
Në 24 orët e fundit, një numër i madh fisnesh arabe nga krahinat përreth janë mobilizuar drejt provincës së Suvejdas për të mbrojtur komunitetin beduin, duke e përshkallëzuar më tej tensionin...
Presidenca siriane ka njoftuar krijimin e një task-force të posaçme për të ndalur përplasjet e dhunshme që kanë përfshirë qytetin me shumicë druzi të Suvejdas në jug të vendit. Dhuna, e cila ka zgjatur gati një javë, ka marrë karakter sektar dhe ka rrezikuar të destabilizojë më tej rajonin.
Në deklaratën zyrtare, presidenca i bëri thirrje të gjitha palëve për vetëpërmbajtje dhe theksoi se po ndërmerren përpjekje intensive për të ndaluar përleshjet dhe për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve dhe stabilitetin shoqëror. Situata në Suvejda u përkeqësua ndjeshëm pas akuzave të Izraelit ndaj forcave qeveritare siriane për kryerjen e një masakre ndaj komunitetit druzi.

Si reagim, Izraeli ndërmori sulme ajrore ndaj pozicioneve të ushtrisë siriane, duke vrarë qindra ushtarë dhe, fatkeqësisht, edhe civilë. Pas këtij përshkallëzimi, të shtunën në mëngjes u konfirmua një armëpushim nga i dërguari i posaçëm amerikan për Sirinë, Tom Barrack. Ai deklaroi se presidenti sirian Ahmed al-Sharaa dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kishin rënë dakord për një armëpushim, i cili u mbështet edhe nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Ky marrëveshje u mirëprit dhe u përkrah nga Turqia, Jordania dhe disa vende të tjera fqinje. Përfaqësuesi amerikan bëri thirrje që fraksionet druzi, beduine dhe suni të ulin armët dhe të kontribuojnë për paqen. Më vonë, presidenca siriane konfirmoi zyrtarisht hyrjen në fuqi të një armëpushimi të menjëhershëm dhe gjithëpërfshirës në zonën e Suvejdas.
Në 24 orët e fundit, një numër i madh fisnesh arabe nga krahinat përreth janë mobilizuar drejt provincës së Suvejdas për të mbrojtur komunitetin beduin, duke e përshkallëzuar më tej tensionin. Mijëra persona u mblodhën në periferi të qytetit pas një dite me përleshje të dhunshme. “Kemi ardhur të mbrojmë gratë dhe fëmijët beduinë që po terrorizohen nga druzët”, thanë disa nga të pranishmit.
Sipas burimeve ndërkombëtare, numri i viktimave ka kaluar shifrën e 900 të vrarëve dhe mbi 80,000 persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Spitalet në Suvejda janë përballur me tejmbushje dhe mungesë të pajisjeve, ndërsa organizatat ndërkombëtare kërkojnë akses të menjëhershëm humanitar për të ndihmuar civilët.
Megjithëse armëpushimi aktual është një hap pozitiv drejt qetësimit të situatës, ai mbetet i brishtë dhe nuk përjashton mundësinë e një shpërthimi të ri të dhunës në mungesë të një zgjidhjeje të qëndrueshme politike dhe etnike. /Sky News
Lini një Përgjigje