Ditët e fundit, një njësi ukrainase rrëzoi një dron rus zbulimi, e çmontoi dhe brenda tij gjeti diçka të re. Lentja e kamerës (kineze) kishte një zmadhim të komandueshëm si ai i aparateve fotografike, duke lejuar rezolucion më të lartë nga lartësi më të mëdha dhe një ndjeshmëri shumë të lartë të ngjyrave, që jepte më shumë detaje: madje mund të dallonte edhe kamuflimin në distanca të mëdha.
Shtetet e Bashkuara dhe Europa nuk prodhojnë lente të tilla. Të nesërmen, ukrainasit nisën të kërkonin diçka të ngjashme tek furnizuesit në Taivan.
Amerika e irrituar
Kjo histori e vogël ka një domethënie shumë më të madhe, sepse ndihmon të kuptohet (jo të justifikohet) një pjesë e arsyes pse Amerika nacionaliste dhe e zemëruar e Donald Trump-it shfaq një përçmim ndaj Europës. Ukraina nuk është më thjesht skena e një lufte të tmerrshme që do të shënjojë të ardhmen e kontinentit. Çdo ditë e më shumë, ajo po kthehet në një laborator inovacioni që po ndryshon rrugën e industrisë dhe ekonomisë botërore. Në këtë kuptim, lufta ukrainase është tashmë një luftë globale.
Ajo po tërheq investitorë dhe inovatorë nga Kina, SHBA-të dhe madje Izraeli.
Nga satelitët te inteligjenca artificiale
Kjo po ndodh pranë nesh, por ne europianët jemi më të ngadaltët për ta kuptuar. Amerikanët, përkundrazi, jo. Eric Schmidt, ish-drejtor ekzekutiv i Google dhe njeriu i 32-të më i pasur në botë me 53 miliardë dollarë pasuri, ishte ndër të parët që e pa potencialin.
Nuk është i vetmi: ai përballet, për shembull, me fizikantin Mikhail Kokorich, i lindur në një fshat të varfër siberian pranë Mongolisë, jo më shtetas rus, por tashmë i arratisur dhe mbështetës i hapur i Ukrainës. Si Kokorich, edhe Schmidt dëshiron sinqerisht ta ndihmojë Ukrainën, por në të njëjtën kohë e sheh vendin si një minierë teknologjike ari edhe për veten.
Modeli i tij i biznesit do të duhej të studiohej në universitetet dhe zyrat e kryeministrave europianë: jo për t’u kopjuar, por për të kuptuar sa shumë na duhet të mësojmë.
Pasuria e Schmidt dhe lidhja me Ukrainën
Pas pushtimit të vitit 2022, Schmidt u përfshi menjëherë në dinamikën e luftës. Përmes fondit të tij, Innovation Endeavors, ai kishte investuar në start-up-e të teknologjive të reja, ndër të cilat Planet Labs, prodhues i satelitëve zbulues të integruar me inteligjencë artificiale. Falë këtij investimi, që prej vitit 2022 ai i vuri në dispozicion ushtrisë ukrainase imazhe satelitore të pakufizuara dhe falas.
Kjo i krijoi një marrëdhënie besimi me Kievin.
Schmidt, i cili më parë kishte drejtuar bordet këshilluese të Pentagonit dhe komisionin kombëtar të inteligjencës artificiale nën administratën Trump, e dinte prej vitesh se si funksionon inovacioni në industrinë e mbrojtjes.
Themelimi i kompanisë së dronëve
Më 13 shtator 2023, ai themelon në Estoni kompaninë “Volya Robotics OU”, me kapital vetëm 2 mijë e 400 euro, por me pronar të vetëm… veten. Kjo kompani kontrollon një tjetër në SHBA, e cila u riemërua së fundi nga “White Stork” në “Swift Beat”, një kompani prodhuese dronësh të integruar me Inteligjencë Artificiale (IA).
Në industrinë e mbrojtjes flitet se Schmidt investoi deri në 1 miliard dollarë nga pasuria e tij personale, duke ngritur tre ekipe konkurruese për të zhvilluar dronin më efektiv, më të shpejtë dhe më të lirë.
Dronët që duhet të ndalin Shahed-at rusë
Çdo ditë Rusia lëshon rreth 1 mijë dronë Shahed mbi Ukrainë, të lirë, të shpejtë dhe nën radar. Për t’i ndalur, duhen rreth 1 mijë e 500 dronë interceptues në ditë.
Schmidt nënshkroi në korrik një kontratë me Zelenskyn për të furnizuar qindra mijëra të tillë, “me çmim kostoje” dhe me prioritet për Ukrainën. Thuhet se këta dronë, të quajtur Merops, kushtojnë më pak se 5 mijë dollarë secili dhe arrijnë shpejtësi 280 km/h.
Çmimi real, të dhënat
Por çfarë janë “kushtet speciale” të marrëveshjes? Pse Schmidt i shet me çmim kostoje?
Sepse, përveç parave, kompania e tij merr si pagesë arkiva të të dhënave të mbledhura nga fronti ukrainas: video nga dronët, të dhëna të frekuencave radio, dhe më të çmuarat, pamjet optike dhe termike të përplasjes mes dronëve ukrainas dhe atyre rusë. Në vitin 2025, të dhënat e luftës janë kthyer në monedhë.
Edhe Kina po mbledh të njëjtat të dhëna për të përshpejtuar dronët autonomë. Ndërsa vetëm një kompani europiane ka nisur të bëjë diçka të ngjashme.
Kush ka më shumë të dhëna, fiton garën e inteligjencës artificiale.
Përse kjo duhet t’i shqetësojë europianët
Në Ukrainë, Schmidt ka krijuar një arkivë private unike në botë me miliona episode luftarake. Nëse lufta do të përfundonte sot, ai do të kishte avantazh të pakonkurrueshëm për dekada.
Swift Beat tashmë u ka shitur interceptues Polonisë, Rumanisë, Danimarkës dhe testet po zhvillohen edhe nga ushtria amerikane.
Kështu, ish-drejtori i Google po nxjerr vlerë nga Ukraina dhe po e monetizon në Europë. Nuk është fajtore, por Europa mbetet shumë prapa. Asnjë qeveri apo sipërmarrës europian nuk iu afrua vizionit të tij.
Sfida e re: Hornets
Por as Schmidt nuk mund të flejë i qetë. Evolucioni i shpejtë dhe i furishëm i teknologjisë në fushën e betejës i bën të vjetruara të dhënat e dikurshme, ashtu si edhe armët e vjetra. Mikhail Kokorich, fizikanti vizionar që vjen nga një fshat i largët siberian dhe që sot është rreshtuar krah Ukrainës, tashmë po ndërton interceptues të rinj, të quajtur Hornets, të cilët, sipas të gjitha gjasave, kushtojnë më pak, lëvizin më shpejt dhe janë edhe më të integruar me inteligjencën artificiale sesa ata të Schmidt.
Por Kokorich u rrit në një zonë të varfër të ish-Bashkimit Sovjetik, aq i varfër sa kur nuk studionte, punonte si bari. Për të, teknologjia ka qenë një mjet për të mbijetuar dhe për t’u çliruar nga kushtet e tij fillestare.
Marrëveshja me turqit
Por a kemi ne urinë dhe etjen për përparim që ka Kokorich, apo ambicien e Eric Schmidt? A kemi mentalitetin dhe mjedisin e duhur politik e institucional? Italia, për shembull, kohët e fundit është mbështetur shumë në një marrëveshje ndërqeveritare (jo aq midis kompanive) me një prodhues turk dronësh. Ushtria e Kievit ka më shumë se tre vjet që nuk i përdor më ato dronë turq, sepse konsiderohen të papërshtatshëm dhe të vjetruar.
Por nëse kjo histori na mëson diçka, është se përbërësi bazë i inovacionit nuk është paraja, as njohuritë teknike, as fuqia politike. Është psikologjia njerëzore./ Corriere della Sera
Lini një Përgjigje