Në qytetin Jelec, larg vijës së frontit, banorët përballen me humbje njerëzore, sulme me dronë dhe presion ekonomik...
Në pamje të parë, Jeleci në dimër duket si diçka e dalë nga një përrallë ruse. Nga shëtitorja buzë lumit shoh kupolat e arta të kishave ortodokse dhe, më poshtë, peshkatarë të shpërndarë mbi lumin e ngrirë. Por në këtë qytet, 350 kilometra në jug të Moskës, ndjesia e përrallës zgjat pak.
Në breg të lumit dalloj një billboard për rekrutimin në ushtri. Ai premton një shumë në vlerë rreth 15 mijë paund për këdo që pranon të luftojë në Ukrainë. Afër ndodhet një poster me një ushtar rus që merr në shënjestër me një kallashnikov.
“Jemi atje ku duhet të jemi”, thuhet në sloganin shoqërues.
Kremlini nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022. Jashtë Rusisë, ai u pa gjerësisht si një përpjekje për ta rikthyer Kievin në orbitën e Moskës dhe për të përmbysur të gjithë arkitekturën e sigurisë evropiane pas Luftës së Ftohtë. Udhëheqja ruse parashikoi një operacion të shkurtër dhe të suksesshëm ushtarak. Por gjërat nuk shkuan sipas planit.
Katër vjet më vonë, lufta e Rusisë në Ukrainë vazhdon. Ajo ka zgjatur më shumë se lufta brutale e Gjermanisë naziste kundër Bashkimit Sovjetik, e njohur këtu si Lufta e Madhe Patriotike.
Edhe në këtë qytet shihen disa nga pasojat. Një mural gjigant mbulon njërën anë të një pallati nëntëkatësh në Jelec. Në të paraqiten fytyrat e pesë ushtarëve rusë, burra vendas të vrarë duke luftuar në Ukrainë.
“Lavdi heronjve të Rusisë!” është shkruar në krye.
Autoritetet ruse nuk publikojnë shifra për viktimat e të ashtuquajturit “operacion special ushtarak”. Por dihet se Rusia ka pësuar humbje të mëdha në fushëbetejë. Shumë prej qyteteve dhe fshatrave që kam vizituar gjatë dy viteve të fundit kanë muze dhe monumente kushtuar ushtarëve të vrarë në Ukrainë, si edhe seksione të veçanta në varrezat lokale për të rënët e fundit.
“Burri i shoqes sime u vra duke luftuar atje. Edhe djali i kushërirës sime. Edhe nipi,” thotë Irina, e cila ndalet të bisedojë me mua përballë muralit. Në vijim ajo shton: “shumë njerëz janë vrarë. Më vjen keq për këta djem.”

Irina punon si kontrollore biletash në stacionin e autobusëve. Ajo e ka të vështirë të përballojë jetesën. “Faturat e shërbimeve po na mbytin. Çmimet po na shtypin. Është shumë e vështirë të mbijetosh.”
Megjithëse paratë janë të pakta, Irina ndihmon në përgatitjen e pakove me ndihma për ushtarët rusë në vijën e frontit. Ajo nuk e kritikon luftën në Ukrainë. Megjithatë, shprehet e hutuar për të.
“Në luftën e madhe patriotike e dinim për çfarë luftonim, tani nuk jam e sigurt për çfarë po luftojmë”, shprehet Irina.
Kufiri me Ukrainën ndodhet 250 kilometra larg. Por ndonjëherë vija e frontit duket shumë më pranë. Kjo pjesë e Rusisë, rajoni i Lipetskut, si shumë të tjera, është vënë në shënjestër nga dronë ukrainas. Rreth Jelecit autoritetet kanë vendosur strehimore emergjente. Një e shoh në një stacion autobusi, një tjetër në park.
Këto struktura prej betoni qëndrojnë si monumente të “operacionit special ushtarak” të presidentit Vladimir Putin. Para pushtimit të plotë të Ukrainës nga Kremlini, nuk kishte nevojë për strehimore, pasi nuk kishte sulme me dronë ndaj Rusisë.
Edhe pallatet në Jelec kanë strehimore të përcaktuara, në bodrume.
“Sirenat bien pothuajse çdo natë, por unë nuk largohem nga ndërtesa. Thjesht shkojmë në korridorin ku nuk ka dritare”, shprehet Irina.
Në Jelec gjen shenja të luftës në vende të papritura. Në emrin e një lokali për petulla shquhen shkronjat latine V dhe Z, simbole të “operacionit special ushtarak”.
Tabela jashtë lexon: “merr një petull, pastaj gjithë botën.” Habitem. Pastaj kujtoj disa nga deklaratat e Vladimir Putinit.
“Ku shkel këmba e një ushtari rus, ajo është e jona,” deklaroi ai në Shën Petersburg vitin e kaluar.
Dy vjet më parë, në Moskë, pashë një billboard elektronik me këtë citim të Putinit: “Kufijtë e Rusisë nuk mbarojnë askund.”
Luftërat janë të kushtueshme financiarisht. Me deficitin buxhetor në rritje dhe ekonominë në stanjacion, qeveria ka rritur TVSH-në nga 20% në 22%. Ministria e Financave thotë se të ardhurat shtesë do të shpenzohen për “mbrojtjen dhe sigurinë”.
Televizioni shtetëror rus i ka nxitur qytetarët të tregojnë mirëkuptim.
“Jetojmë në kohë lufte: një luftë e imponuar ndaj nesh nga Perëndimi”, u tha shikuesve prezantuesi Dmitry Kiselev, duke shtuar “duhet ta fitojmë dhe nuk mund t’ia dalim pa një buxhet lufte.”
Bizneset e vogla po ndiejnë presionin. Në një furrë buke në Jelec, aroma e bukës së freskët me rrush të thatë, scones dhe ëmbëlsirave me krem është joshëse. Por dyqani është goditur nga rënia ekonomike dhe rritja e taksave.

“Na është dashur të rrisim çmimet,” thotë pronarja Anastasia Bykova, “sepse faturat e shërbimeve, qiraja dhe taksat janë rritur. Dhe rritja e TVSH-së do të thotë se përbërësit tanë janë më të shtrenjtë.
Imagjinoni sikur të mbyllemi të gjithë: furra jonë dhe restoranti përballë. Ne përpiqemi ta bëjmë qytetin tonë të duket mirë. Por nëse mbyllemi, çfarë mbetet? Vetëm një njollë gri e errët.”
Një orë larg Jelecit, në kryeqytetin rajonal Lipetsk, shoh më shumë kujtesa të luftës: më shumë postera ushtarakë, më shumë strehimore.
Por në shkallët e pallatit të tij, Ivan Pavloviç është aktualisht më i shqetësuar për një tub që rrjedh. Ka akull në mur dhe ashensori nuk punon.
Pensionisti është i zemëruar që askush nuk e ka riparuar. Ai ankohet gjithashtu për çmimet e larta dhe faturat në rritje.
A mendon ai se lufta është fajtore?
“Nëse do të isha më i ri, do të shkoja të luftoja atje,” më thotë Ivan, duke shtuar “operacioni special ushtarak është i shkëlqyer. Thjesht çmimet vazhdojnë të rriten. Pensionet rriten, por pastaj çmimet rriten edhe më shumë. Pra, çfarë fitoj unë? Asgjë.”
“Sigurisht, do të jetonim më rehat nëse nuk do të kishte operacion special. Ata shpenzojnë shumë para për të. Edhe njerëzit japin sa munden. Duhet të ndihmojmë. Nuk po ankohem”, shton ai.
Rusët ndiejnë se jeta po bëhet më e vështirë. Pak besojnë se kanë fuqinë ta ndryshojnë këtë. Ndërsa lufta hyn në vitin e pestë, optimizmi është i pakët.
Shumë njerëz thjesht po përpiqen të përballojnë situatën dhe po presin, me shpresën për kohë më të mira. /Përshtatur nga BBC/
Lini një Përgjigje