Bota17 Maj 2024, 19:05

Atentati ndaj Fico-s, tregon se NATO nuk i mposht dot armiqtë e brendshëm

Shkruar nga Marc Champion
Atentati ndaj Fico-s, tregon se NATO nuk i mposht dot armiqtë e
Kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas, djathtas, duke u kthyer nga stërvitja e NATO-s në Stuhinë Pranverë me një helikopter britanik Chinook më 15 maj.Burimi: Kryeministri i Estonisë

Pak gjëra mund të shprehnin më mirë gjendjen e vështirë ku ndodhet aktualisht Estonia, sesa imazhi i kryeministres së shtetit të vogël baltik, Kaja Kallas, ulur në bordin e një helikopteri ushtarak me një parashutë veshur mbi xhaketën e saj prej lëkure.

Ajo po kthehej në shtëpi me helikopterin britanik “Chinook” nga një vizitë në stërvitjen e NATO-s që nisi të mërkurën rreth 130 kilometra në jug të kryeqytetit Talin. “Stuhia e Pranverës 2024”, përfshiu 9.000 ushtarë dhe rezervistë estonezë, si dhe 5.000 trupa nga anëtarë të tjerë të aleancës, qindra automjete të blinduara, avionë dhe luftanije.

Synimi i saj, thotë Kallas, është t’i dërgojë një mesazh të qartë Moskës:“Mos guxoni të vini këtu!”. Për Estoninë, kjo strategji është padyshim e duhura. Të shpresosh që presidenti Vladimir Putin nuk është aq i çmendur sa të rrezikojë të sulmojë një anëtar të NATO-s, dhe për pasojë të mos bësh asgjë për t’u përgatitur, do ta nxiste shefin e Kremlinit të shtronte pyetjen:A janë vërtet të gatshme nënat britanike, spanjolle dhe amerikane, të dërgojnë djemtë dhe vajzat e tyre të luftojnë mijëra kilometra larg, kundër një force të madhe ushtarake që ka një tolerancë në dukje të pakufishme për viktimat e saj në front?

Për një komb prej vetëm 1.3 milionë banorësh, parandalimi do të ishte i paarritshëm, pa pasur prova të qarta se janë të qëndrueshme garancitë e sigurisë të NATO, të mbështetura nga fuqia e plotë ushtarake e SHBA-së dhe e aleatëve të mëdhenj evropianë. Pra është gjithçka ose asgjë.

Dhe mënyra e vetme për të garantuar atë lloj sigurie, është stërvitja dhe zhvillimi i kapaciteteve për të luftuar luftën që nuk duhet të ndodhë asnjëherë. Ky ishte edhe leksioni kryesor i Luftës së Ftohtë. Më në fund, përgatitje të tilla kanë filluar të duken më të besueshme në Baltik.

Sigurisht, 14.000 trupa nuk mund t’i bënin dot ballë një pushtimi rus, por ato mund ta vonojnë atë mjaftueshëm për të sjellë atë lloj force që do të mundej ta bënte, veçanërisht tani që anëtare është edhe Finlanda, dhe së shpejti edhe Suedia.

“Ushtria ime më thotë se tani NATO po punon ashtu siç menduam se punonte përpara se të anëtarësoheshim ne”- u tha Kallas gazetarëve. Ajo nuk ka qenë gjithmonë aq vlerësuese për nivelet e angazhimit evropian ndaj frontit lindor të bllokut. Por për çdo shenjë të një aleance që po mëson të bashkojë aftësitë e saj ushtarake, të njohë dështimet dhe të nisë t’i adresojë ato, ka edhe një shenjë tjetër që flet për themelet e saj të brishta.

Franca tregoi në këtë stërvitje 4 nga automjetet e saj të reja luftarake të këmbësorisë, Jaguar, tejet mbresëlënëse. Por së bashku edhe me forca të blinduara të vjetra nga Britania e Madhe. Të gjithë e pranuan se fjalët nuk kanë asnjë kuptim, nëse municionet dhe armët për të luftuar një luftë të qëndrueshme tokësore me Rusinë nuk mund të prodhohen kur është e nevojshme, dhe për baltikët që janë kufi me Ukrainën kjo duhet të ndodhë tani.

Edhe më shqetësues ishte kujtimi - së bashku me lajmin e një atentati ndaj një lideri evropian - se ngjarjet kanë potencialin të ndryshojnë të gjitha supozimet politike, që duhet të përcaktojnë çdolloj strategjie ushtarake të NATO-s. Kur të mërkurën po përhapej lajmi se ishte qëlluar me armë kryeministri populist i Sllovakisë, Robert Fico, mund të ndjeje qartë valën e shqetësimit.

Kallas e shprehu tronditjen dhe simpatinë e saj në një deklaratë zyrtare. Por mendimet e disa të tjerëve që vizituan vendin e stërvitjes, u zhvendosën shumë shpejt mbi mënyrën se si Kremlini mund të përpiqet të shfrytëzojë sulmin për të përçarë aleancën, ndoshta duke e fajësuar Ukrainën dhe duke përhapur teori konspirative, pavarësisht se çfarë mund ta ketë motivuar realisht autorin.

Perandoritë mund të pësojnë goditje nga armiqtë e jashtëm, por zakonisht ato shpërthejnë nga brenda. Putin e di këtë, pasi e ka përjetuar shumë keq vetë-shkatërrimin e Bashkimit Sovjetik. Por në Rusi, me gjithë bisedat e shumta mbi dobësinë e regjimit të tij një vit më parë, ai sapo fitoi në mars një tjetër mandat dhe ka krijuar një aleancë të fuqishme me Kinën.

Është shumë e qartë vendosmëria e tij për ta rikthyer Moskën si një superfuqi, për të imponuar një sferë ndikimi në territoret e ish-perandorisë dhe për të nxitur destabilitet tek ata që e pengojnë në planet e tij. Ndërkohë në Perëndim, strategjia dhe forca kolektive e NATO-s varen nga një mori zgjedhjesh të paparashikueshme.

Mbi të gjitha nga zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA, ku Donald Trump e ka bërë të qartë se do të ketë pak angazhim për mbrojtjen e Ukrainës, apo aleancën transatlantike në tërësi. Narrativa e dyfishtë e Putinit mbi arrogancën dhe dekadencën perëndimore, po gjen një audiencë të gatshme në pjesën më të madhe të globit, përfshirë një pjesë të konsiderueshme të elektoratit në Evropë dhe SHBA.

Për shenja të fragmentimit politik brenda aleancës s’ka nevojë që të shkohet shumë larg. Robert Fico fitoi një mandat të ri vitin e kaluar me një platformë pro-ruse, anti-amerikane, dhe duke u zotuar të ndalojë dërgimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën.

Ndikimi i vërtetë i këtyre premtimeve ishte i kufizuar, sepse fakti është se Sllovakia kishte boshatisur në masë të madhe rezervat e armëve të disponueshme. dhe po vazhdonte ndihmën jo-ushtarake ndaj Kievit. Por zgjedhja e tij e zgjeroi kampin pro-Putin brenda NATO-s dhe Bashkimit Evropian, së bashku me kryeministrin e Hungarisë Viktor Orban.

Populistët e krahut të djathtë, pritet të dalin më mirë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian këtë verë. Orban, që flet vazhdimisht për “pushtimin” e Brukselit, e përdori tashmë veton e tij në BE për të ngadalësuar dhënien e ndihmës së bllokut për Ukrainën.

Këtë javë, ai ngurroi të dënonte reagimin e dhunshëm të qeverisë vendase ndaj protestave popullore kundër miratimit të të ashtuquajturit “ligji rus” në Gjeorgji, një tjetër ish-eepublikë e vogël sovjetike që është kryesisht nën ndikimin e Putinit.

Nuk dihet nëse Fico do t’i mbijetojë atentatit, ndaj është shumë herët të thuhet se çfarë ndikimi do të ketë akti i kryer nga një sllovak 71-vjeçar që nuk i pëlqente politikat e tij.

Por është më se i qartë kërcënimi nga polarizimi i madh që shkakton një akt i tillë ekstrem. Sidomos në një kohë kur shumë nga njerëz në Perëndim, janë të pasigurt mbi vlerën e institucioneve demokratike. Nëse dëshiron, NATO ka burimet dhe kapacitete të mjaftueshme për t’i dhënë fund revanshizmit të Putinit. Duke u larguar nga stërvitja “Stuhia Pranverore” në Estoni, e kisha të vështirë të shmangia përfundimin se aleanca sapo ka nisur të bashkojë aktin e saj ushtarak, në një kohë kur statura e saj politike është e dobët dhe e rrezikuar nga ngjarje, rezultatet e të cilave janë thjesht të paparashikueshme.

Mënyra e vetme për ta korrigjuar këtë situatë, është t’i forcojmë ato themele, duke vendosur mes nesh se për çfarë ia vlen të luftojmë./Përshtati Pamfleti nga “Bloomberg”

atentati robert fico nato