72 padi për kthimin e fondeve të abuzuara me programin europian, ndërsa kallëzimi penal ndaj ish-drejtoreshës së AZHBR mbetet pa hetim...
Deri në fund të shkurtit 2026, Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural ka depozituar 72 padi në Gjykatën Administrative për të detyruar përfituesit e paligjshëm të kthejnë fondet e programit “IPARD II”. Paditë pranojnë zyrtarisht se miliona euro janë dhënë me dokumente të falsifikuara dhe në shkelje të ligjit. Ndërkohë që qeveria kërkon kthimin e parave nga përfituesit, kallëzimi penal i OLAF ndaj ish-drejtoreshës Frida Krifca, e akuzuar për shpërdorimin e 138 milionë eurove fonde europiane, mbetet prej tre vitesh në fazë paraprake hetimi në SPAK. Situata ka hapur debat për përgjegjësinë penale në skemën e abuzimit me fondet e BE-së dhe për standardin e drejtësisë në trajtimin e këtij skandali.
Deri në fund të muajit shkurt 2026, Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural ka depozituar 72 kërkesa-padi në Gjykatën Administrative, me objekt detyrimin e subjekteve private të rikthejnë milionat që kanë marrë padrejtësisht nga fondet bujqësore “IPARD II” që BE i dha Shqipërisë.
Me këto kërkesa-padi, qeveria pranon zyrtarisht se u ka dhënë fondet bujqësore, në shkelje të ligjit dhe me dokumente false, personave, bizneseve, trafikantëve, drejtorëve dhe familjarëve të pushtetarëve që nuk kanë asnjë lidhje me aktivitetet bujqësore apo blegtorale.
Ndërkohë që qeveria, nën presionin e BE-së, po kërkon rikthimin e milionave të dhëna në shkelje të ligjit, Edi Rama vazhdon të mbrojë ish-drejtoreshën Frida Krifca, duke mos lejuar bërjen e kallëzimit penal nga Ministria e Bujqësisë, Ministria e Financave dhe Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural.
Pra, qeveria po pranon abuzimet me fondet dhe po kërkon milionat nga ata që i kanë përfituar padrejtësisht, por nuk lejon të preket Frida Krifca, e cila dha 138 milionë euro me dokumente false për investime të pakryera në bujqësi dhe blegtori.
Madje, pas shpërthimit të skandalit dhe reagimit të Komisionit Europian me bllokimin e fondeve të programit “IPARD III”, Edi Rama e emëroi Frida Krifcën ministre të Bujqësisë dhe tani e ka marrë këshilltare të tij në Kryeministri.
Kallëzimi penal ndaj Frida Krifcës u bë para tre vitesh në SPAK nga Zyra Anti-Korrupsion dhe Anti-Mashtrim e BE-së, OLAF, i shoqëruar me prova konkrete për abuzimet me fondet “IPARD II” që u dërguan për fermerët.
Por në të njëjtën linjë me kryeministrin Edi Rama për paprekshmërinë e Frida Krifcës, prej tre vitesh janë edhe drejtuesit e SPAK, duke mbajtur të bllokuar kallëzimin penal që ka bërë Zyra Anti-Korrupsion dhe Anti-Mashtrim e BE-së.
Sa herë që ish-drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, është pyetur në lidhje me ecurinë e kallëzimit të OLAF ndaj Frida Krifcës, ka deklaruar se hetimi është në fazë paraprake, ndërkohë që provat janë të plota dhe të qarta, me emrat e personave zyrtarë përgjegjës që i kanë dhënë fondet dhe ata që i kanë përfituar.
Me ndërhyrjen e drejtuesve të Komisionit Europian, drejtuesi i ri i SPAK, Klodian Braho, njëherazi prokuror i dosjes, ka vënë në lëvizje hetimin duke marrë në pyetje Reni Ashikun, bashkëpunëtorin e besuar të Frida Krifcës në abuzimet me fondet bujqësore.
Por ende nuk ka sinjal për marrjen në pyetje të ish-drejtoreshës Frida Krifca, personit kryesor përgjegjës, që sipas provave dhe Kodit të Procedurës Penale duhej të ishte marrë e pandehur.
Skenari i paprekshmërisë nuk mund të vazhdojë nën maskën e proceseve civile në Gjykatën Administrative, sepse ato nuk kanë lidhje me krimin financiar, por vetëm me rikthimin e milionave të marra padrejtësisht, gjoja si fermerë dhe me dokumente false.
Ndërsa hetimi nga SPAK lidhet me përgjegjësinë penale të Frida Krifcës dhe bashkëpunëtorëve të saj në skemën e abuzimit me fondet e BE-së, gjurmët e të cilave, sipas pretendimeve, të çojnë edhe te resortet në bregdet dhe te kulla “Top Seven Tower” me 35 kate që Frida po ndërton në Laprakë./Pamfleti
Rama eshte nje klloun qe i trajton shqiptaret si dele. Kjo tregon qe ne jemi nje shoqeri e vdekur.