TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Tetor 2025, 21:06

Catherine Connolly fiton zgjedhjet presidenciale në Irlandë

Shkruar nga Pamfleti

Catherine Connolly fiton zgjedhjet presidenciale në Irlandë

E majta irlandeze ka shënuar një fitore historike. Kandidatja Catherine Connolly ka fituar zgjedhjet presidenciale me një diferencë të thellë, duke marrë rreth 64% të votave pas numërimit të dy të tretave të fletëve të votimit. Rivalja e saj, Heather Humphreys nga partia qeverisëse Fine Gael, pranoi humbjen të shtunën pasdite, pasi rezultati u bë i pakthyeshëm.

Catherine do të jetë presidente për të gjithë ne, dhe do të jetë edhe presidentja ime. I uroj gjithë të mirat”, deklaroi Humphreys pas rezultatit.

Connolly, 68 vjeçe, arriti të tërheqë votuesit e rinj dhe u mbështet nga një aleancë e gjerë partish të majta opozitare. Fitorja e saj shihet si një mesazh i qartë kundër qeverisë qendër–djathtas, në një kohë kur kriza e strehimit dhe rritja e kostos së jetesës kanë shkaktuar pakënaqësi të gjerë.

Sipas vlerësimeve të para, Humphreys arriti vetëm 29% të votave, ndërsa kandidati i Fianna Fáil, Jim Gavin, i cili u tërhoq në fund të fushatës, mori rreth 7%. Votat e pavlefshme arritën në 13%, një rekord historik që tregon zhgënjimin e elektoratit me ofertën politike. Pjesëmarrja në votime ishte rreth 40% e 3.6 milionë votuesve me të drejtë vote.

Në fjalimin e parë pas fitores, Connolly u shpreh e emocionuar: “Faleminderit të gjithëve, edhe atyre që nuk votuan për mua. I kuptoj shqetësimet e tyre për përfaqësimin dhe do të punoj për të gjithë.

Fitorja e saj është parë si një shuplakë politike ndaj qeverisë aktuale, pasi Connolly arriti të fitojë edhe në bastionet e Fine Gael, përfshirë jugun e Dublinit. Analistët thonë se kjo fitore është produkt i pakënaqësisë popullore, i bashkimit të partive të majta dhe i një fushate të zgjuar në rrjetet sociale që e shndërroi Connolly-n në simbol të ndryshimit.

Lini një Përgjigje