Duke qenë se në Shqipëri janë shtuar e po shtohen individë e grupe të tillë pas maskës së Call-Center, që veprojnë me logo: “Zyrë broker”, “Zyrë Konsultim-Ndërmjetësimi”, “Agjenci Menaxhimi Kripto-Valuta”, “Fond Investimi” etj., shumica e të cilëve rezultojnë me lidhje në kupolën e shtetit, politikës, bankave, policisë e drejtësisë...
Pas 1 viti në kërkim, policia ka arrestuar Mendim Domin, cilësuar si një nga bosët e mashtrimit të shtetasve të vendeve të BE, duke u vjedhur 15 milionë Euro, me anë të bindjes për të investuar shuma financiare në bursa fiktive nëpërmjet kontakteve me rrjetin Call-Center.
Kjo skemë mashtrimi elektronike është përhapur e po merr përmasa të mëdha e të frikshme si një “gangrenë” krimi masiv e me pasoja të rënda sociale në Shqipëri, i cili po lihet jashtë kontrollit parandalues e goditës nga agjencitë financiare dhe ligj zbatuese të shtetit.
Vetëm gjatë viteve 2022-2023, policia ka arrestuar 317 punonjës, por vetëm 2-3 koka të këtij krimi, të cilët nëpërmjet aktiviteteve Call-Center, vidhnin shtetas të huaj e vendas, duke i mashtruar për gjoja fitime të mëdha në bursa investimesh e depozitime me kriptovaluta.
Rasti në përmasa të mëdha mashtrimi ndërkombëtar, ishte rrjeti i grupit të strukturuar kriminal i drejtuar nga Amant Josifi, me 13 qendra e 115 pika Call-Center në Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier, Korçë, Shkodër, Elbasan, Lezhë, me të cilat arritën të mashtronin e zhvatnin 2 miliardë Euro nga qytetarë në Spanjë, Holandë, Gjermani, Itali, Francë, Austri etj.
Sipas regjistrit të Qendrës Kombëtare të Biznesit, vetëm gjatë viteve 2022, në Shqipëri u hapën 627 biznese Call-Center, zyra konsulence, zyra bashkëpunimi financiar, zyra ndërmjetësimi, brokerimi e agjenci investimesh në formë “Sh.p.k” dhe “Persona fizik”.
Ndërsa sipas raporteve të agjencive të anti-krimit, në Shqipëri ushtrojnë aktivitet mbi 3000 individë, zyra e qendra të tilla mashtrimi financiar, madje ka shumë salla Call-Center në qendër të Tiranës e qyteteve të tjerë.
P.sh., te sallat dhe kompjuterët e Call-Center të Amant Josifit, policia spanjolle, gjermane e EUROJUST, gjetën regjistra me emra personash të kontaktuar në të gjithë Europën, lista me numra telefoni, adresa, e-mail, depozitime në kripto-valutë, USB me numra të llogarive e transaksioneve bankare, fotokopje kartash identiteti e databaze klientësh me të dhëna personale të tyre.
Të tilla prova me 162 njësi kompjuterike, serverë, çeqe e dokumente false në gjuhën italiane, angleze, gjermane, franceze, greke, turke dhe kontrata pune, libreza pune, fatura e vula bankare false; policia shqiptare gjeti edhe te sallat, zyrat, makinat dhe banesat e grupit Call-Center që drejtohej nga Mendim Domi, Jusel Mici, Gerald Lamaj e italiani Maurizio Giacalone.
Duke qenë se në Shqipëri janë shtuar e po shtohen individë e grupe të tillë kriminal pas maskës së Call-Center e “Forex, po bëjmë këtë pyetje:
- Pas Amant Josifit të Olsi Ramës e Olta Xhaçkës e kishte radhën e prangosjes Mendim Domi; po kush e ka radhën pas Mendim Domit?
Sepse është krijuar perceptimi, që shteti i lejon vetë këta individë e grupe mashtrimi, sidomos ato biznese legale e ilegale me maskë Call-Center, që veprojnë si gjoja “Zyrë broker”, “Zyrë Konsultim-Ndërmjetësimi”, “Agjenci Kripto-Valuta”, “Fond Investimi” etj., shumica e të cilëve rezultojnë me lidhje në kupolën e shtetit, politikës, bankave, policisë e drejtësisë./Pamfleti
Lini një Përgjigje