William Stevenson, ish-bashkëshorti i Zonjës së Parë të SHBA-së, Jill Biden, është arrestuar dhe akuzohet për vrasje të shkallës së parë, lidhur me vdekjen e bashkëshortes së tij aktuale, Linda Stevenson.
Sipas autoriteteve të Qarkut New Castle, 77-vjeçari u mor në paraburgim të hënën, ndërsa detaje mbi rrethanat e ngjarjes nuk janë bërë publike. Linda Stevenson u gjet pa ndjenja në dhomën e ndenjes së banesës së tyre. Oficerët e policisë që mbërritën në vendngjarje tentuan t’i jepnin ndihmën e parë, por ajo u shpall e vdekur në vend.
Trupi i viktimës është dërguar në Zyrën e Mjekut Ligjor të Shtetit të Delaware për kryerjen e autopsisë, e cila pritet të përcaktojë shkakun zyrtar të vdekjes.
William Stevenson po mbahet në Qendrën Korrektuese Howard Young, pasi nuk ka mundur të paguajë garancinë prej 500 mijë dollarësh. Autoritetet kanë bërë të ditur se deri më tani nuk është e qartë nëse ai ka caktuar një avokat mbrojtës.
Stevenson ishte i martuar me Jill Biden në fillim të viteve ’70. Çifti u martua në shkurt të vitit 1970, kur Jill Biden ishte 18 vjeçe dhe studente në Universitetin e Delaware, ndërsa Stevenson ishte 23 vjeç. Martesa e tyre zgjati pesë vjet.
Pas ndarjes, Jill Biden njohu Joe Biden, atëherë senator i Delaware, në mars të vitit 1975, ndërsa divorci nga William Stevenson u finalizua në maj të po atij viti.
William Stevenson njihet gjithashtu si themelues i “The Stone Balloon Club”, një nga lokalet më të njohura pranë Universitetit të Delaware, i cili për dekada ka pritur artistë të njohur si Bruce Springsteen dhe Dave Matthews.
Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende informacion shtesë mbi motivet apo rrethanat që çuan në vdekjen e Linda Stevenson.
Lini një Përgjigje