Ushtria izraelite nisi në agim sulme të reja ndaj Teheranit dhe Bejrutit dhe lëshoi paralajmërime për evakuim në disa zona të Libanit jugor.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Riad u godit nga dy dronë, ndërsa mediat shtetërore iraniane raportuan se një ndërtesë komande dhe stafi në një bazë ajrore amerikane në Bahrein janë shkatërruar. Sipas të dhënave paraprake, gjashtë persona kanë humbur jetën dhe 18 të tjerë janë plagosur.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi për NeësNation se SHBA-të do të kundërpërgjigjen “së shpejti” për sulmin ndaj ambasadës dhe për vdekjen e personelit amerikan. Në një postim në platformën Truth Social, ai komentoi mbi rezervat amerikane të municioneve të “nivelit mesatar dhe mesatar të lartë”, duke theksuar se vendi disponon furnizime të mjaftueshme për një konflikt të zgjatur. Trump kritikoi gjithashtu ish-presidentin Joe Biden për dërgimin e armëve të avancuara në Ukrainë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se “goditjet më të rënda” ndaj Iranit “nuk kanë ndodhur ende” dhe shtoi se nuk do të bëjë publike detaje mbi planet taktike të SHBA-së.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, mbrojti veprimet ushtarake ndaj Iranit, duke argumentuar se programi bërthamor i Teheranit do të ishte bërë i paprekshëm brenda disa muajsh pa ndërhyrjen izraelite. Sipas tij, ndërhyrja ishte e domosdoshme për të parandaluar një situatë të pakthyeshme.
Pallati historik Golestan në Teheran, i përfshirë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, pësoi dëmtime pas sulmeve të përbashkëta amerikano-izraelite. UNESCO shprehu shqetësim për sigurinë e objekteve të trashëgimisë kulturore.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) njoftuan se kanë vënë në shënjestër kompleksin e transmetuesit shtetëror iranian IRIB, duke e cilësuar atë si pjesë të infrastrukturës së propagandës së Gardës Revolucionare Islamike.
Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje qytetarëve amerikanë në Lindjen e Mesme që të largohen menjëherë nga rajoni. Paralajmërimi përfshin Bahreinin, Egjiptin, Iranin, Irakun, Izraelin, Bregun Perëndimor, Gazën, Jordaninë, Kuvajtin, Libanin, Omanin, Katarin, Arabinë Saudite, Sirinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jemenin.
Përshkallëzimi vjen pasi Trump deklaroi se vendimi për të nisur luftë kundër Iranit përbënte “mundësinë e fundit dhe më të mirë” për të ndalur regjimin në Teheran. SHBA-të dhe Izraeli goditën Iranin të shtunën, duke vrarë Udhëheqësin Suprem, Ajatollah Ali Khamenei. Që prej asaj kohe, Izraeli ka vijuar sulmet ndaj kryeqytetit iranian.
Izraeli ka ndërmarrë gjithashtu sulme ndaj objektivave që i cilëson si të lidhura me Hezbollahun në Liban dhe ka deklaruar se operacionet do të vazhdojnë deri në eliminimin e plotë të kërcënimit. Sipas burimeve zyrtare libaneze, 52 persona kanë humbur jetën nga sulmet izraelite, ndërsa qindra banorë të Bejrutit janë zhvendosur në strehimore për shkak të bombardimeve
Lini një Përgjigje