Mesazhi për Putinin është shumë i qartë: ose prano të negociosh, ose do ta gjendesh përballë një Ukraine gjithnjë e më të padepërtueshme nga ajri, e mbështetur nga sanksione edhe më të rënda ekonomike.
Transferimi i 90 raketave amerikane Patriot nga magazinat izraelite në Ukrainë, nëpërmjet Polonisë, mund të ketë një domethënie më të madhe se sa thjesht ndihma ushtarake e radhës. Operacioni, i përfunduar në fund të janarit, duke përdorur avionët e tranmsportit C-17 të Forcave Ajrore të SHBA-së, është pjesë e një strategjie më të gjerë të presidentit amerikan Donald Trump për ta detyruar Putinin të negociojë nga një pozicion i pafavorshëm.
I njohur për taktikat e tij agresive gjatë negociatave, ish-biznesmeni duket se ka orkestruar një sërë lëvizjesh të koordinuara. Nga njëra anë, e kërcënon publikisht Moskën me sanksione dhe tarifa të reja, ndërsa nga ana tjetër, po forcon ndjeshëm aftësitë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.
Një qasje e “karotës dhe shkopit”, tipike për stilin e tij si sipërmarrës, por që këtë herë po zbatohet në një nivel gjeopolitik. Raketat Patriot, të pajtueshme me bateritë që janë tashmë në shërbim në Ukrainë, mund të krijojnë një lloj “ombrelle mbrojtëse” në territorin ukrainas, duke kufizuar shumë efektivitetin e sulmeve ajrore ruse.
Këto sisteme janë përgjues shumë të aftë të raketave sulmuese, të dërguara fillimisht në Izrael gjatë Luftës së Parë të Gjirit, dhe të çmontuara nga Forcat Ajrore izraelite në prillin e vitit 2023, pas më shumë se 30 vjet shërbimi.
Nuk është aspak rastësi që kjo dërgesë vjen pikërisht në kohën kur Trump i ka vendosur një ultimatum Putinit, duke e quajtur konfliktin një “luftë qesharake” dhe duke premtuar se do t’i bëjë Moskës një “favor të madh” duke e ndalur atë.
Koha e transferimit duket e përllogaritur në mënyrë strategjike. Në fillim Netanyahu, ishte ngurrues nga frika e hakmarrjes së Rusisë në formën e furnizimeve me armë të avancuara për Iranin. Më pas i dha dritën jeshile operacionit, vetëm pas negociatave shumë intensive me Uashingtonin.
Madje, kryeministri izraelit kishte refuzuar për javë të tëra që t’i përgjigjej kërkesës së Ukrainës për këtë çështje. Trump duket se e ka bindur Izraelin dhe Ukrainën që të bashkëpunojnë, duke treguar aftësitë e tij shumë të lavdëruara si një “marrëveshje-bërës”.
Mesazhi për Putinin është shumë i qartë: ose prano të negociosh, ose do ta gjendesh përballë një Ukraine gjithnjë e më të padepërtueshme nga ajri, e mbështetur nga sanksione edhe më të rënda ekonomike.
Një strategji, që të kujton teknikat e negociatave të përshkruara në librin e tij "Arti i marrëveshjes": krijimi i presionit ndaj kundërshtarit, duke rritur njëkohësisht edhe kostot e mosmarrëveshjes, si dhe përfitimet e një marrëveshjeje të mundshme.
Putin, që deklaron se është “gati” për dialog me Trump, duket se e ka marrë mesazhin. Udhëheqësi rus ka treguar tashmë kushtet e tij: njohjen e territoreve të aneksuara (Kerson, Zaporizhia, Donetsk dhe Luhansk) dhe tërheqjen e Ukrainës nga ideja e hyrjës në NATO.
Duke mbajtur një pozicion të fortë kundërshtues për lëshimin e territoreve, Zelensky la të hapur mundësinë një “zgjidhjeje të përkohshme”. Nga ana e tij Izraeli, u përpoq të minimizonte ndikimin diplomatik të operacionit, duke informuar paraprakisht Moskën, dhe duke theksuar se ishte vetëm një “rikthim” i raketave Patriot tek SHBA-ja.
Përveç interceptorëve, do të dërgohen gjithashtu në SHBA për rindërtim përpara dorëzimit përfundimtar në Ukrainë edhe radarët dhe pajisjet e tjera. Prandaj, lëvizja e raketave Patriot mund të jetë çelësi për të thyer ngërçin: duke i siguruar Ukrainës mbrojtje të fuqishme ajrore, Trump krijon kushtet për të negociuar nga një pozicion i forcës, por pa përshkallëzime të drejtpërdrejta ushtarake.
Një qasje, e cila mund ta lejojë Putin dhe Zelenskyn që të shpëtojnë fytyrën, duke i hapur rrugën një kompromisi. Nuk mund të përjashtohet mundësia, që krijimi i një zone de facto të ndalim-fluturimit mbi pjesë të territorit ukrainas, të shërbejë si bazë për diskutimet e ardhshme mbi çmilitarizimin e disa zonave të diskutueshme.
Mbetet të shihet nëse do të funksionojë strategjia “paqe përmes forcës”. Por një gjë është e sigurt: Trump po luan kartat e tij si një biznesmen veteran, duke u përpjekur ta kthejë një luftë, të cilën vetë ai e quan “qesharake” në atë që mund të jetë marrëveshja më e rëndësishme e presidencës së tij.
Lëvizja e raketave Patriot nga Izraeli në Ukrainë, mund të jetë vetëm hapi i parë në një plan më gjithëpërfshirës, për t’i ulur të gjitha palët në tryezën e negociatave./ Përshtati "Pamfleti" nga “Formiche.net”
Lini një Përgjigje