TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Shkurt 2026, 09:28

Si u pasurua Jeffrey Epstein: A ishte ai një "gjeni financiar" apo kishte metoda të tjera?

Shkruar nga Pamfleti
Si u pasurua Jeffrey Epstein: A ishte ai një "gjeni financiar"
Jeffrey Epstein

Jeffrey Epstein la kolegjin dhe nisi të punonte si mësues matematike dhe fizike. Si arriti, nga një pikënisje e tillë, të ndërtonte një pasuri kaq të madhe? Edhe pse vinte nga një familje e klasës punëtore, Epstein krijoi lidhje që e çuan në bankën e investimeve Bear Stearns në fund të viteve 1970, ku hyri në kontakt me financat e nivelit të lartë. Pas pesë vitesh pune dhe një ngritjeje në detyrë, ai u largua nga banka, por përfitoi nga përvoja dhe rrjeti i kontakteve që kishte krijuar.

Një figurë enigmatike

Që nga ajo kohë, emri i Epstein u rishfaq në qarqet financiare, por mbeti e paqartë se me çfarë merrej konkretisht. “Ai ishte një enigmë”, thotë gazetari Charles Gasparino në dokumentarin e Netflix “Jeffrey Epstein: Filthy Rich”. Sipas tij, në Wall Street zakonisht mbeten gjurmë të qarta të aktivitetit profesional, por në rastin e Epstein kjo nuk ndodhte. “Njerëzit flisnin për të, por ai nuk kishte një ndikim të dukshëm në botën e investimeve”, shton Gasparino.

Në fund të viteve 1980, Epstein u rekrutua nga Steven Hoffenberg, ish-drejtor ekzekutiv i Towers Financial Corporation, kompani që drejtonte një skemë Ponzi prej 460 milionë dollarësh. Sipas Hoffenberg, Epstein “menaxhoi anën e letrave me vlerë, asetet fiktive, manipuloi çmimet e aksioneve dhe kreu tregti të paligjshme”. Skema u shemb në vitin 1993 dhe Hoffenberg u dënua me 20 vjet burg. Epstein nuk u akuzua kurrë, ndaj mbetet e paqartë çfarë roli konkret pati dhe çfarë përfitimesh financiare nxori nga kjo veprimtari.

Lidhja me Les Wexner

Në mesin e viteve 1980, Epstein u njoh edhe me Les Wexner, pronar i Victoria’s Secret dhe The Limited. Që nga viti 1991, ai fitoi akses të plotë në financat e Wexner si këshilltar i tij, duke marrë përsipër menaxhimin e pasurisë personale të miliarderit kundrejt tarifave të konsiderueshme. Këto të ardhura i mundësuan blerjen e pasurive të paluajtshme dhe të një avioni privat.

Marrëdhënia mes tyre përfundoi në vitin 2007, kur Epstein u përfshi në një skandal. Në atë kohë, Wexner deklaroi se kishte zbuluar që Epstein kishte “përvetësuar shuma të mëdha parash nga unë dhe familja ime”. Sipas një raporti të prokurorëve amerikanë, Epstein përvetësoi qindra milionë dollarë nga Wexner. Sipas raportit, kjo sjellje, së bashku me tarifat që ai i paguante vetes për shërbimet, shpjegon pjesën më të madhe të pasurisë së tij.

Epstein blinte prona në emër të Wexner dhe më pas ia rishiste vetes me çmime dukshëm më të ulëta. Në vitin 2008, ai i ktheu Wexner 100 milionë dollarë përmes një marrëveshjeje private. Pavarësisht ndarjes së tyre, Wexner nuk paraqiti kallëzim zyrtar.

Roli i JPMorgan dhe Deutsche Bank

Marrëdhënia me Wexner i dha Epstein edhe prestigj. Fakti që një biznesmen me ndikim i besonte atij krijoi besim edhe te të tjerë. Rrjeti i tij përfshiu miliarderë, figura të njohura dhe persona me pushtet, disa prej të cilëve vazhduan të bashkëpunonin me të edhe pas vitit 2008, kur ai u dënua për krime seksuale.

Nga viti 1998 deri në vitin 2013, llogaritë e tij u menaxhuan nga JPMorgan. Më pas, nga viti 2013, ai hapi llogari në Deutsche Bank, me të cilën bashkëpunoi deri pak para vdekjes. JPMorgan pagoi mbi 300 milionë dollarë në marrëveshje pas padive të ngritura nga viktimat e Epstein, ndërsa Deutsche Bank pagoi 75 milionë dollarë dëmshpërblim. Banka gjermane shprehu keqardhje për bashkëpunimin me të, pa pranuar faj.

Çfarë ndodhi me pasurinë e tij?

Epstein u arrestua më 6 korrik 2019, me akuza për shfrytëzim seksual të të miturve, dhe u gjet i vdekur në qelinë e tij më 10 gusht të po atij viti.

Testamenti i tij, i dorëzuar në Ishujt e Virgjër, listonte pasuri me vlerë 577 milionë dollarë, përfshirë para të gatshme, investime dhe prona në Ishujt e Virgjër, Nju Jork, Paris dhe vende të tjera. Megjithatë, taksat, shpenzimet ligjore dhe marrëveshjet e dëmshpërblimit e reduktuan ndjeshëm këtë pasuri.

Një hetim i New York Times në vitin 2025 arriti në përfundimin se Epstein e ndërtoi pasurinë përmes “mashtrimit, vjedhjes dhe gënjeshtrave”. Sipas gazetës, ai nuk ishte një gjeni financiar, por një manipulator i aftë, i gatshëm të vepronte në kufijtë e paligjshmërisë për të siguruar pasuri dhe ndikim. 

 

jeffrey epstein

Lini një Përgjigje