
Mbështetja e SHBA dhe refuzimi për kompromise e bëjnë Nanon të papranueshëm për një sistem që kërkon të ruajë pazaret me pushtetin, ndërsa gara për kreun e BKH po përdoret si fasadë për emërimin e një kukulle politike...
Gara për drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) është, në thelb, një proces që po kontrollohet në prapaskenë nga kryeministri Edi Rama, i cili synon të emërojë në krye të kësaj strukture një person të bindur e të besuar, që garanton nënshtrim dhe zbatim të urdhrave për fshehjen e provave ndaj zyrtarëve të korruptuar, biznesmenëve të lidhur me qeverinë dhe eksponentëve të krimit që nuk duhen prekur.
Në mesin e 13 kandidatëve që kanë aplikuar, ka emra të futur me porosi politike, ndërsa po bëhen të gjitha lëvizjet e mundshme që njëri prej tyre, i përzgjedhur paraprakisht, të zgjidhet për të zbatuar skemat e mbrojtjes së njerëzve të pushtetit.
Nga ana tjetër, ka edhe kandidatë që nuk janë në linjën e kryeministrit Rama dhe as të drejtuesit të SPAK, Altin Dumani. Ndër më të spikaturit dhe më të papërshtatshmit për këtë dyshen është ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, kandidimi i të cilit ka shkaktuar jo pak shqetësim në zyrat e larta të qeverisë dhe vetë SPAK-ut, për shkak se ai shihet si figurë e pavarur dhe me mbështetje të fuqishme nga SHBA.
Në të vërtetë, kandidatura e Gledis Nanos shihet nga Rama si një sfidë direkte e preferuar nga amerikanët, në një kohë kur kryeministri po tenton të marrë nën kontroll të plotë sistemin e drejtësisë së re, përmes strukturave të SPAK dhe BKH, duke përdorur edhe komisionin “Xhafaj” për të futur kontroll politik mbi institucionet e drejtësisë. Në dhjetor 2022, Altin Dumani ishte vetë i përzgjedhur i SHBA-ve për të marrë drejtimin e SPAK, dhe asokohe nuk përbënte preferencë për Ramën. Por sot, duket se Dumani dhe Rama janë bërë aleatë të heshtur, të bashkuar në një qëllim të përbashkët: të bllokojnë çdo kandidat të pavarur që mund të sfidojë sistemin klientelist të ndërtuar në hetimin penal të niveleve të larta.
Gledis Nano nuk është njeri i pazareve. Këtë e dëshmoi edhe gjatë periudhës që drejtoi Policinë e Shtetit, ku nisi të godasë grupe të lidhura me segmente të pushtetit dhe krimit të organizuar, duke bërë që Rama ta shkarkojë pa asnjë arsye ligjore. Tani, frika është se nëse Nano merr drejtimin e BKH, Rama nuk do të ketë më asnjë garanci për mbylljen selektive të dosjeve, ndaj ka urdhëruar lëvizjen për ta skualifikuar nga gara, duke përdorur formalisht komisionin e përzgjedhjes të drejtuar nga Altin Dumani.
Karta që po përdoret për ta spostuar Nanon është një vendim administrativ i vjetër: Vendimi nr. 580, datë 31 gusht 2022, me të cilin Nano u shkarkua nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë nga ish-ministri Bledar Çuçi. Zyrtarisht, shkarkimi u justifikua me “mosrealizim objektivash në luftën kundër krimit”, por në realitet, ai u ndëshkua sepse po prekte rrjete kriminale të lidhura me vetë kupolën e pushtetit.
Këtë vendim, komisioni “Dumani” pritet ta interpretojë si “masë disiplinore” për ta skualifikuar nga gara, por do të dalë huq, sepse ai shkarkim është rrëzuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata Administrative, e cila e ka shpallur të paligjshëm dhe i ka njohur Gledis Nanos të drejtën e dëmshpërblimit me pagat e plota për pesë vite.
Informacionet e siguruara nga “Pamfleti” tregojnë se skema për të përjashtuar Nanon nuk mbyllet te komisioni i përzgjedhjes. Pjesë e saj është bërë edhe klani i Ramës në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, i cili do të mbështesë në mënyrë formale vendimin e komisionit, duke vulosur spostimin e një kandidati që përfaqëson një rrezik për pushtetin aktual të lidhur me segmente të pandëshkuara të krimit dhe korrupsionit. Kjo është e njëjta skemë që u përdor për të detyruar largimin e Aida Hajnajt nga drejtimi i BKH-së, për shkak se ajo kundërshtonte ndërhyrjet klienteliste në hetime dhe komunikonte direkt me FBI-në për dosje sensitive që po sabotoheshin nga brenda sistemit.
Në të njëjtën mënyrë po tentohet të zhbëhet edhe kandidatura e Gledis Nanos. Sepse ai nuk është “kukull”. Nuk është i përkulshëm. Nuk është negociator i heshtur për dosje që duhet të arkivohen. Dhe mbi të gjitha, nuk është i frikësuar nga emra të mëdhenj në dosjet që BKH do të duhej të hetonte pa u ndikuar politikisht. Dhe kjo është e papranueshme për Bablokun. Për këtë arsye, kontrolli mbi komisionin “Dumani” dhe garën fiktive është tanimë çështje sigurie për pushtetin personal të kryeministrit. Dhe nuk do të ndalet derisa të ketë siguruar vendin nga një emër i bindur, jo i besuar nga SHBA, por i pëlqyer nga kryeministri. Dhe kjo e thotë gjithçka./Pamfleti
Lini një Përgjigje