
Disa qindra persona bastisën selinë e ambasadës suedeze në Bagdad, duke kaluar muret e kompleksit dhe duke i vënë zjarrin ndërtesës. Sulmi u bë në shenjë hakmarrjeje ndaj djegies së paralajmëruar të librit të shenjtë të Kuranit këtë të enjte në Stokholm.
Ndërkohë ajo që ra në sy gjatë bastisjes ishte edhe mbajtja nga protestuesit e flamujve dhe simboleve të klerikut shiit dhe liderit politik Muktada al Sadër.
Megjithatë situata u normalizua pas ndërhyrjes së policisë irakiane dhe zjarrfikësve, të cilët vunë nën kontroll zjarrin, që gjithsesi kishte përmasa të vogla.
Në reagimin e saj, Ministria e Jashtme suedeze deklaroi se stafi i ambasadës nuk ishte gjendur në rrezik dhe se mes tyre nuk kishte të lënduar. Gjithashtu, autoritetet në Stokholm thirrën për sqarim ambasadorin irakien.
Nga ana e saj, qeveria në Bagdad ka shpërndarë një deklaratë ku dënon sulmin, por pa shpjeguar se si lejoi avancimin e protestuesve drejt selisë diplomatike.
Lini një Përgjigje