TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Korrik 2026, 07:45

Mbi 50 ditë protesta, Rama mbledh sot grupin e PS dhe kabinetin; priten ndryshime në qeveri

Shkruar nga Pamfleti
Mbi 50 ditë protesta, Rama mbledh sot grupin e PS dhe kabinetin; priten
Edi Rama në mbledhjen e PS

Kryeministri Edi Rama do të mbeldhë ditën e sotme në Pallatin e Brigadave Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetin qeveritar. Mbledhja mësohet se do të nisë në orën 09:30.

Sipas agjendës së shpërndarë deputetëve, fjalën do ta marrë fillimisht kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i cili do të paraqesë një bilanc mbi drejtimin e Kuvendit, futjen e teknologjisë në funksionimin e institucionit, si edhe perspektivën e godinës së re të Kuvendit.

Më pas, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, do të bëjë një bilanc të punës së grupit gjatë këtij sesioni parlamentar, duke u ndalur te angazhimi i deputetëve në komisionet parlamentare dhe në seancat plenare.

Në përfundim të mbledhjes, fjalën përmbyllëse do ta mbajë kryeministri Edi Rama, i cili pritet të bëjë edhe disa lëvizje në kabinetin qeveritar.

Pasditen e djeshme, Rama ka ndarë një pjesë të fjalimit, që pritet të mbajë sot në mbledhjen e Qeverisë dhe të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Në videon e publikuar në “Facebook”, Rama shfaqet duke shkruar fjalimin, ndërsa dëgjohet në sfond kori i protestuesve me thirrjet “Rama, jepe dorëheqjen”, për të cilin ai shprehet me ironi se e “ekzalton”.

“Përshëndetje, nuk e di a dëgjoni. Kjo është kënga ime e preferuar. Jam duke shkruar fjalën për nesër në mbledhjen e Grupit Parlamentar dhe të Qeverisë dhe desha të ndaj me ju këtë moment, sepse ky kor “Rama, jepe dorëheqjen” më ekzalton.

Shihemi nesër paradite, nuk e di orën e saktë. Mbledhja fillon në 09:30, por do ishte kënaqësi të ndaja me ju të gjithë reflektimin tim mbi pasqyrën e bulevardit të flamingove, ai që ishte se ky që ka mbet është i sorrave dhe i korbave”, tha Rama.

Në fjalimin e tij, Rama thotë se ata që mbushën bulevardin dhe rrjetet sociale nuk protestuan kundër Shqipërisë që Partia Socialiste ndërtoi gjatë tre mandateve të shkuara, ndërsa pjesë vijuese të tij, kryeministri duket që e ka lënë “surprizë” për të premten.

“Ju që mbushët bulevardin dhe rrjetet sociale me protestën tuaj, nuk protestuat kundër Shqipërisë që ne ndërtuam gjatë tre mandateve tona. Dhe kështu po flas posaçërisht , për ata jo të paktë që ishin votues, mbështetës apo dhe anëtarë të Partisë Socialiste”, thuhet mes tjerash në fjalimin, që vetë Rama tha se do thotë në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS.

Kjo mbledhje e grupit të PS, vjen në një kohë kur qytetarët vijojnë protestat e tyre mbi 50 ditë radhazi, ndërsa kanë bërë thirrje të vazhdueshme për largimin e Ramës dhe të qeverisë që ai drejton.

rama mbledh sot grupin e ps dhe kabinetin

Lini një Përgjigje