TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia17 Nëntor 2023, 17:13

Ministrat në alarm nga aferat/ Edhe Taulant Balla refuzon të firmosë tenderët, delegon kompetencat te sekretari i ri

Shkruar nga Pamfleti

Ministrat në alarm nga aferat/ Edhe Taulant Balla refuzon të

Një javë pas prezantimit të Sekretarit të Përgjithshëm në MB, Besmir Beja, detyra e parë që i ka ngarkuar Balla është të merret me tenderët dhe koncesionet.  

I gjithë kabineti qeveritar është vënë në alarm pas aksioneve të SPAK. Abuzimet me tenderët janë në fokus të prokurorisë dhe duket se të gjithë ministrat nuk duan të firmosin. Teksa shohin se si kolegët e tyre po rropaten dyerve të GJKKO dhe SPAK, ministrat kanë vendosur që këtë kompetencë tua kalojnë Sekretarëve të Përgjithshëm, madje edhe Taulant Balla.

Pak ditë më parë “Pamfleti” tregoi se si ministrat e rinj hoqën dorë nga tenderët, por duket se së fundmi është trembur dhe ministri i Brendshëm, duke mos dashur të ketë lidhje me asnjë procedurë prokurimi. Një javë pas prezantimit të Sekretarit të Përgjithshëm në MB, Besmir Beja, detyra e parë që i ka ngarkuar Balla është të merret me tenderët dhe koncesionet.  

Në mbështetje të pikës 4, të nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; të neneve 28 dhe 29, të ligjit nr. 44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”; të pikës 2, të nenit 11, të ligjit nr. 90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”; të ligjit nr. 162/2020, “Për prokurimin publik”; të ligjit nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar, dhe të vendimit nr. 285, datë 19.5.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, të ndryshuar,

URDHËROJ:

1. Delegimin e kompetencave të titullarit të autoritetit kontraktor z. Besmir Beja, sekretar i përgjithshëm, për të gjitha procedurat e prokurimit publik, koncesionet dhe partneritetin publik privat, për Ministrinë e Brendshme.

2. Kompetencat e deleguara të titullarit të autoritetit kontraktor të Ministrisë së Brendshme, në zbatim të dispozitave ligjore për prokurimit publik, do të ushtrohen për një periudhë të pacaktuar, nga hyrja në fuqi e këtij urdhri deri në shfuqizimin e këtij urdhri.

3. Urdhri nr. 223, datë 22.11.2022, “Për delegim kompetencash”, shfuqizohet.

4. Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohet sekretari i përgjithshëm, z. Besmir Beja.

Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

MINISTËR I BRENDSHËM

Taulant Balla”, thuhet në vendim.

Pak ditë më parë “Pamfleti” tregoi se si Ogerta Manastirliu sapo shkoi te Ministria e Arsimit i delegoi kompetencat për tenderët te Sekretari i Përgjithshëm. Të njëjtën gjë bënë edhe Igli Hasani dhe Albana Koçiu. Edhe ministrat që kanë vite në detyrë i kanë deleguar më herët kompetencat duke mos marrë përsipër kosto e koncesioneve apo prokurimeve publike. /Pamfleti

 

Lini një Përgjigje