Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump po shqyrton një sulm ndaj Iranit , një vend që kontrollon rezervat e treta më të mëdha të naftës në botë dhe një nga rrugët më të rëndësishme të transportit detar në botë. Pasojat për çmimet e naftës dhe për portofolet e amerikanëve, mund të jenë të menjëhershme dhe të rënda.
Shtetet e Bashkuara kanë forcuar praninë e tyre ushtarake në Lindjen e Mesme në javët e fundit , dhe Trump ka sugjeruar se një sulm amerikan mund të jetë i mundur. Kjo perspektivë tashmë i ka rritur çmimet e naftës, sipas një analize të CNN.
"Ndoshta duhet të shkojmë një hap më tej, ndoshta jo," tha Trump.
"Mund të bëjmë një marrëveshje. Do ta zbuloni brenda 10 ditëve të ardhshme ose më shumë."
Brent , benchmark ndërkombëtar, kishte fituar 7% që nga e marta dhe kaloi 70 dollarë për fuçi - për herë të parë që nga korriku, menjëherë pas sulmit të mëparshëm të SHBA-së ndaj Iranit. Nafta bruto amerikane është rritur me 10 dollarë muajin e kaluar.
Irani zhvilloi stërvitjet ushtarake vjetore me Rusinë të enjten, teksa një aeroplanmbajtëse e dytë amerikane iu afrua edhe më shumë rajonit.
Stërvitjet ushtarake të zhvilluara në Gjirin e Omanit dhe Oqeanin Indian synonin përmirësimin e koordinimit operacional, si dhe shkëmbimin e eksperiencave ushtarake, siç bëri të ditur agjencia shtetërore iraniane e lajmeve Islamic Republic News Agency (IRNA).
Zhvillimi vjen ndërsa presidenti amerikan Donald Trump i dha 10–15 ditë kohë Iranit për të arritur një marrëveshje. Ai paralajmëroi se “gjëra vërtet të këqija” do të ndodhnin nëse ujdia nuk do të arrihej.
“Mendoj se 10–15 ditë kohë janë të mjaftueshme për të arritur diçka”, tha presidenti amerikan.
Trump përmendi bombardimet ajrore amerikane të muajit qershor, duke thënë se potenciali bërthamor i Iranit ishte shkatërruar. Në një prononcim nga avioni i tij presidencial, shefi i Shtëpisë së Bardhë shtoi se mund të jenë të detyruar të ndërmarrin një hap më tej, por se me gjasë do të duhej pritur edhe 10 ditë të tjera për të mësuar se çfarë do të ndodhë.
Teksa është përmendur një lloj përparimi në bisedimet me Iranin, vendi ka refuzuar të përfshijë në marrëveshje edhe kërkesat e Izraelit për të reduktuar programin raketor dhe mbështetjen për grupet e armatosura. Negociatat e javëve të fundit nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat, duke sugjeruar se ndonjëra palë ose të dyja po synojnë të blejnë kohë për përgatitje finale për luftën.
Në një letër për sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, Teherani tha se nuk do të nisë asnjë luftë, por se në rast të një agresioni ushtarak do të përgjigjet me vendosmëri dhe në mënyrë proporcionale.
Ndërkohë, edhe Izraeli po përgatitet për një sulm të mundshëm raketor nga Irani. “Jemi gati për çdo skenar, por nëse sulmon Izraelin, Irani do të marrë një përgjigje të cilën as nuk mund ta imagjinojë,” paralajmëroi Benjamin Netanyahu.
Lini një Përgjigje