TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 6 Korrik 2026, 17:53

Çfarë sinjalizoi funerali i Khameneit?!

Shkruar nga Pamfleti
Çfarë sinjalizoi funerali i Khameneit?!
Funerali i Ajatollah Ali Khamenei

Irani beson se presidenti amerikan Donald Trump ka interes më të madh politik për të siguruar një marrëveshje sesa Teherani për të bërë lëshime.

Funerali i liderit suprem të ndjerë të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, u shndërrua në një demonstrim politik, përmes të cilit Teherani synoi të përcillte mesazhin se Republika Islamike i mbijetoi luftës me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin dhe mbetet një aktor i rëndësishëm rajonal.

Sipas një analize të Reuters, pjesëmarrja masive në ceremoninë mortore u përdor nga udhëheqja iraniane për të paraqitur vendin si të bashkuar dhe të vendosur, pavarësisht konfliktit që nisi me sulmet amerikane dhe izraelite më 28 shkurt.

Zyrtarë rajonalë, diplomatë dhe analistë të cituar nga Reuters vlerësojnë se Teherani po përpiqet ta shndërrojë mbijetesën gjatë luftës në një avantazh diplomatik.

Hormuzi në qendër të strategjisë

Fokusi kryesor i Iranit nuk është më programi bërthamor, por konsolidimi i ndikimit në Ngushticën e Hormuzit, korridori detar përmes të cilit kalon rreth një e pesta e furnizimeve globale me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.

Reuters citon analistë që thonë se Teherani synon që çdo marrëveshje e ardhshme me Perëndimin të njohë rolin dhe ndikimin e tij në këtë pikë strategjike.

Armëpushimi 60-ditor, i konceptuar nga Uashingtoni për të rikthyer negociatat mbi programin bërthamor iranian, sipas analizës ka krijuar një dinamikë të re, ku koha dhe pozicioni gjeografik i Iranit janë bërë asetet kryesore të tij.

"Diamanti" i Iranit

Alex Vatanka, analist në Institutin e Lindjes së Mesme në SHBA, tha për Reuters se për Teheranin rëndësia e Hormuzit është më shumë politike sesa ekonomike.

Sipas tij, Irani kërkon njohje simbolike të rolit të tij dominues në ngushticë dhe nuk dëshiron ta shkëmbejë këtë avantazh me lehtësimin e sanksioneve apo zhbllokimin e aseteve të ngrira.

Duke iu referuar një shprehjeje perse, Vatanka tha: "Pse të japësh një diamant për një karamele?" Sipas tij, për Iranin "diamanti" është Hormuzi, ndërsa përfitimet ekonomike përfaqësojnë "karamelen".

Edhe kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Qalibaf, deklaroi se Ngushtica e Hormuzit është "mjeti më i madh i fuqisë" së Iranit dhe se vendi nuk do të heqë dorë nga të drejtat që pretendon në atë zonë.

Negociata të ngadalësuara

Burime diplomatike dhe analistë të cituar nga Reuters vlerësojnë se Irani po zvarrit qëllimisht negociatat për të konsoliduar përfitimet strategjike të fituara gjatë luftës përpara se të rikthehet te dosja bërthamore.

Alan Eyre, ish-diplomat amerikan me ekspertizë për Iranin, tha se Teherani nuk ndien nxitim për të arritur një marrëveshje.

Sipas tij, Irani beson se presidenti amerikan Donald Trump ka interes më të madh politik për të siguruar një marrëveshje sesa Teherani për të bërë lëshime.

Reuters citon gjithashtu Aaron David Miller, ish-negociator amerikan për Lindjen e Mesme, i cili argumenton se fushata ushtarake nuk arriti ta dobësojë ndikimin rajonal të Iranit.

Sipas Millerit, Teherani nuk ka arsye të angazhohet seriozisht në negociatat bërthamore derisa të sigurohet se pozicioni i tij në Hormuz është pranuar dhe se është bërë përparim në zhbllokimin e miliarda dollarëve të aseteve të ngrira.

Shqetësimet në Gjirin Persik

Ebtesam Al-Ketbi, presidente e Emirates Policy Center, tha për Reuters se përfundimi i luftës pa zgjidhur shkaqet e saj mund ta ketë forcuar më tej ndikimin e Iranit në Hormuz.

Sipas saj, shtetet e Gjirit shqetësohen se Teherani tashmë e konsideron këtë avantazh strategjik si të panegociueshëm, edhe në këmbim të lehtësimit të sanksioneve apo progresit në dosjen bërthamore.

Analistët e cituar nga Reuters vlerësojnë se Shtetet e Bashkuara mund të përballen me nevojën për të pranuar një realitet të ri në Ngushticën e Hormuzit, ku ndikimi iranian mbetet një faktor kyç në çdo marrëveshje të ardhshme.

funerali i ajatollah ali khamenei rendi i ri global

Lini një Përgjigje