TAGS-AT E JAVËS

Sport 6 Korrik 2026, 16:26

Pse vendimi i FIFA-s për Balogun ka shkaktuar një nga polemikat më të mëdha të Botërorit?

Shkruar nga Pamfleti
Pse vendimi i FIFA-s për Balogun ka shkaktuar një nga polemikat
Kartoni i kuq për Balogun

Fushata e Shteteve të Bashkuara në Botërorin 2026 mori një kthesë të papritur, pasi FIFA pezulloi kartonin e kuq të sulmuesit Folarin Balogun, duke i hapur rrugën aktivizimit të tij në ndeshjen e 1/8-ave të finales ndaj Belgjikës.

Vendimi u bë publik pasi presidenti amerikan Donald Trump i kërkoi presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, të rishikonte rastin. Balogun ishte ndëshkuar me karton të kuq në fitoren 2-0 ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës, çka sipas rregullave sillte pezullim automatik për një ndeshje.

Sulmuesi 25-vjeçar i Monacos është golashënuesi më i mirë i SHBA-së në këtë Botëror me tre gola.

Pse u ndëshkua Balogun?

Balogun u përjashtua pasi, gjatë një dueli për topin, shkeli në kyçin e këmbës së mbrojtësit boshnjak Tarik Muharemović. Gjyqtari mori vendimin pas rishikimit me VAR.

Trajneri i SHBA-së, Mauricio Pochettino, deklaroi se ndërhyrja nuk justifikonte karton të kuq. Edhe vetë Balogun tha se një karton i verdhë do të kishte qenë një vendim më i drejtë.

Opinioni publik mbeti i ndarë: disa e konsideruan ndëshkimin të drejtë, ndërsa të tjerë argumentuan se kontakti ishte aksidental dhe jo një ndërhyrje e qëllimshme.

Si e justifikoi FIFA vendimin?

FIFA u mbështet te neni 27 i Kodit Disiplinor, i cili i jep organit disiplinor të drejtën të pezullojë zbatimin e një mase ndëshkuese, duke e vendosur lojtarin në një periudhë prove nga një deri në katër vjet.

Federata Amerikane e Futbollit nuk e vuri Balogun në dispozicion të mediave pas vendimit. Futbollisti reagoi vetëm në rrjetet sociale, duke publikuar një fotografi me tifozët, të shoqëruar me këngën "Bad" të Michael Jackson.

Ka ndodhur më parë?

Sipas raportimeve, kjo është hera e parë që nga Botërori i vitit 1962 që një karton i kuq në Kupën e Botës nuk shoqërohet me pezullim.

Rasti i fundit ishte ai i legjendës braziliane Garrincha në Botërorin e Kilit, kur rregullorja nuk parashikonte pezullim automatik dhe komisioni disiplinor vendosi ta linte të luante në finale.

Më vonë, FIFA ka pezulluar pjesërisht edhe dënime të tjera, si në rastin e Cristiano Ronaldos para Botërorit 2026, ndërsa në raste të tjera, si ai i mesfushorit të Katarit Assim Madibo, ka vendosur pezullime edhe më të gjata.

Reagime të ashpra

Vendimi i FIFA-s ka shkaktuar reagime të forta në botën e futbollit. Federata Mbretërore Belge e Futbollit deklaroi se është "e habitur" dhe njoftoi se po shqyrton të gjitha mundësitë ligjore për ta kundërshtuar vendimin.

Edhe trajneri i Belgjikës, Rudi Garcia, ironizoi FIFA-n duke thënë se "dukej sikur 5 korriku ishte bërë 1 prilli", duke shtuar se federata belge po mbron integritetin e futbollit dhe jo vetëm interesat e kombëtares.

UEFA reagoi me një deklaratë të fortë, duke e cilësuar vendimin si "të paprecedentë, të pakuptueshëm dhe të pajustifikueshëm", ndërsa theksoi se ishte kaluar një "vijë e kuqe".

Kritik ndaj FIFA-s u shfaq edhe ish-presidenti i saj, Sepp Blatter.

"Kartonët e kuq nuk anulohen me telefonata politike. Ata anulohen nga rregullat, provat dhe organet e pavarura", shkroi ai në rrjetin X.

Edhe trajnerë e ish-futbollistë të njohur shprehën shqetësim për precedentin që krijon ky vendim.

Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, tha se edhe pse mendon se Balogun nuk meritonte karton të kuq, pyetja kryesore është se kush ka autoritet ta ndryshojë një vendim të marrë pas verifikimit me VAR.

"Ku fillon dhe ku mbaron kjo? Çfarë ndodh me kartonët e tjerë në të ardhmen?", deklaroi ai.

Ish-futbollistët Ian Wright dhe Roy Keane e cilësuan vendimin të padrejtë dhe paralajmëruan se ai mund të dëmtojë besueshmërinë e turneut.

Roli i Donald Trump

Sipas agjencisë Associated Press, Trump telefonoi presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, menjëherë pas ndeshjes dhe kërkoi rishikimin e kartonit të kuq.

Pas vendimit të FIFA-s, presidenti amerikan shkroi në rrjetet sociale: "Faleminderit FIFA-s që bëri atë që ishte e drejtë dhe korrigjoi një padrejtësi të madhe."

Trajneri Mauricio Pochettino mbështeti gjithashtu vendimin, duke argumentuar se skuadra amerikane ishte ndëshkuar mjaftueshëm duke luajtur me një lojtar më pak për 30 minuta ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës.

Çfarë thonë kritikët për rregulloren?

Federata belge argumenton se FIFA ka shkelur vetë rregullat e saj. Sipas nenit 66.4 të Kodit Disiplinor të FIFA-s dhe nenit 10.5 të Rregullores së Botërorit 2026, një karton i kuq sjell automatikisht pezullim për ndeshjen pasuese.

Edhe Qarkorja nr. 16 e FIFA-s për Botërorin 2026 konfirmon se pezullimi me një ndeshje është i detyrueshëm pas një kartoni të kuq.

Megjithatë, FIFA është mbështetur te neni 27 i Kodit Disiplinor, i cili lejon pezullimin e zbatimit të një mase disiplinore në rrethana të caktuara. Pikërisht interpretimi i këtij neni është bërë qendra e debatit që pritet të vazhdojë edhe pas përfundimit të ndeshjes SHBA–Belgjikë. /Përshtatur nga "Al Jazeera"

balogun karton

Lini një Përgjigje