
Daniel Kinahan, i identifikuar si figurë kyçe e krimit të organizuar në Evropë është arrestuar në Dubai pas një operacioni të koordinuar ndërkombëtar.
Policia irlandeze konfirmoi ndalimin, ndërsa veprimi u realizua në bashkëpunim me disa agjenci ligjzbatuese Sipas burimeve hetimore, autoritetet kanë ndjekur në mënyrë diskrete lëvizjet e Kinahan për një periudhë të gjatë, duke përdorur edhe vende publike si një qendër tregtare dhe një restorant indian pranë Burj Khalifa për monitorim të vazhdueshëm. Operacioni është mbajtur në sekret të plotë deri në momentin e arrestimit, për të shmangur çdo ndërhyrje apo rrjedhje informacioni.
Arrestimi lidhet me hyrjen në fuqi të marrëveshjes së ekstradimit mes Irlandës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe gjatë vitit 2025. Autoritetet e konsiderojnë këtë marrëveshje si faktor që lehtësoi bashkëpunimin dhe përshpejtoi procedurat.
Hetimet ndaj Kinahan përfshijnë akuza për trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash dhe drejtim të një strukture kriminale me aktivitet në disa kontinente. Sipas të dhënave hetimore, rrjeti i tij ka operuar në mbi 20 shtete dhe ka gjeneruar qarkullime të mëdha financiare.
Një pjesë e provave lidhet me mesazhe të koduara të sekuestruara nga pajisje elektronike të bashkëpunëtorëve. Disa prej tyre u siguruan përpara fshirjes, duke ndihmuar në dokumentimin e veprimtarive kriminale.
Kinahan jetonte në Dubai prej vitit 2016, pasi u largua nga Evropa. Emri i tij lidhet me një rrjet të njohur kriminal irlandez dhe me përplasjen e armatosur me një grup rival, konflikt që ka shkaktuar viktima të shumta ndër vite.
Autoritetet ndërkombëtare, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, kishin ofruar shpërblime deri në 5 milionë dollarë për informacion që çonte në kapjen e anëtarëve të këtij rrjeti. Arrestimi i tij konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe hap rrugën për procedura të mëtejshme ligjore, përfshirë ekstradimin.
Lini një Përgjigje