
Rektori Tonin Gjuraj përplaset me bandat ‘akademike’ të Universitetit të Shkodrës, të udhëhequra nga emblema e shitjes së diplomave, Gasper Koka...
Bandat e Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës kanë kryer puçin e radhës, duke bllokuar autoritetin e zgjedhur ligjërisht, rektorin Tonin Gjuraj, që të vijojë normalisht drejtimin e institucionit. Bordi i Administrimit, i nxitur nga kreu i rebelimit Gaspër Koka, ka marrë peng menaxhimin e universitetit, duke uzurpuar të gjitha kompetencat; emërimet e stafit, procedurat dhe funksionimin e përditshëm.
Gaspër Koka, i cili ka nisur prej ditësh edhe një sulm mediatik në televizionin e tij lokal, e akuzon rektorin Gjuraj për “sulm ndaj Bordit të Administrimit”. Por, në fakt, Bordi nuk është një republikë e pavarur. Ai është vetëm një strukturë menaxhuese, ndërsa autoriteti më i lartë mbetet rektori dhe senati akademik.
Rektori Gjuraj ka paralajmëruar puçistët për shkeljen flagrante të ligjit dhe pasojat e rënda të moszbatimit të tij. Situata është një shantazh i hapur që Ministria e Arsimit dhe vetë Ogerta Manastirliu duhej ta kishin ndaluar menjëherë me një inspektim të posaçëm. Por deri më tani nuk ka reaguar askush, duke legjitimuar heshturazi një uzurpim të paligjshëm.
Në këtë puç nuk është vetëm Koka. Pas tij fshihen interesat e gjithë rrjetit nepotik, tribal dhe politik që ka mbajtur peng Universitetin e Shkodrës për 30 vite me radhë. Ky është ndërtim pa leje më i madh se çdo kioskë, diploma të shitura, para të marra për çdo shërbim, një universitet publik i degraduar në një pazar të turpshëm.
Puçistët akuzojnë se rektori nuk ka të drejtë të ndërhyjë në Bordin e Administrimit. Por ligji është i qartë: rektori është i vetmi organ i zgjedhur me votë dhe Bordi nuk mund të krijojë një strukturë paralele kundër tij. Për më tepër, të njëjtët individë janë njëkohësisht edhe dekanë, shefa departamentesh dhe kandidatë të ardhshëm për postin e rektorit, një konflikt interesi flagrant.
Ky shantazh e ka kthyer universitetin më të madh të veriut në një “kioskë diplome”, ku në vend të dijeve dhe meritës sundojnë militantët, klientelizmi dhe korrupsioni akademik. Nëse qeveria nuk ndërhyn menjëherë, godina e arsimit të lartë në Shkodër do të shembet mbi themelet e kalbura të bandave që e kanë marrë peng. /Pamfleti
Lini një Përgjigje