Pentagoni po zhvillon opsione ushtarake për një “goditje përfundimtare” ndaj Iranit, të cilat mund të përfshijnë si një fushatë të gjerë bombardimesh ashtu edhe përdorimin e forcave tokësore. Lajmi raportohet nga Axios, duke cituar zyrtarë amerikanë dhe burime të përfshira në diskutimet e brendshme.
Sipas këtyre burimeve, një përshkallëzim i tillë konsiderohet më i mundshëm nëse negociatat diplomatike nuk sjellin rezultate dhe sidomos nëse ngushtica strategjike e Hormuzit mbetet e bllokuar.
Disa zyrtarë në SHBA argumentojnë se një demonstrim i fuqishëm force mund të rrisë presionin në negociata ose t’i japë presidentit Donald Trump mundësinë të shpallë një rezultat politik si fitore. Megjithatë, burimet theksojnë se zhvillimi i konfliktit varet edhe nga reagimi i Iranit, ndërsa shumë nga skenarët mbartin rrezikun e zgjatjes së krizës dhe përshkallëzimit të mëtejshëm.
Sipas Axios, katër opsione kryesore janë në shqyrtim:
-ndërhyrje ose bllokadë në ishullin Kharg, qendra kryesore e eksporteve të naftës së Iranit
-ndërhyrje në ishullin Larak, që luan rol kyç në kontrollin e ngushticës së Hormuzit
-marrja e kontrollit të ishullit strategjik Abu Musa dhe dy ishujve më të vegjël, të kontestuar edhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe
-bllokimi ose sekuestrimi i anijeve që transportojnë naftë iraniane në lindje të ngushticës
Paralelisht, ushtria amerikane ka përgatitur edhe plane për operacione tokësore brenda territorit iranian, me qëllim sigurimin e materialeve bërthamore të pasuruara. Si alternativë, shqyrtohen edhe sulme ajrore në shkallë të gjerë kundër objekteve bërthamore.
Presidenti Trump nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar. Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë i përshkruajnë skenarët tokësorë si “hipotetikë”, por burime pranë administratës thonë se ai është i gatshëm të përshkallëzojë nëse nuk arrihet përparim në negociata.
Fillimisht, ai mund të urdhërojë bombardime ndaj infrastrukturës energjetike iraniane. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, paralajmëroi se presidenti është i gatshëm të godasë “më fort se kurrë” nëse nuk arrihet marrëveshje, duke theksuar se “presidenti nuk bën bllof”.
Në terren, SHBA po forcon praninë ushtarake në Lindjen e Mesme. Sipas burimeve, pritet dislokimi i skuadriljeve të reja ajrore dhe mijëra trupave, përfshirë njësi të marinsave dhe elementë të Divizionit të 82-të Ajror.
Nga ana tjetër, Irani shpreh mosbesim ndaj qëllimeve amerikane. Kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi se shërbimet e inteligjencës besojnë se kundërshtarët po përgatisin operacione për marrjen e një ishulli iranian, duke paralajmëruar për kundërpërgjigje ndaj çdo veprimi ushtarak.
Ndërkohë, përpjekjet diplomatike vazhdojnë. Sipas një burimi të cituar nga Axios, vende si Pakistani, Egjipti dhe Turqia po përpiqen të ndërmjetësojnë një takim mes palëve. Edhe pse Irani ka refuzuar disa nga kërkesat fillestare të SHBA-së, nuk ka përjashtuar plotësisht mundësinë e negociatave.
Lini një Përgjigje