
Të mos lindësh fëmijë, do të thotë të shfarosësh veten...
“Një fantazmë po endet mbi Evropë”, shkruanin dikur Marksi dhe Engelsi. Sot, nëse vazhdohet kështu, nuk do të mbetet as fantazma. Evropa është përfshirë nga një krizë demografike që po përshpejtohet nga viti në vit. Të dhënat më të fundit të Eurostat konfirmojnë se norma e lindshmërisë në kontinentin tonë ra në 1.38 fëmijë për grua në vitin 2023 dhe ka gjasa që në 2024 të ketë rënë edhe më tej. Që nga viti 2012, numri i vdekjeve ka kaluar lindjet dhe për pasojë, popullsia e Evropës po zvogëlohet me ritme të frikshme.
Ky fenomen sjell pasoja të menjëhershme ekonomike dhe shoqërore: bizneset e kanë gjithnjë e më të vështirë të gjejnë punonjës për të zëvendësuar ata që dalin në pension, ndërkohë që shtetet po përballen me presion të madh financiar mbi sistemet e pensioneve, edhe për shkak të zgjatjes së jetëgjatësisë. Por problemi nuk është vetëm financiar. Pa një brez të ri, mungojnë ata që do të kujdesen për të moshuarit, dhe zbrazja demografike kthehet në krizë shoqërore me përmasa të reja.

Projekti i fundit i Eurostat, i publikuar në The Guardian, paralajmëron se në mungesë të emigracionit, popullsia e BE-së do të bjerë nga 447 milionë në vetëm 295 milionë deri në vitin 2100, një rënie katastrofike me 34 përqind. Politikat publike për nxitjen e lindshmërisë, të zbatuara në vende si Suedia apo Franca, kanë treguar efekt shumë të kufizuar. Në rastin më të mirë, një rritje e shpenzimeve publike me 1% të PBB-së sjell një rritje fare të lehtë të lindshmërisë me 0.1, shumë larg nivelit 2.1 që do stabilizonte popullsinë.
Në mënyrë paradoksale, Suedia është shembulli më i mirë i këtij dështimi: megjithë mbështetjen e gjerë financiare për familjet, norma e lindshmërisë atje në vitin 2024 ishte vetëm 1.43. Kjo nuk do të thotë se politikat familjare nuk duhen zbatuar, përkundrazi, ato janë të domosdoshme për të mos rënë nën pragun kritik të 1.5, nën të cilin vendet bien në “kurthin demografik”, ku mungesa e prindërve potencialë i bën të pavlefshme çdo përpjekje për rritje lindshmërie. Por realiteti është se vetëm politika nataliteti nuk mjaftojnë. Pa emigracion, Evropa nuk mbijeton.
Këtu qëndron një nga dështimet më të mëdha politike të BE-së. Përveç disa përjashtimeve, kontinentit i mungon një politikë e përbashkët migracioni që të garantojë flukse të rregullta, të mjaftueshme dhe të integrueshme. Aktualisht, emigracioni në Evropë është i pamjaftueshëm, i parregullt dhe shpesh i pasuksesshëm në integrim. Tragjeditë e përditshme në Mesdhe janë pasqyra e këtij dështimi, ndërsa emigrantët që ia dalin shpesh përballen me varfëri, papunësi dhe përjashtim shoqëror.
Italia është një shembull ilustrues. Në vitin 2023, vendi përjetoi një valë rekord zbarkimesh që u zbut disi në 2024-25 falë marrëveshjeve të qeverisë Meloni me vendet e Afrikës së Veriut. Por këto marrëveshje janë të brishta, sepse vendet afrikane nuk kanë asnjë interes të ndalojnë plotësisht flukset e parregullta, ato shërbejnë si mjet presioni ndaj Brukselit për ndihma financiare dhe koncesione të tjera. Ndërkohë, numri i emigrantëve të rregullt është ende shumë i ulët për të balancuar rënien demografike. Edhe pse qeveria Meloni rriti lejet e punës nga 30 mijë në 160 mijë në vitin 2025, sërish për të ruajtur ekuilibrin midis punëtorëve dhe pensionistëve duhen të paktën 350 mijë emigrantë në vit.
Zgjidhja është e qartë: krijimi i kanaleve të rregullta dhe të kontrolluara për migracionin ekonomik, i shoqëruar me politika të forta integrimi dhe formimi. Kjo përfshin krijimin e qendrave rekrutimi dhe trajnimi në vendet e origjinës, mësim të gjuhës dhe orientim kulturor për emigrantët, dhe ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm bashkëjetese dhe bashkëpunimi me komunitetet pritëse. Një model që tashmë e zbatojnë me sukses vende si Spanja, e cila ka përfituar nga migracioni nga Amerika Latine, ku gjuha dhe kultura janë të përbashkëta.
Nuk duhet harruar se rritja e produktivitetit mund të zbusë pjesërisht krizën. Më pak punëtorë mund të prodhojnë më shumë nëse janë më të kualifikuar, më të pajisur dhe më efikas. Por kjo nuk është zgjidhje e vetme, siç tregojnë edhe parashikimet afatgjata të financave publike në shumë vende anëtare. Pa një strategji të qartë për emigracionin e rregullt dhe të integruar, Evropa do të vazhdojë të plaket, të tkurret dhe të humbasë peshën e saj në botë.
Në këtë betejë për mbijetesë, çështja nuk është më nëse Evropa do pranojë emigrantë apo jo, por si do i pranojë ata: si fuqi që ringjall kontinentin, apo si pasojë e krizave dhe politikave të dështuara. Sepse në fund, historia nuk e fal boshllëkun. Dhe Evropa është duke u zbrazur. /Përshtatur nga Corriere Della Sera
Lini një Përgjigje