
Dy ditë para zgjedhjeve, liderët e vjetër të politikës shqiptare, Edi Rama dhe Sali Berisha, kanë përsëritur qëndrimet e tyre të njohura: nuk largohen nga drejtimi i partive dhe politika, për sa kohë janë gjallë...
Në vend që të flisnin për ndryshimin, për breza të rinj, apo për përgjegjësi politike pas humbjesh, Rama dhe Berisha i dhanë opinionit shqiptar të njëjtin mesazh: “Jemi të përjetshëm dhe të pazëvendësueshëm”.
Rama: Largohem kur të dua vetë!
Në një deklaratë tipike për stilin e tij autokratik, Edi Rama deklaroi se do largohet vetëm kur ta vendosë vetë, jo kur t’ia kërkojnë kritikët apo kundërshtarët që i thonë “Rama ik”. As statuti i partisë, as humbjet eventuale, nuk do ta ndalin të qëndrojë në majën e PS-së.
Fakti është se prej vitit 2005, kur mori drejtimin e PS-së, Rama shkriu çdo normë statutore, duke hequr edhe detyrimin për dorëheqje në rast humbjeje. Sot, PS nuk bën zgjedhje për kryetarin e partisë prej 20 vitesh, dhe çdo forum është nën kontroll absolut të tij.
Berisha: Qëndroj derisa të jem gjallë!
Nga ana tjetër, Sali Berisha përsëriti skenarin e tij të vjetër: nuk largohet nga PD-ja për sa kohë është gjallë. Për të nuk ekzistojnë as humbjet, as mosha, as vota e lirë e strukturave. Ai tashmë ka futur në statut modelin e zgjedhjeve farsë, ku vetë zgjidhet me 98% të votave, përballë kandidatëve kukulla që luajnë rolin e garës.
Në mënyrë paradoksale, edhe pse Statuti i PD-së i ngarkon kryetarit përgjegjësinë për rezultatin zgjedhor, Berisha ka deklaruar publikisht se do të vazhdojë të jetë kryetar edhe nëse humb.
Marrëveshje për përjetësi dhe mbijetesë politike
Rama dhe Berisha janë në garë vetëm në formë, por në thelb janë në pakt të heshtur për sundim absolut. Të dy e përdorin partinë si pronë private. Të dy kanë instaluar rreth vetes një kastë vartësish pa integritet, që nuk guxojnë të kundërshtojnë edhe kur poshtërohen.
Lista e deputetëve, emërimi i drejtuesve të qarqeve dhe i forumeve të partive, bëhet vetëm me vullnetin e njërit apo tjetrit. Edhe përgjegjësitë për humbjet i kalojnë më poshtë, për të mbetur vetë pa prekur.
Në rast dështimi më 11 maj, të dy kanë përgatitur të njëjtën zgjidhje: fajin do t’ia hedhin drejtuesve politikë të qarqeve. Por askush prej tyre nuk do ndëshkohet realisht, sepse janë vendosur në listat e sigurta për deputetë./Pamfleti
Lini një Përgjigje