Flamur Golemi në SPAK/ 1.6 milionë euro për baxhanakun: si u ndërtua skema e tenderëve të Bashkisë Gjirokastër
Kryebashkiaku i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, u mor ditët e fundit në pyetje nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku qëndroi për rreth tre orë duke dhënë shpjegime. Zyrtarisht, ai u paraqit para organit të akuzës në cilësinë e “personit në dijeni”, megjithatë burimet pranë hetimit tregojnë se çështja që po hetohet nuk ka të bëjë me ndonjë formalitet procedural, por me një skemë të mirëfilltë korrupsioni që ka në qendër të saj kompaninë e baxhanakut të tij, Adrian Çela.
Sipas të dhënave të siguruara nga Pamfleti, objekti i hetimit të SPAK-ut është kompania “ANEL & CO” shpk, e cila prej vitesh rezulton të ketë siguruar kontrata publike me vlerë miliona euro në Qarkun e Gjirokastrës, gjithmonë nën ombrellën e pushtetit vendor të drejtuar nga kryebashkiaku Flamur Golemi dhe gjithmonë në favor të baxhanakut të tij, Adrian Çela, i cili sot rezulton pronari i vetëm i kësaj kompanie.
Më 3 janar të vitit 2018, një individ me emrin Aleksandër Rogo themeloi kompaninë “ANEL & CO” shpk, duke e pajisur atë me një kapital fillestar prej 1.8 milionë lekësh të vjetra, shumë kjo e barabartë me rreth 18 mijë euro në kursin e kohës. Megjithatë, themeluesi Aleksandër Rogo nuk qëndroi gjatë në krye të kompanisë që sapo kishte ngritur, pasi më 21 shkurt të të njëjtit vit, pra vetëm 49 ditë pas themelimit, ai vendosi të emërojë administrator Arben Çelën, duke i lënë atij të gjitha kompetencat e drejtimit të kompanisë, ndërsa pronësia mbeti ende zyrtarisht në emër të tij.
Emri i Arben Çelës nuk ishte aspak i rastit në këtë histori. Arben Çela është vëllai i Adrian Çelës, dhe Adrian Çela, siç e di shumë mirë e gjithë Gjirokastra, është baxhanaku i kryebashkiakut Flamur Golemi. Kjo do të thotë se që në muajin shkurt të vitit 2018, pra plot një vit e gjysmë përpara se Flamur Golemi të merrte zyrtarisht pushtetin në Bashkinë e Gjirokastrës, kompania që do të përfitonte miliona euro nga tenderat publikë tashmë drejtohej në mënyrë operative nga vëllai i baxhanakut të kryebashkiakut të ardhshëm.
Viti 2019: Flamur Golemi merr pushtetin dhe “ANEL & CO” shpk nis rrugën e tenderëve
Në muajin gusht të vitit 2019, Flamur Golemi mori zyrtarisht detyrën e kryebashkiakut të Bashkisë së Gjirokastrës, duke marrë në dorë kontrollin e institucionit më të rëndësishëm të qeverisjes vendore në të gjithë qarkun. Vetëm gjashtë muaj më vonë, më 18 shkurt të vitit 2020, kompania “ANEL & CO” fitoi tenderin e saj të parë të rëndësishëm, atë të furnizimit me karburant për Bashkinë Dropull, me një vlerë që arrinte shifrën e 4.8 milionë lekëve, ose rreth 48 mijë euro.
Kontrolli i Lartë i Shtetit zbulon shkelje, por tenderët vijojnë pa u ndalur
Në muajin prill të vitit 2021, KLSH publikoi një raport auditimi për Bashkinë Këlcyrë, ku konstatonte se kompania “ANEL & CO” ushtronte aktivitetin e tregtimit të karburantit në territorin e kësaj bashkie pa disponuar licencën e nevojshme për këtë qëllim, duke i shkaktuar buxhetit të bashkisë një detyrim të prapambetur prej 1.1 milionë lekësh, ose rreth 11 mijë euro. Megjithatë, ky konstatim i institucionit më të lartë të auditimit në vend nuk ndikoi aspak në ecurinë e mëtejshme të kompanisë, e cila vijoi të merrte kontrata nga bashkitë e qarkut pa asnjë pengesë.
Periudha 2021-2023: Vitet e arit për kompaninë e baxhanakut
Gjatë periudhës trevjeçare 2021-2023, të dhënat financiare të kompanisë tregojnë se “ANEL & CO” arriti të realizojë një xhiro vjetore mesatare që i kalonte 570 milionë lekët, duke grumbulluar në total mbi 1.7 miliardë lekë. Pjesa dërrmuese e këtyre të ardhurave vinte nga kontratat publike të siguruara në Qarkun e Gjirokastrës, pikërisht aty ku ndikimi i kryebashkiakut Flamur Golemi ishte vendimtar.
Më 19 shtator të vitit 2024, themeluesi Aleksandër Rogo vendosi të rrisë kapitalin e kompanisë nga 1.8 milionë lekë në 7.8 milionë lekë, shumë kjo e barabartë me rreth 78 mijë euro, duke përdorur për këtë qëllim fitimet e pashpërndara të vitit 2020. Vetëm tre javë më vonë, më 10 tetor të vitit 2024, Rogo ia shiti të gjitha kuotat e pronësisë Adrian Çelës, për një çmim prej 6.8 milionë lekësh, ose rreth 68 mijë euro. Në këtë moment, Adriani, baxhanaku i kryebashkiakut Flamur Golemi, u bë pronari i vetëm i kompanisë “ANEL & CO”, duke marrë zyrtarisht në dorë gjithçka.
Viti 2025: Monopoli i plotë dhe skualifikimi i konkurrentëve
Në muajin maj të vitit 2025, kompania “ANEL & CO” fitoi tenderin e Bashkisë Dropull për furnizim me karburant, me një vlerë prej 8.4 milionë lekësh, ose rreth 84 mijë euro, duke qenë në këtë procedurë ofertuesi i vetëm. Në të njëjtën periudhë, kompania siguroi edhe tenderin e Bashkisë Libohovë, me vlerë 2.7 milionë lekë, ose rreth 27 mijë euro, përsëri si i vetmi operator ekonomik i paraqitur në garë.
Por kulmi i kësaj historie ndodhi në muajin gusht të vitit 2025, kur Bashkia e Gjirokastrës, e drejtuar nga Flamur Golemi, hapi procedurën e tenderit për furnizimin me karburant. Në këtë tender u paraqitën dy ofertues: kompania “ANEL & CO” e baxhanakut Adrian Çela dhe kompania “FLADY PETROLEUM”. Oferta e kompanisë së baxhanakut ishte 16.9 milionë lekë, shumë kjo e barabartë me rreth 169 mijë euro, ndërsa oferta e konkurrentit ishte 17.4 milionë lekë, ose rreth 174 mijë euro.
Kompania “FLADY PETROLEUM” u skualifikua nga procedura e tenderit. Arsyeja zyrtare e skualifikimit ishte mungesa e një certifikate marke të lëshuar nga Ministria e Financave dhe e Ekonomisë, një dokument ky që në çdo rast normal mund të plotësohet brenda pak ditësh. Megjithatë, në procedurat e prokurimit të Bashkisë së Gjirokastrës, formalitete të tilla u bënë pengesë e pakalueshme për të eliminuar konkurrencën përballë kompanisë së baxhanakut të kryebashkiakut. Në përfundim, fitues u shpall “ANEL & CO”.
Bilanci përfundimtar: 1.6 milionë euro për baxhanakun
Sipas llogaritjeve të bëra nga Pamfleti, duke u bazuar në të dhënat zyrtare të prokurimeve publike, totali i kontratave të fituara nga kompania “ANEL & CO” në Qarkun e Gjirokastrës, që nga momenti i ardhjes së Flamur Golemit në pushtet në gusht të vitit 2019 e deri më sot, arrin shifrën e 126.4 milionë lekëve, shumë kjo e barabartë me rreth 1.6 milionë euro. Nga kjo vlerë totale, rreth 730 mijë euro janë siguruar nga 14 kontrata ku kompania ka qenë operator i vetëm, ndërsa rreth 870 mijë euro të tjera janë siguruar nga 3 kontrata madhore në bashkëpunim me grupin “GEGA”.
Pas daljes nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, kryebashkiaku Flamur Golemi u deklarua para mediave se ishte thirrur për të dhënë shpjegime në cilësinë e “personit në dijeni” për një çështje që lidhet me një institucion të Bashkisë së Gjirokastrës. Megjithatë, në qytet prej kohësh qarkullon e njëjta pyetje: a mund të jetë kryebashkiaku thjesht “në dijeni” për faktin se kompania e baxhanakut të tij ka përfituar 1.6 milionë euro nga tenderat e bashkive të qarkut, apo diçka më shumë e lidh atë me këtë skemë?
Në Gjirokastër, të gjithë janë prej kohësh në dijeni se paratë e Bashkisë kanë marrë të njëjtën rrugë: te baxhanaku i kryebashkiakut. /Pamfleti
Lini një Përgjigje