Një tërmet me magnitudë 5.1 ballë të shkallës Rihter është regjistruar mbrëmjen e së dielës në zonën e Methonit, në jugperëndim të Greqisë. Sipas të dhënave paraprake të institucioneve sizmologjike greke, lëkundjet janë ndjerë në disa qytete dhe zona përreth rajonit të Mesenisë, duke shkaktuar shqetësim te banorët.

Deri më tani, autoritetet nuk kanë raportuar për viktima apo dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa ekipet e emergjencës dhe ekspertët po vijojnë vlerësimin e situatës në terren. Tërmeti është ndjerë edhe në zona më të largëta, për shkak të intensitetit të tij dhe thellësisë së lëkundjes.
Ky është vetëm episodi i fundit i një aktiviteti të shtuar sizmik që ka përfshirë Greqinë gjatë javëve të fundit. Vetëm pak ditë më parë, disa tërmete me magnitudë mbi 5 ballë u regjistruan në rajonin e Evias, duke u ndjerë edhe në Athinë dhe duke mbajtur në gatishmëri autoritetet vendase.
Ekspertët theksojnë se Greqia mbetet një nga vendet me aktivitetin më të lartë sizmik në Europë, për shkak të pozicionit të saj gjeografik në kufirin e pllakave tektonike afrikane dhe euroaziatike. Për këtë arsye, lëkundje të tilla regjistrohen shpesh, megjithëse në shumicën e rasteve nuk shkaktojnë pasoja të rënda për popullsinë apo infrastrukturën.
Lini një Përgjigje