Paqe ose kapitullim? Çfarë po luhet në Gjenevë mes SHBA, Ukrainës dhe Evropës
Natën vonë, pas katër vitesh luftë, duket se më në fund ka një lëvizje të parë konkrete në konfliktin Ukrainë–Rusi. Bllokada e gjatë diplomatike është krisur. Amerikanët dhe ukrainasit dolën me një deklaratë të përbashkët, ku pohojnë se janë bërë “përparime të mëdha”.
Më pas, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili drejton delegacionin në Gjenevë, shtoi: “Jam shumë optimist se do të arrijmë në një marrëveshje brenda një periudhe të arsyeshme kohore”. Dhe vijoi: “Nuk dua të shpall fitore ose të flas për përfundime. Ende ka punë serioze për të bërë”.
Rubio theksoi se teksti përfundimtar i marrëveshjes do të duhet të marrë miratimin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe të Donald Trump, përpara se t’i dërgohet Moskës.
“Diskutimet treguan përparim të rëndësishëm drejt afrimimit të pozicioneve dhe identifikimit të hapave të qartë të mëtejshëm. Të dyja palët ritheksuan se çdo marrëveshje e ardhshme duhet të respektojë plotësisht sovranitetin e Ukrainës dhe të garantojë paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha ai.
Diskutimet me amerikanët fillimisht ishin shumë të tensionuara ("negociatat vareshin nga një fije floku"), por më në fund u ra dakord për një plan të ri me 19 pika.
Zëvendësministri i Jashtëm ukrainas Serhiy Kyslytsia , i cili mori pjesë në bisedime, i tha Financial Times: “Takimi në Zvicër ishte intensiv, por produktiv dhe rezultoi në një rishikim të plotë të dokumentit, për të cilin të dyja palët janë pozitive.”
Pas orësh të tëra negociatash të vështira që kërcënuan të dështonin para se të fillonin, ekipet amerikane dhe ukrainase arritën një marrëveshje për shumë çështje, por “i lanë mënjanë” pikat më të vështira, duke përfshirë çështjet territoriale dhe marrëdhëniet midis NATO-s, Rusisë dhe SHBA-së. Këto pika do të duhet të diskutohen midis presidentëve Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky, të cilët tani do të thirren për të marrë vendimet përfundimtare.
Gjeneva mund të jetë fillimi i fundit të luftës, të paktën kjo është shpresa e të gjithëve. Gjithçka varet nga mënyra si do të rrjedhin negociatat, por një gjë duket e sigurt: pas ultimatumit amerikan, ndihmës evropian ndaj Kievit dhe negociatave që zhvillohen mes hotelit Intercontinental dhe misionit amerikan, një mekanizëm politik është vënë në lëvizje. Dhe siç vëren Gideon Rachman i Financial Times, krahasuar me “paktin Witkoff–Dmitriev”, një draft i papranueshëm për Evropën dhe për Kievin, edhe vetë ukrainasit, të rraskapitur nga agresioni, kanë interes për një paqe që nuk i tradhton dhe nuk i detyron të dorëzohen.
Dita e djeshme zgjati pafund. Në njërën anë Rubio, sekretari amerikan i Shtetit, ndoshta viktimë e një kurthi politik të brendshëm. Në anën tjetër Andriy Yermak, shefi i kabinetit presidencial, i dërguar në Gjenevë nga Zelensky. Që Ukraina, në momentin më të vështirë, përfaqësohet nga një figurë politike e përfshirë në skandale korrupsioni, tregon qartë se në çfarë kushtesh të rënda negociohet nga pala ukrainase. Me pengesa në këmbë dhe duar të lidhura, por pa alternativa më të mira.
Evropa është e pranishme me këshilltarët e sigurisë kombëtare të vendeve kryesore – si mbështetje për Ukrainën dhe për rishkrimin e draftit që po negociojnë SHBA-të dhe Kievi.
Pasditen e djeshme erdhi sinjali i parë pozitiv. Gazetarët u ftuan në misionin amerikan, ku Rubio dhe Yermak dolën me deklarata publike.
Në sfond dy flamuj të mëdhenj, amerikan dhe ukrainas, dhe një ton optimist për kamerat. Por vetëm një orë më herët, fytyra e Rubio-s tregonte krejt tjetër realitet: i tendosur, buzët e shtrënguara, hapat e shpejtë për t’iu shmangur pyetjeve, teksa largohej nga holli i Intercontinental. Pikërisht në këtë kilometër mes hotelit të negociatave dhe misionit amerikan, buzë liqenit, po tentohet të mbyllet hendeku mes palëve.
Brenda hotelit janë figurat diplomatike më të fuqishme të Evropës: Jonathan Powell (Britani), arkitekti i paqes në Irlandën e Veriut; Emmanuel Bonne, këshilltari i Macron; Günther Sutter, “nërdi diplomatik” i kancelarit gjerman Merz; dhe për Italinë, ambasadori Fabrizio Saggio. Po ashtu i pranishëm Björn Seibert, krahu i djathtë i Ursula von der Leyen.
Ndërsa Rubio largohej i errët nga hoteli, nga SHBA Trump shpërthente: “Udhëheqja ukrainase nuk tregoi asnjë falënderim për përpjekjet tona, dhe Evropa vazhdon të blejë naftë nga Rusia”.
Pra, si kanë shkuar vërtet negociatat? Barak Ravid i Axios, gazetari që zbuloi planin Witkoff–Dmitriev me 28 pika, thotë se brenda dhomës tensioni ka qenë i lartë dhe palët kanë debatuar për orë të tëra. Por qëllimi kryesor ishte të shfaqej unitet. Dhe mbrëmja, ku të dy delegacionet u panë duke darkuar bashkë në restorantin italian “Il Lago”, u mor si sinjal i një klime të re konstruktive.
Zelensky e kuptoi situatën dhe pasdite falënderoi publikisht SHBA-në, duke kujtuar poshtërimin e fundit në Shtëpinë e Bardhë, dhe tha se Ukraina është “mirënjohëse ndaj SHBA, çdo zemre amerikane dhe personalisht presidentit Trump për ndihmën”. Shtoi edhe: “Amerika po na dëgjon”.
Ky është skenari që duhet ndjekur në çdo ndërveprim me Trump. Të gjithë po i përshtaten realitetit të ri. Por Gjeneva është shansi i fundit për shumë aktorë: për Zelensky-n, për Evropën dhe madje për vetë Rubio-n. Këtu nuk bëhet fjalë për formë, por për substancë.
Dhe substanca është kjo: Evropa është rreshtuar krah Ukrainës për të rrëzuar peshoren pro-ruse të paktit Witkoff–Dmitriev, duke nisur nga drafti 28-pikësh dhe duke e rishkruar. Drafti evropian, i publikuar nga Reuters, korrigjon dy pika kyçe për Kievin: rritjen e kufirit të ushtrisë ukrainase në 800 mijë trupa (ushtria më e madhe në Evropë) dhe kërkesën që armëpushimi të bëhet mbi vijat aktuale të frontit, ndërsa çështjet territoriale të shtyhen për më vonë.
Evropa ka kërkuar heqjen e pikës mbi asetet ruse të ngrira; ka kërkuar garanci të tipit “neni 5” për Ukrainën – një ide e hedhur nga Italia – dhe ka insistuar që asgjë që lidhet me sigurinë evropiane të mos negociohet pa vetë evropianët. Gjëra dikur të vetëkuptueshme në Amerikën tradicionale, por që tani duhen mbrojtur me forcë në epokën Trump.
Së fundi, Marco Rubio, i cili dje kryesonte tavolinën, me Steve Witkoff në të djathtë dhe Dan Driscoll (njeriu i JD Vance) në të majtë, përpiqej të riafirmonte autoritetin e tij. A dinte gjë për 28 pikat? Me sa duket, jo deri në momentet e fundit. Mohimet e njëpasnjëshme dhe gafat (Rubio raportohet t’u ketë thënë senatorëve republikanë se “planin e kanë shkruar rusët”) ekspozuan hapur luftën e brendshme të pushtetit në Shtëpinë e Bardhë. Por Rubio mbetet ndoshta aleati i vetëm real i Evropës dhe Ukrainës në këtë fazë. Dhe tashmë, duket se është rikthyer në kontroll të lojës. /Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere Della Sera”
Nga te gjithe kokeboshet genjeshtare tipa si Trump vetem Rubio bie ere fisi e zotnie. Mediat Amerikane e Senatoret e Nderuar po u nxjerrin shkumen e u kerkojne te japin doreheqjen.