TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota18 Prill 2026, 17:38

“Misioni im nuk është politika”, Papa Leoni XIV injoron Trumpin!

Shkruar nga Pamfleti

 

“Misioni im nuk është politika”, Papa Leoni XIV injoron
Presidenti i SHBA Donald Trump dhe Papa Leo XIV

Papa Leo XIV ka mohuar se po përpiqet të debatojë me Donald Trump dhe kritikoi mënyrën si media kanë interpretuar deklaratat e tij gjatë vizitës në Afrikë. Ai theksoi se misioni i tij është pastoral dhe i përqendruar te paqja, jo te përplasjet politike. Ndërkohë, tensionet verbale kanë vijuar nga ana e Trump dhe disa zyrtarëve amerikanë.

Papa Leo XIV ka deklaruar se nuk synon të hyjë në debat të ri me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Gjatë një takimi me gazetarët në bordin e avionit papnor ditën e sotme, në fluturimin nga Kameruni drejt Angolës, Papa tha se është krijuar një narrativë e pasaktë rreth qëndrimeve të tij. Ai theksoi se nuk ka qenë në interesin e tij të kundërshtojë apo të shkaktojnë polemika me presidentin amerikan.

“Nuk jam aspak i interesuar të debatoj me të”, u shpreh Papa duk shtuar se nuk ekziston një përplasje e vazhdueshme mes tij dhe Donald Trump.

Papa iu referua veçanërisht raportimeve mbi fjalimin e tij për paqen të mbajtur më 16 prill në Bamenda, në veriperëndim të Kamerunit, ku tha se “bota po shkatërrohet nga një grusht tiranësh”. Ai sqaroi se fjalimi ishte përgatitur dy javë më parë, përpara çdo komenti publik nga Trump.

“Janë përgatitur shumë kohë më parë, para se Donald Trump të komentonte për mua dhe mesazhin e paqes që po promovoj”, tha ai.

Sipas raportimit, një ditë para nisjes së Papës për turneun 11-ditor në Afrikë, Trump e kishte kritikuar atë në rrjetin social Truth Social, duke e cilësuar “të dobët ndaj krimit” dhe “të dobët në politikën e jashtme”.

Papa Leo theksoi se shumica e reagimeve mediatike pas kësaj kanë qenë interpretime të komenteve, më shumë sesa raportime faktike. Ai sqaroi se qëllimi i vizitës së tij në Afrikë është kryesisht pastoral: të jetë pranë besimtarëve, të festojë me ta dhe t’i inkurajojë komunitetet katolike në kontinent.

Megjithëse Papa kishte deklaruar më herët se nuk i frikësohet administratës Trump, ai nuk ka bërë referenca të drejtpërdrejta ndaj presidentit apo SHBA-së gjatë ditëve të fundit. Nga ana tjetër, Trump ka vazhduar kritikat publike dhe ka bërë pretendime të pavërteta, përfshirë akuzën se Papa mbështet armatosjen bërthamore të Iranit.

Debati është zgjeruar edhe nga figura të tjera politike amerikane. Zëvendëspresidenti JD Vance ka vënë në pikëpyetje interpretimin e Papës mbi mësimet katolike për luftën, ndërsa Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, ka deklaruar se Papa “ka hyrë në ujëra politike”.

Edhe pse është e pazakontë që një Papë të komentojë drejtpërdrejt figura politike, Papa Leo e ka bërë këtë dy herë brenda një jave.

Më 18 prill, ai mbërriti në Luanda të Angolës për një vizitë tre-ditore, përpara se të vazhdojë drejt Guinesë Ekuatoriale, ku do të përmbyllë turneun e tij në Afrikë.

papa leo xiv donald trump

Lini një Përgjigje