TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Mars 2026, 11:06

“Durimi nuk është i pakufizuar”/ Arabia Saudite paralajmëron nisjen e sulmeve ndaj Iranit

Shkruar nga Pamfleti
“Durimi nuk është i pakufizuar”/ Arabia Saudite
Princi Faisal bin Farhan Al Saud paraljmëron Iranin

Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Princi Faisal bin Farhan Al Saud, paralajmëroi Iranin se toleranca ndaj sulmeve kundër mbretërisë dhe vendeve të tjera të Gjirit është e kufizuar, duke i bërë thirrje Teheranit të “rishqyrtojë menjëherë” strategjinë e tij.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur të enjten, ai theksoi se Arabia Saudite dhe aleatët e saj në rajon disponojnë “kapacitete dhe aftësi shumë të konsiderueshme”, të cilat mund të përdoren nëse vendosin të veprojnë.

Sipas tij, saktësia e sulmeve ndaj objektivave në Arabinë Saudite dhe vendet fqinje tregon se ato janë “të paramenduara, të planifikuara dhe të organizuara me kujdes”, pavarësisht mohimeve nga ana e diplomacisë iraniane.

Ministri saudit shmangu të përcaktojë se cilat veprime do të çonin në një përgjigje ushtarake, por theksoi se “durimi nuk është i pakufizuar”.

“Është e rëndësishme që Irani ta kuptojë se mbretëria dhe partnerët e saj kanë aftësi të konsiderueshme që mund t’i përdorin nëse e gjykojnë të nevojshme”, deklaroi ai, duke shtuar se nuk do të sinjalizojë publikisht afatet apo kushtet e një reagimi.

Deklaratat e tij pasuan një takim të ministrave të jashtëm të vendeve arabe dhe islame në Riad, ku u diskutua për përshkallëzimin e konfliktit në rajon. Një ditë më parë, Irani goditi objekte energjetike në Gjirin Persik, përfshirë impiantin e gazit Ras Laffan në Katar dhe një strukturë në Habshan të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ministria e Jashtme e Katarit dënoi ashpër sulmin ndaj qytetit industrial Ras Laffan, një nga qendrat më të mëdha në botë për prodhimin e gazit natyror të lëngshëm (LNG), që përbën rreth 20 për qind të furnizimit global.

Ndërkohë, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit kishin paralajmëruar më herët se objektet e naftës dhe gazit në Katar, Arabinë Saudite dhe Emiratet do të ishin objekt hakmarrjeje pas një sulmi izraelit ndaj fushës së gazit South Pars në Iran.

Autoritetet saudite njoftuan se mbrojtja ajrore ka interceptuar katër raketa balistike iraniane të drejtuara drejt Riadit dhe dy të tjera drejt rajonit lindor. Emiratet e Bashkuara Arabe raportuan se kanë neutralizuar 13 raketa balistike dhe 27 dronë, ndërsa aktiviteti në impiantin e gazit në Habshan u pezullua përkohësisht pas incidenteve me mbetje raketash.

Princi Faisal deklaroi gjithashtu se, edhe pse lufta do të përfundojë një ditë, rikthimi i besimit me Iranin do të kërkojë kohë të gjatë, pasi, sipas tij, besimi është “shkatërruar plotësisht”.

Ai shtoi se strategjia e Iranit për të goditur fqinjët është ndërtuar prej vitesh dhe nuk përbën reagim të momentit ndaj zhvillimeve aktuale.

“Nëse Irani nuk ndalon menjëherë, do të jetë shumë e vështirë të rindërtohet besimi në të ardhmen”, përfundoi ministri saudit.

arabisë saudite paralajmëron nisen e sulmeve ndaj iranit

Lini një Përgjigje