
Italia, luftë për arin dhe bankat: Fratelli d’Italia ndez përplasjen me sistemin financiar
Çfarë e lidh fushën e tensionuar të bankave në Itali, kontrollin mbi rezervat e arit të shtetit dhe axhendën ekonomike të qeverisë së Giorgia Melonit? Më shumë gjëra sesa duket.
Një "fill i kuq" politik dhe ideologjik i lidh të gjitha këto aspekte, që kanë shpërthyer publikisht pas vendimit të Fratelli d’Italia për të futur në Ligjin e Buxhetit një amendament të ri: deklarimin e arit si pronë e “popullit italian” dhe jo e Bankës së Italisë, e cila aktualisht ka në zotërim 2.452 ton ar.
Ky propozim nuk është thjesht një simbolikë populiste, është një mesazh politik ndaj bankave italiane, me të cilat qeveria është përfshirë në një përballje të heshtur por intensive.
Sipas një dosjeje të përgatitur nga grupi parlamentar i FdI, të publikuar paraprakisht nga ANSA, në Bankën e Italisë ka interesa të huaja që përbëjnë rrezik për sovranitetin kombëtar mbi rezervat e arit. Ky rrezik paraqitet në dy plane.
E para ka të bëjë me pronësinë e kapitalit të bankës qendrore: ndër 175 aksionarë, përmenden entitete të mëdha si Banca Nazionale del Lavoro (në pronësi të BNP Paribas) dhe Credit Agricole Italia, të dyja me nga 2.8% të kapitalit. Ndonëse pjesë të vogla, ato shihen nga qeveria si simbolikë e depërtimit të influencës së huaj në sistemin financiar italian.
Përfaqësues të shumtë të qeverisë Meloni, shpesh edhe mes rreshtash, kanë kritikuar fondet e huaja që zotërojnë pjesë të mëdha të bankave italiane, veçanërisht në rastin e Unicredit, ku janë të pranishëm gjigantë si BlackRock dhe Allianz.
Vitin e kaluar, zëvendëskryeministri Matteo Salvini u shpreh hapur: “Unicredit nuk ka më asgjë italiane – është bërë bankë e huaj.”
Deklaratë e kritikuar nga ekspertët për ngatërrimin midis pronësisë së kapitalit dhe selisë ligjore të kompanisë. Por sinjali politik ishte i qartë: shteti italian ka frikë se nuk po kontrollon më sistemin bankar të vet.
Ari si garanci për sovranitetin financiar
Në këtë kontekst, kontrolli mbi rezervat e arit shihet nga Fratelli d’Italia jo vetëm si çështje simbolike, por edhe si mburojë për financat publike. Partia e Melonit trembet se bankat “italiane” mund të bëhen gjithnjë e më shumë struktura evropiane, me fokus jashtë vendit, duke e lënë shtetin pa ndikim mbi stabilitetin financiar dhe mbi menaxhimin e borxhit publik.
Raste të mëparshme, si pengimi i bashkimit Unicredit–Banco BPM, apo përplasja për kontrollin e Mediobanca dhe Generali, tregojnë përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë për të ruajtur “sovranitetin ekonomik”.
Ironikisht, përpjekjet për të penguar ndërhyrjen e huaj kanë sjellë efekte të kundërta. Për shembull, ndërsa Roma bllokoi lëvizje të brendshme, nuk e ndaloi blerjen progresive të Banco BPM nga francezët e Credit Agricole, dhe pas përplasjes për Mediobanca, në skenë kanë hyrë sërish aktorë të mëdhenj si BlackRock, tashmë të pozicionuar edhe në Monte dei Paschi di Siena.
Një model qeverisjeje i bazuar në frikën e humbjes së kontrollit
Në tërësi, modeli i qeverisë Meloni ndaj financës italiane shfaqet shumë i përqendruar te koncepti i “kontrollit”: kontroll mbi kapitalin bankar, kontroll mbi rezervat strategjike si ari, kontroll mbi proceset e konsolidimit financiar. Një linjë që mbart frikën politike të humbjes së ndikimit në një sistem ku e djathta qeverisëse nuk ka rrënjë të thella.
Por, një sistem financiar nuk mund të menaxhohet vetëm me emocione dhe simbolikë. Veprime si ndërhyrja mbi pronësinë e arit, nëse nuk komunikohen me kujdes, mund të ngjallin frikë në tregje, të krijojnë pasiguri ligjore dhe të pengojnë rrugën drejt rikuperimit ekonomik dhe qasjes së Italisë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit. /Përshtati “Pamfleti” nga "Inside Over"
Lini një Përgjigje