Në Ekuador janë gjetur 6.23 ton kokainë të fshehur në një ngarkesë me banane. Siç raportohet, qentë nuhatën prezencën e lëndës narkotike, duke sinjalizuar policinë që të kryente kontroll.
U sekuestruan 5630 pako të mbushura me kokainë. Bëhet me dije se dërgesa ishte e destinuar për në Gjermani dhe vlerësohet në shifrën 224 milion dollarë nëse do të arrinte destinacionin e saj.
Ndërkohë sipas zyrës së prokurorit të përgjithshëm, u arrestuan pesë persona. Policia tha se kishte gjetur sasinë masive të kokainës gjatë një inspektimi rutinë të kontejnerit të ruajtur në portin Posorja në jug-perëndim të qytetit më të madh të Ekuadorit, Guayaquil. Pakot e kokainës ishin fshehur nën arka me banane të destinuara për eksport.
Një nga të arrestuarit ishte një përfaqësues i kompanisë së eksportit përgjegjës për dërgesën, për të cilin prokurorët thanë se kishte qenë i pranishëm në inspektim dhe u dhanë zyrtarëve emrat e katër të dyshuarve të tjerë. Mes tyre janë drejtuesit e plantacionit të bananeve ku dyshohet se kokaina i është shtuar ngarkesës së frutave, si dhe shoferi që çoi kontejnerin në port.
Ekuadori është bërë një vend kryesor tranziti për kokainën e prodhuar në Perunë dhe Kolumbinë fqinje, me bandat kriminale transnacionale që përdorin portet e Ekuadorit për të transportuar drogën në Evropë dhe SHBA. Vitin e kaluar, forcat e sigurisë ekuadoriane kapën më shumë se 200 ton drogë, shumica e të cilave ishte kokainë.
Lini një Përgjigje