TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota16 Qershor 2026, 14:55

BE përgatit rregulla të reja për anëtarët e rinj, komisionerja Kos: Do të ketë pasoja nëse s'ndjekin rregullat

Shkruar nga Pamfleti
BE përgatit rregulla të reja për anëtarët e rinj,
Marta Kos

Bashkimi Europian po punon për krijimin e mekanizmave të rinj që synojnë të garantojnë se vendet që do t’i bashkohen unionit në të ardhmen do të vazhdojnë të respektojnë rregullat edhe pas anëtarësimit dhe nuk do të përdorin të drejtën e vetos për të bllokuar proceset vendimmarrëse në BE.

Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi në një intervistë për POLITICO se Brukseli po harton një sistem të ri mbrojtës, i cili do të aktivizohet në rast se vendet e reja anëtare largohen nga reformat ose nuk zbatojnë më angazhimet e marra gjatë procesit të integrimit.

“Nëse shteti i ri anëtar do të ndjekë rregullat, nuk do të ndodhë asgjë. Nëse nuk do t’i ndjekë ato, masat mbrojtëse do të godasin fort dhe ky është sistemi që po ndërtojmë”, deklaroi Kos gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg.

Deklaratat e saj vijnë në një moment kyç për zgjerimin e Bashkimit Europian. BE-ja ka nisur raundin e parë të negociatave të detajuara me Ukrainën dhe Moldavinë, ndërsa Mali i Zi ka mbyllur edhe dy kapituj të tjerë negociues, duke iu afruar më shumë anëtarësimit.

Sipas komisioneres, Komisioni Europian po shqyrton disa propozime konkrete për forcimin e mbikëqyrjes ndaj vendeve të reja anëtare. Mes tyre përfshihen masa mbrojtëse dhe periudha tranzitore, gjatë të cilave disa të drejta që burojnë nga anëtarësimi nuk do të jepen menjëherë.

Ajo theksoi se Komisioni po konsultohet me shtetet anëtare që kanë shprehur shqetësime se zgjerimi mund të vështirësojë procesin e vendimmarrjes ose t’u japë mundësi qeverive të ardhshme të heqin dorë nga reformat pasi të sigurojnë anëtarësimin.

Franca, Gjermania dhe Holanda janë ndër vendet që prej kohësh kërkojnë që zgjerimi të shoqërohet me garanci të forta për respektimin afatgjatë të reformave dhe ruajtjen e ekuilibrave brenda Bashkimit Europian.

Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron mbështesin një model integrimi me faza. Sipas kësaj qasjeje, vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, mund t’u ofrohen përfitime ekonomike dhe politike përpara se të fitojnë statusin e anëtarit me të drejta të plota.

“Çfarë po shoh tani, ndryshimi i javëve të fundit, është se gjithnjë e më shumë liderë në shtetet tona anëtare po angazhohen dhe po sjellin ide. Shpresoj që së shpejti të mund të tregojmë më shumë, por ideja kryesore është se, bazuar në përvojat tona të mëparshme me disa prej vendeve anëtare, kemi pasur probleme sepse rregullat nuk janë ndjekur më”, tha Kos.

Në intervistë përmendet edhe rasti i Hungarisë, e cila nën drejtimin e kryeministrit Viktor Orban ka bllokuar disa vendime që kërkonin unanimitet në nivel europian, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë dhe mbështetjen për Ukrainën.

Përplasjet mes Brukselit dhe Budapestit kanë sjellë gjithashtu ngrirjen e më shumë se 10 miliardë eurove fonde europiane, për shkak të shqetësimeve lidhur me respektimin e standardeve demokratike dhe reformave në drejtësi.

Sipas diplomatëve europianë, pikërisht situata të tilla janë ato që Bashkimi Europian synon të shmangë në zgjerimet e ardhshme.

Muajin e kaluar, Mali i Zi, vend me rreth 600 mijë banorë, nisi përgatitjen e traktatit të anëtarësimit në BE, duke rritur pritshmëritë se mund të bëhet vendi i parë që i bashkohet unionit pas Kroacisë, e cila u anëtarësua në vitin 2013.

Kos u shpreh se traktati i Malit të Zi pritet të shërbejë si model për vendet e tjera kandidate.

“Ajo që do të jetë e re këtë herë dhe që do të ndodhë për herë të parë me traktatin e anëtarësimit të Malit të Zi, është mënyra se si do të garantohet që një vend, pasi bëhet anëtar i Bashkimit Europian, të vazhdojë t’i respektojë rregullat edhe pas pesë, dhjetë apo pesëmbëdhjetë vitesh”, deklaroi ajo.

Edhe kryeministri malazez Milojko Spajiç ka shprehur mbështetje për mekanizma të tillë, duke theksuar se Mali i Zi nuk do t’i kundërshtonte masat mbrojtëse nëse ato kontribuojnë në ruajtjen e besueshmërisë së procesit të zgjerimit dhe të besimit ndërmjet vendeve anëtare.

Megjithatë, Kos nënvizoi se zgjerimi do të vijojë të mbështetet te meritat dhe rezultatet konkrete të secilit vend kandidat.

Sipas saj, Ukraina dhe Moldavia kanë avancuar paralelisht deri më tani, por pas hapjes së të gjithë grupkapitujve negociues, ritmi i progresit mund të ndryshojë.

“Vendi që do të japë më shumë rezultate do të jetë në gjendje të ecë më shpejt”, tha komisionerja për Zgjerimin, duke theksuar se përparimi drejt anëtarësimit do të varet nga zbatimi i reformave dhe përmbushja e detyrimeve nga secili kandidat.

Lini një Përgjigje