
Erdogan nis "spastrimin politik", arrestohet një tjetër kryebashkiak i opozitës në Turqi!
Ajo që po ndodh sot në Turqi nuk është një fushatë kundër korrupsionit, por një operacion kirurgjikal për eliminimin politik të opozitës përmes arrestimeve dhe gjyqeve të motivuara politikisht.
Regjimi i presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan ka ndërmarrë një tjetër goditje ndaj opozitës së vendit, duke arrestuar këtë të shtunë kryetarin e bashkisë së distriktit Bayrampaşa në Stamboll, Hasan Mutlu, së bashku me 47 zyrtarë të tjerë lokalë, në kuadër të një hetimi për korrupsion.
Sipas raportimeve të transmetuesit shtetëror TRT Haber, Mutlu dhe bashkëpunëtorët e tij akuzohen për ryshfet, shpërdorim detyre, mashtrim dhe manipulim të tenderëve. Policia ka ndërmarrë bastisje në 72 lokacione në të gjithë distriktin, duke sekuestruar dokumente dhe materiale të dyshuara si prova.
Me ndalimin e Hasan Mutlu-t, kryebashkiak i distriktit Bayrampaşa në Stamboll, dhe arrestimin e mbi 47 zyrtarëve lokalë të tjerë, Recep Tayyip Erdoğan po shpalos versionin më të pastër të një autokracie që po shtrin duart mbi çdo cep të pushtetit lokal.
Arrestimet janë të mbështetura mbi akuza të zakonshme në regjime të këtij lloji: shpërdorim detyre, ryshfet, mashtrime, manipulim tenderësh. Por mesazhi është politik dhe brutal: “çdo zyrtar i Partisë Popullore Republikane (CHP) është i sulmueshëm dhe i zëvendësueshëm”. Këto nuk janë hetime, janë paralajmërime.
Në qendër të kësaj fushate ndodhet Ekrem İmamoğlu, kryetari i Bashkisë së Stambollit dhe aktualisht lider i opozitës turke. I arrestuar në mars, nën akuza për falsifikim diplome, një pretendim grotesk për një politikan me profil ndërkombëtar, ai përbën kërcënimin më të madh real për Erdoğan, jo vetëm në zgjedhjet e vitit 2028, por edhe në ndonjë skenar zgjedhjesh të parakohshme.
Erdoğan e di që pushteti i tij nuk garantohet më përmes votës së lirë, por përmes asgjësimit sistematik të çdo alternative reale. Dhe për këtë, ai po përdor shtetin. Gjykatat, policia, prokuroria, media publike, janë kthyer në armë politike. Duke e kthyer çdo kundërshtar në të dyshuar dhe çdo mbështetës të tyre në objekt frike.
Kjo është arsyeja pse arrestimi i Mutlu-t nuk është një rast i izoluar. Ai është vetëm hallka më e fundit e një zinxhiri që përfshin dhjetëra kryebashkiakë të CHP-së të arrestuar muajt e fundit, një gjyq civil në Ankara që kërkon të anullojë kongresin e opozitës (dhe të destabilizojë drejtimin e saj), dhe një klimë e përgjithshme pasigurie ligjore për të gjithë ata që guxojnë të sfidojnë regjimin.
Çfarë i trembet Erdoğan? Humbjes së qyteteve të mëdha. Në zgjedhjet lokale të fundit, CHP-ja jo vetëm që ruajti Stambollin dhe Ankaranë, por arriti të çajë edhe në bastione të AKP-së. Kjo është e papranueshme për një lider që e lidh legjitimitetin e tij me pushtetin absolut. Kështu që ai ka zgjedhur rrugën klasike të autokratëve: më mirë pa opozitë, sesa me një rrezik real në zgjedhje.
Në këtë kuadër, ndëshkimi i İmamoğlu-t dhe i figurave të tjera të opozitës nuk është çështje ligjore – është një projekt i mirëllogaritur i pastrimit të skenës politike për të garantuar mbijetesën e një lideri që nuk ka më as durimin dhe as besimin për të fituar përmes garës.
Turqia sot nuk po shkon drejt zgjedhjeve të lira, por drejt një "autokracie me vota të kontrolluara", ku pjesëmarrja është e lejuar vetëm nëse nuk sfidon pushtetin. Nëse gjyqet ndaj opozitës përshpejtohen dhe ndalimet vazhdojnë, atëherë zgjedhjet e 2028-ës mund të jenë vetëm një formalitet për një president që ka eliminuar çdo kundërshtar para kohe. /Pamfleti
Lini një Përgjigje