
Edi Rama vijon të shpërblejë familjen Berisha përmes ortakut të saj, Fatmir Bektashi...
Shqipëria vijon të mbetet vendi i çudirave. Ata që akuzohen për korrupsion dhe që janë në qeli kandidojnë për deputetë. Ndërkohë ata që dyshohet se kanë korruptuar pushtetarët, vijojnë normalisht aktivitetin duke mos u hyrë gjemb në këmbë.
Një prej tyre është Fatmir Bektashi, biznesmeni kontrovers që ka ditur të luajë të gjithë gurët. Sa ishte Berisha në pushtet, e ka mbajtur mirë me të, duke ndarë aksionet e kompanive me Jamarbër Malltezin. Falë kësaj aleance, Fatmir Bektashi ndërtoi me dhjetëra pallate te toka e ish-kompleksit "Partizani".
Por pasi iku Berisha dhe erdhi Rama, Bektashi duket se u forcua edhe më shumë. Në vitet e fundit ai dhe kompania e tij “Kontakt” kanë marrë pa fund leje ndërtimi, duke betonizuar jo vetëm Tiranën, por edhe Pogradecin, Dajtin apo Farkën.
Momentalisht Fatmir Bektashi është me dy dosje në SPAK. Ai akuzohet për korrupsion aktiv dhe pastrim parash te rasti i kompleksit “Partizani”, si dhe te dosja e Erion Veliajt.
Te e para, dosja ka kaluar për gjykim dhe ai është i pandehur; te Veliaj iu komunikua akuza pak ditë më parë. Por teksa SPAK mbyllte dosjen ndaj tij, Fatmiri bëri gati projektin e radhës. Këtë herë ai ka shënjestruar Farkën për betonizim.
Ortaku i Malltezit ka planifikuar të ndërtojë një kompleks pallatesh pranë liqenit të Farkës. Bëhet fjalë për 9-10 godina të stërgjata, që sipas komentuesve në rrjetet sociale të kompanisë “Kontakt”, ngjajnë si burgjet e “Aushvicit”. Por përtej kësaj, problemi qëndron te fakti se si ka mundësi që Fatmir Bektashi merr leje pa fund edhe pse akuzohet se ka abuzuar me këto leje?

Muaj më parë denoncuam Drilonin. Edhe pse sapo kishte aplikuar për leje, Bektashi nisi të shiste apartamente në ajër. Si duket, e kishte të sigurt marrjen e lejes. Tani duket se po bën të njëjtën gjë. Toka është rrethuar dhe është gati të nisë punimet, edhe pse te Këshilli i Territorit nuk kemi parë ende një leje. Por këto janë teknikalitete, pasi Babloku e ka dhënë dritën jeshile.
Shumë thjeshtë mund të themi se pazari Rama-Berisha vazhdon. Dhëndri edhe pse është në masë sigurie dhe ka shkuar për gjykim, vijon të bëjë miliona falë ortakut të tij Bektashi. Të gjithë e dinë se pas këtij të fundit fshihet Malltezi dhe patjetër që këtë e di edhe Rama.
Për kujtesë, Bektashi ka marrë leje për pallat te ish-kompleksi Partizani, në Ali Dem ka ngritur 3 komplekse (Mangalem, Kaimi dhe Kadiu), në Farkë ka ndërtuar vila, në Dajt po ashtu. I fundit ishte Driloni. Por tani duket se do të grabitet edhe Liqeni i Farkës. /Pamfleti
Lini një Përgjigje