Anti-Mafia 3 Qershor 2024, 13:50

Trifoni i “Bana King” nuk ndalet, nga arratia 55 qese me 'koka' në banane: SPAK hesht!

Shkruar nga Pamfleti
Trifoni i “Bana King” nuk ndalet, nga arratia 55 qese me
Trifon Murataj, 'koka' e kokainës /

Më 8 dhjetor 2023, nga Porti i Durrësit u lejua të dilte pa kontroll dhe u dërgua te një parking në Shkozet, kontejneri i “Bana-King”; ndërsa pas 4 orësh kontejneri i shoqëruar nga një polic kufitar i Portit Detar, u lejua të futej përsëri në Portin e Durrësit, ku u skanua, u zhdoganua formalisht dhe doli “i pastër”, por me 130 arka më pak se ngarkesa  e deklaruar...

Edhe nga arratia, krye trafikanti Trifon Murataj, pronar i “Bana King”, sponsor i PS e mik i disa krerëve të policisë, vazhdon trafikimin e kokainës, me kontejnerë bananesh që sjell në Shqipëri.

Sipas informacionit konfidencial të “Pamfleti”-t, nga shërbimet kufitare e anti-mafia në Portin e Durrësit, thuhet se ditën e mërkurë më 29 maj 2024, ora 11.30, në një nga kontejnerët e kompanisë “Bana King”, shërbimi i skanimit ka konstatuar sasi të dyshuar kokainë.

Në raportin dhënë policisë kufitare, thuhet se në 13 arka banane, te rreshti i dytë dhe i katërt të arkave në pjesën ballore të kontejnerit, janë pikasur 55 qese të dyshuara me kokainë.

Duke ditur që “Bana King” importon vetëm banane e jo miell; por dhe fakti, që është kapur 3 herë me afro 2 ton kokainë në 4 vitet e fundit, është krijuar dyshimi se 55 qeset janë me kokainë.

Çuditërisht, asnjë nga shërbimet e anti-krimit në Portin e Durrësit, nuk kërkoi e nuk guxoi të hapte kontejnerin e skeduar, madje siç duket kanë urdhër më lart, se ngjarja nuk u raportua, por u rikthye përsëri nga pika e skanimit, te zona e kontejnerëve të tjerë.

Sipas informacionit, për “njollat” që nxori skanimi në kontejnerin e “Bana King”, shërbimet e terrenit dhe ato eprore të kufirit, anti-krimit, anti-mafies e anti-trafikut, nuk kanë vënë në dijeni as zyrat e DEA dhe EUROPOL që janë në Shqipëri, duke e lënë në heshtje këtë fakt.

Pse këto shërbime nuk zbatuan menjëherë, detyrimin që kanë për të hapur kontejnerin dhe për verifikuar fizikisht, dyshimin që u përcolli shërbimi i skanimit në Portin e Durrësit?

Kush i ka urdhëruar të mos hapin kontejnerin, të mos bëjnë publik rastin dhe përse nuk kanë njoftuar zyrat e agjencive partnere të DEA dhe EUROPOL që janë atashuar në Shqipëri?

Kujtojmë, që më 31 dhjetor 2021, në kontejnerin e “Bana King” u kapën 119 kg. kokainë, ndërsa policia nuk arrestoi pronarin Trifon Murataj, por nipin e shoferin që u liruan me pushim çështje.

Më 17 korrik 2022, nga kontejneri i “Bana King”, para skanimit u zhduken 50 arka me afro 1.5 ton kokainë; ku përsëri në lojë ishte policia e shtetit; që për 2 ditë mbajti të fshehtë emrin e kompanisë “Bana- King”, nuk procedoi pronarin Trifon Murataj dhe liroi punonjësit e tij.

Më 3 nëntor 2022, në kontejnerin e “Bana King” në Portin e Durrësit, u kapën 35.5 kg. kokainë; për të cilën u bënë arrestime shoferësh, ndërsa një ditë më pas, SPAK i çoi policisë urdhër-arresti për pronarin Trifon Murataj, por ai njoftua dhe u arratis. 

Më 8 dhjetor 2023, nga Porti i Durrësit u lejua të dilte pa kontroll dhe u çua te një parking në Shkozet, kontejneri i “Bana-King”; ndërsa pas 4 orësh kontejneri i shoqëruar nga polici kufitar Adelino Vila, u lejua të futej përsëri në Portin e Durrësit, ku u skanua, u zhdoganua formalisht dhe doli “i pastër”, por me 130 arka më pak se ngarkesa e deklaruar.

Para 3 ditësh, më 29 maj 2024, në kontejnerin e “Bana King”, u zbuluan 55 qese të dyshuara me kokainë në 13 arka bananesh; por kontejneri nuk u hap.

Ndërsa SPAK, prej 4 vitesh, që kur është ka kapur ngarkesa e parë me 119 kg. kokainë, dhe as pas raportit të DEA-s, nuk po e bllokon aktivitetin e “Bana King” dhe nuk po sekuestron këtë kompani të trafikimit të kokainës e as pronarin krye trafikant Trifon Murataj./Pamfleti

trifoni bana king drogë banane