti rrjet, të njëjtët emra dhe e njëjta metodë do të shfaqeshin edhe te kullat Garden Building dhe Colonnade në qendër të Tiranës, në një zonë pranë stadiumit Air Albania dhe në resortin Green Coast në Palasë. Po Rama? Ai ka sulmuar SPAK-un dhe prokurorët, duke i akuzuar se "kanë dalë jashtë kontrollit". Hetimi i SPAK? Ende në vazhdim. Protestat? Gjithashtu. /Përshtatur nga "Mow"
Lini një Përgjigje