Ky është realiteti brutal i asaj që po ndodh në centralin më të madh bërthamor në Evropë
Ruslan Lavryk punonte si inxhinier radioje në centralin më të madh bërthamor të Evropës kur Rusia nisi pushtimin e saj të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Brenda pak ditësh, forcat ruse kishin marrë nën kontroll Centralin Bërthamor të Zaporizhzhias në jug të Ukrainës, duke vendosur trupa dhe artileri dhe duke e kthyer centralin në vijën e frontit, ku ai u bë një simbol kyç i ambicieve të rrezikshme dhe të pamatura të Vladimir Putinit. Lavryk, 55 vjeç, u detyrua nën kërcënimin e armëve të nënshkruante një kontratë ku premtonte të punonte me autoritetin shtetëror bërthamor të Rusisë. Më pas, në qershor të vitit 2024, ai u mor peng.
“Tetë oficerë të armatosur të Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB) hynë me forcë në shtëpinë tonë familjare”, tha djali i tij, Vladyslav, për The i Paper.
Në rrëfimin e tij ai u shpreh se “ata e rrahën babanë tim dhe kontrolluan shtëpinë. E rrëmbyen. Për një kohë të gjatë nuk kishim asnjë informacion për vendndodhjen dhe fatin e tij. Vetëm pas një muaji mësuam të paktën se ishte gjallë.”

Fillimisht, Lavryk u mbajt në një dhomë torturash në bodrumin e një ndërtese të FSB-së në Enerhodar, qyteti ku ndodhet centrali bërthamor. Paraburgimi i tij u zgjat për gjashtë muaj me akuza të dyshimta, përfshirë shkeljen e orës policore.
“Gjatë gjithë kësaj kohe babai im u mbajt në burgje, bodrume dhe qendra torturash. Ai u rrah, u torturua me energji elektrike, u mbajt i uritur dhe u abuzua fizikisht dhe psikologjikisht. Qëllimi ishte ta detyronin të nënshkruante dokumente ku pranonte fajësinë për krime që nuk i kishte kryer. Kur ai refuzonte, i vendosnin një qese plastike mbi kokë ndërsa e rrihnin”, tha Vladyslav, 27 vjeç, duke folur nga Ukraina perëndimore.
Vladyslav tha se shëndeti i babait të tij u përkeqësua ndjeshëm. “Ne e dimë se abuzimet ishin aq të rënda sa administrata e qendrës u detyrua të thërriste disa herë ambulancën për ta mbajtur gjallë. Mjekët këmbëngulën se ai kishte nevojë për shtrim urgjent në spital, por kjo u injorua. Atij iu mohua ndihma mjekësore çdo herë.”

Abuzime sistematike në Zaporizhzhia
Në Ukrainën e kontrolluar nga Rusia, përvoja e Lavryk nuk është aspak e pazakontë. Në Zaporizhzhia, ukrainasit, veçanërisht punonjësit e centralit bërthamor, shpesh bëhen objekt persekutimi nga forcat pushtuese. Zera Kozlyieva, drejtoreshë ligjore në platformën investigative ukrainase Truth Hounds, tha se këta janë njerëz të veçantë me ekspertizë specifike për çështjet bërthamore.
“Administrata e pushtimit rus ka nevojë për ekspertizën e tyre dhe për këtë arsye i detyron të bashkëpunojnë. Shumë nuk pranuan, ndaj u torturuan nga përfaqësues të ndryshëm të kësaj administrate dhe nga ushtarë rusë”, shprehet ajo.
Pas pushtimit të rajonit, operatori shtetëror bërthamor i Ukrainës, Enerhoatom, kërkoi që një numër minimal punonjësish të qëndronin në central për të garantuar sigurinë e tij. “Babai im pranoi të qëndronte”, tha Vladyslav, duke shtuar “megjithë rrezikun. Sepse ndiente përgjegjësi për punën e tij, për vendin e tij dhe për sigurinë bërthamore globale.”

Sot centrali operohet nga Rosatom, korporata shtetërore bërthamore e Moskës. Punonjësit ukrainas që refuzojnë të bashkëpunojnë ose të nënshkruajnë kontrata me Rosatom janë përballur me tortura, arrestime arbitrare dhe zhdukje të detyruara. Sipas një raporti të vitit 2025 nga Truth Hounds, të paktën 78 punonjës të centralit janë mes 226 banorëve të Enerhodarit që janë ndaluar në të paktën shtatë qendra paraburgimi në zonë. Aktualisht, sipas familjeve të tyre, 35 pengje, përfshirë 14 punonjës të centralit, besohet se mbahen ende atje.
“Ne dimë për shumë raste kur punonjësit bërthamorë u thyen psikologjikisht dhe fizikisht për t’i detyruar të nënshkruanin kontratë me Rosatom”, tha për The i Paper kryetari i qytetit në mërgim, Dmytro Orlov, duke shtuar “disa u arrestuan për shkak të fotografive në telefonat e tyre. Disa për shkak të flamurit ukrainas. Disa thjesht rastësisht. Shumë prej tyre nuk u thanë kurrë pse po mbaheshin.”

Të burgosurit dërgoheshin në qendra ndalimi dhe marrjeje në pyetje në Enerhodar, përfshirë stacionin e policisë, një objekt të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU), si dhe zyra dhe bodrume brenda ndërtesave administrative të centralit.
Marrjet në pyetje kryheshin nga oficerë të FSB-së dhe personel ushtarak rus, ndonjëherë të shoqëruar nga përfaqësues të Rosatom. Raporti i Truth Hounds zbulon shkallën e brutalitetit nën administrimin rus në Ukrainë.
Të ndaluarit tregojnë se janë detyruar të qëndrojnë në dhoma të mbipopulluara dhe të papastra, ndonjëherë në bodrume pa dritare ose në kafaze xhami, pa ushqim, ujë dhe ndihmë mjekësore – në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Disa kujtojnë kërcënime për përdhunim dhe vdekje, ndaj tyre ose ndaj familjarëve të tyre. Shumë janë rrahur me shkopinj dhe kabllo, janë detyruar të zhvishen, janë mbytur, ose janë asfiksuar me gaz. Disa janë qëlluar në pjesë të ndryshme të trupit.
Janë dokumentuar dy raste ku forcat ruse detyruan të burgosur meshkuj ukrainas të përdhunonin gra të ndaluara. Janë regjistruar gjashtë vdekje, por besohet se mund të ketë edhe më shumë.
Një raport i OKB-së në shtatorin e kaluar zbuloi se tortura dhe forma të tjera trajtimi mizor, çnjerëzor ose degradues, përfshirë dhunën seksuale, janë përdorur në mënyrë sistematike kundër civilëve në Ukrainën e pushtuar.
Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut dokumentoi 161 objekte ku mbahen civilë ukrainas në territoret e pushtuara dhe në Rusi, si dhe 42 vende jozyrtare, përfshirë shtëpi private, bodrume dhe garazhe. Shumë familje nuk e dinë ende nëse të afërmit e tyre janë gjallë, në çfarë kushtesh mbahen dhe nëse do të kthehen ndonjëherë në shtëpi, tha Orlov.
“Për shumë prej tyre, pothuajse asgjë nuk dihet prej disa vitesh”, shtoi ai.

Ukrainasit detyrohen të shfaqen në video propagandistike
Disa punonjës nga Zaporizhzhia janë detyruar të shfaqen në video propagandistike. Nataliia Shulha, një inxhiniere 57-vjeçare në sektorin e automatizimit termik dhe matjeve, u rrëmbye në korrik 2024 pasi refuzoi të nënshkruante një kontratë të re me Rosatom. Ajo u dënua vitin e kaluar nga një gjykatë e administratës së pushtimit me 15 vjet burg, për bashkëpunim të pretenduar me inteligjencën ukrainase, pasi në një video të inskenuar ajo shfaqej duke vendosur eksploziv në një shtyllë elektrike. Vajza e saj, Polina Oleksiyivna Senkova, tha se akuza ishte absurde dhe se nëna e saj ishte “shumë e pjekur për t’u përfshirë në diçka kaq të pamatur”. Familja nuk është lejuar ta takojë që nga arrestimi.
“Ajo tani është një grua në moshë dhe burgimi ka ndikuar seriozisht në shëndetin e saj”, tha Senkova për The i Paper, duke shtuar “e gjithë familja i dërgon ilaçe, por pa kujdes të duhur mjekësor dhe mbikëqyrje gjendja e saj mund të përkeqësohet.”

Strategjia ruse për kontroll total
Lavryk dhe Shulha janë vetëm dy nga miliona ukrainas që jetojnë nën administrimin e rreptë rus. Sipas Jade McGlynn, studiuese në Departamentin e Studimeve të Luftës në King’s College London, pushtimi është shndërruar në një regjim të centralizuar dhe të militarizuar. “Tipari përcaktues është kërkimi i kontrollit total pa marrë parasysh ligjin. Ligjshmëria ekziston vetëm si fasadë. Njerëzit arrestohen, zhduken ose ndëshkohen jashtë çdo procedure ligjore, me pandëshkueshmëri të plotë”, shprehet ajo.
Institucionet ukrainase janë shpërbërë dhe janë zëvendësuar me struktura ruse. Banorët duhet të kenë pasaportë ruse për të pasur qasje në shëndetësi, punë dhe pronë. Pothuajse i gjithë trafiku i internetit monitorohet nga FSB. Enerhodari, një qytet që dikur kishte 53 mijë banorë, sot ka jo më shumë se 13 mijë, sipas Orlov. “Rrugët janë pothuajse bosh. Të gjithë shmangin kontaktin me ushtarët sepse e dinë se mund të ketë pasoja të këqija.”
Në qytet ka mungesë të ilaçeve dhe prioritet u jepet personelit ushtarak rus. Ndërkohë telefonat mund të kontrollohen në çdo kohë në rrugë ose në vendin e punës. Në centralin bërthamor, Rusia ka vendosur sisteme artilerie dhe raketahedhëse, pavarësisht se ligji ndërkombëtar ndalon operacionet ushtarake pranë objekteve bërthamore. Edhe pse gjashtë reaktorët janë të fikur dhe nuk prodhojnë energji, një goditje me raketë mund të shkaktojë një katastrofë bërthamore për Evropën, madje edhe për botën.

Dënimi i Lavryk
Pas muajsh torturash, Lavryk nënshkroi një rrëfim për “tradhti të lartë”, një akuzë që përfshin spiunazh ose ndihmë ndaj një shteti të huaj nga një shtetas rus. Sipas dokumentit, ai kishte dhuruar para për forcat e armatosura ukrainase dhe kishte spiunuar për Ukrainën. Vladyslav e quajti akuzën “absurde dhe mizore”. “Mund të them me siguri se babai im nuk e tradhtoi atdheun e tij, Ukrainën.”
Më 24 shtator 2025, në ditëlindjen e tij të 55-të, Lavryk u transferua në Krimenë e pushtuar nga Rusia dhe u dënua me 16 vjet burg në një burg të sigurisë së lartë. Ai mbahet në qendrën e paraburgimit nr. 2 në Simferopol, e njohur për rolin e saj në fushatën e terrorit të Rusisë në gadishullin e aneksuar.
Bashkimi Evropian ka vendosur së fundmi sanksione ndaj drejtuesve të sistemit penitenciar të Krimesë për shkelje sistematike të të drejtave të njeriut, përfshirë keqtrajtimin dhe mohimin e kujdesit mjekësor për të burgosurit politikë.
Vladyslav komunikon rrallë me babanë e tij. Atij i janë mohuar ilaçet për tensionin e lartë dhe problemet e zemrës, ndërsa ankohet për migrenë të fortë dhe humbje dëgjimi pas një tronditjeje në kokë nga rrahjet.

Së fundmi, Vladyslav u bashkua me familjarë të tjerë të të ndaluarve në një vizitë në Vjenë, ku i kërkuan drejtorit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Rafael Grossi, të ushtrojë presion ndaj Vladimir Putinit për lirimin e të afërmve të tyre. Fushata mbështetet nga një peticion i Association of Relatives of Kremlin Political Prisoners, Legal Action Worldwide dhe Truth Hounds.
Vladyslav shpreson që babai i tij, të cilin nuk e ka parë prej katër vitesh, të lirohet në një shkëmbim të burgosurish. “Ukrainasit po paguajnë një çmim shumë të lartë. Po paguajmë me jetët dhe lirinë tonë dhe Ukraina ka nevojë për ndihmë nga jashtë për të ndalur konfliktin. Unë dua të njëjtat gjëra të thjeshta që duan të gjithë: të shoh familjen time të gjallë dhe të shëndetshme, të ulur bashkë në shtëpi në mbrëmje. Për mua dhe për miliona ukrainas, kjo ende duket e paarritshme”, tha ai. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje