
Gjermania ka arritur një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për blerjen dhe stacionimin e raketave amerikane Tomahawk në territorin e saj. Lajmi u bë i ditur nga kancelari Friedrich Merz, i cili e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm për forcimin e mbrojtjes së vendit.
Teksa ka folur sot në Bundestag, pas kthimit nga samiti i NATO-s, Merz tha se marrëveshja me Uashingtonin synon të mbyllë një boshllëk strategjik në kapacitetet mbrojtëse të Gjermanisë.
"Në margjinat e samitit të NATO-s ramë dakord me qeverinë amerikane që raketat Tomahawk të blihen nga ne dhe të stacionohen në Gjermani. Me këtë po mbyllim një boshllëk të rëndësishëm strategjik në mbrojtjen tonë. Në të njëjtën kohë do të punojmë për zhvillimin e sistemeve tona evropiane dhe vendosjen e tyre në Evropë", deklaroi Merz.
Kancelari gjerman vlerësoi edhe rezultatet e samitit të NATO-s, duke theksuar se ato "tejkaluan të gjitha pritjet", ndërsa shtoi se aleanca ka treguar se mbetet "e bashkuar, e fortë dhe me vetëbesim".
Në fjalimin e tij para deputetëve, Merz theksoi se objektivi i qeverisë është që Gjermania të bëhet më pak e cenueshme ndaj kërcënimeve dhe shantazhit, duke forcuar aftësitë e saj mbrojtëse dhe duke garantuar sigurinë e mënyrës së lirë të jetesës.
Ai përmendi gjithashtu marrëveshjen për shitjen e nëndetëseve të kompanisë gjermane TKMS në Kanada, duke e cilësuar atë si kontratën më të madhe ushtarake në historinë moderne të Gjermanisë.
"NATO është dhe mbetet një aleancë transatlantike. Por ne, si evropianë, e kemi kuptuar se nuk mund ta delegojmë thjesht sigurinë tonë", u shpreh Merz.
Lini një Përgjigje