Bota26 Shkurt 2024, 13:35

Konflikti, “normaliteti” i ri me të cilin duhet të mësohemi

Shkruar nga Fareed Zakaria

 

Konflikti, “normaliteti” i ri me të cilin duhet të
Konfliktet e 2024 /

 Duke parë krizat që po përhapen në mbarë botën, është më se e qartë që gjendemi në një epokë tensionesh gjeopolitike, e cila i ngjan Luftës së Ftohtë së dikurshme, një periudhë kërcënimesh të vazhdueshme ndaj rendit ndërkombëtar.

Veçse këtë herë, Perëndimi po e trajton veçmas secilin prej këtyre kërcënimeve, me shpresën se normaliteti do të rikthehet shumë shpejt. E vërteta është se konflikti, është “normaliteti” ynë i ri. Mjafton të hidhni sytë rreth e rrotull. Lufta po shkon keq për Ukrainën, e cila është e pushtuar dhe po has vështirësi të mëdha përballë kundërshtares së saj shumë më të fuqishme në armatime dhe burime njerëzore.

Është në rrezik avantazhi i saj kryesor, qasja tek armët dhe paratë perëndimore. Kongresi Amerikan duket se nuk dëshiron të miratojë dërgimin e ndihmave shtesë për Kievin. Bashkimi Evropian po ndërhyn  dhe po plotëson një pjesë të boshllëkut, por Evropa nuk zotëron kompleksin e duhur industrial ushtarak për t’i dërguar Ukrainës sasinë dhe nivelin e armatimeve që i nevojiten për të luftuar ndaj Rusisë.

Ushtria e Ukrainës është përballur heroikisht ndaj sulmit të Rusisë. Por siç më tha kohët e fundit një diplomat i lartë evropian: “Ukrainasit janë të fortë dhe të guximshëm, por nuk janë supermenë. Ata nuk do të mund të rezistojnë dot, nëse nuk kanë armë dhe furnizime të vazhdueshme”.

Presidenti rus Vladimir Putin, po sigurohet që të ketë mundësi të vazhdojë luftën, duke blerë armë nga Koreja e Veriut dhe duke rekrutuar njerëz nga Kuba. Ai vazhdon të përfitojë nga fakti se shumë nga ekonomitë kryesore të botës - nga Kina dhe India, deri në Turqi  dhe shtetet e Gjirit Persik - po bëjnë lirisht tregti me Rusinë.

Nëse do të ketë sukses agresioni i Rusisë, atëherë ai do të rrëzojë një normë që ka rezistuar për 80 vite: asnjë ndryshim kufijsh me anë të forcës. Ndërkohë në Lindjen e Mesme, kur filloi lufta në Gaza shumë njerëz besuan se ajo do të ishte e shkurtër, dhe se do të binte shpejt qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Në fakt, nuk ka gjasa të ndodhë asnjëra prej tyre. Të poshtëruara nga sulmi i befasishëm i 7 tetorit 2023, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) janë të vendosura që ta zhdukin plotësisht Hamasin nga Gaza. Dhe kjo nënkupton më shumë bombardime dhe luftime.

Tensionet dhe debatet e brendshme, që do të nxisin veprimet e Izraelit në vendet e tjera, vetëm sa do të rriten. Por Netanyahu s’ka ndërmend të largohet. Shumica e izraelitëve mund  ta urrejnë atë, por ata janë dakord me politikat e tij të luftës.

Në një kritikë të fortë kundër thirrjeve ndërkombëtare - përfshirë ato nga SHBA dhe Britania - për të pranuar një zgjidhje të konfliktit përmes krijimit të 2 shteteve, parlamenti izraelit, Knesset, miratoi javën e kaluar një rezolutë që deklaronte se është kundër çdo njohjeje të njëanshme të një shteti palestinez.

Rezoluta mori 99 vota pro nga 120 në total (koalicioni qeveritar i Netanyahut ka vetëm 64 deputetë, ndaj asaj iu bashkuan shumë deputetë të opozitës). Një zonë më pak në qendër të vëmendjes është veriu i këtij vendi. Izraeli ka goditur dhe vrarë shumë nga militantët e Hezbollahut.

Sipas një raporti flitet për mbi 200 prej tyre. Kjo fushatë ndëshkimore do të vazhdojë, dhe madje mund të përshkallëzohet. Qëllimi i IDF-së është ta dobësojë Hezbollahun deri në pikën që të ketë mundësi të rikthejë rreth 80.l000 izraelitët që u larguan nga shtëpitë e tyre në Izraelin Verior.

Në një moment, Hezbollahu mund të kundërpërgjigjet me forcë, gjë që mund të shkaktojë një inkursion të ushtrisë izraelit në Liban, duke e zgjeruar luftën. Dhe më pas kemi Houthi-t, të cilët kanë arritur të spikatin në skenën ndërkombëtare, përmes një sërë goditjesh që sipas një kompanie konsulente, e kanë reduktuar me 72 për qind numrin e anijeve me kontejnerë që kalojnë përmes Kanalit të Suezit që nga fillimi i tyre në dhjetorin e vitit të kaluar.

Përpjekjet e SHBA-së për të organizuar një koalicion efektiv, me synim garantimin e transportit detar përmes Detit të Kuq, kanë dështuar. Kundërpërgjigjet e saj ushtarake ndaj sulmeve të Houthit, nuk kanë sjellë një ndërprerje e sulmeve nga këta të fundit.

Ky dështim, përbën një goditje spektakolare ndaj besueshmërisë së garantimit të lirisë së deteve nga Shtetet e Bashkuara, një element kyç i ekonomisë së hapur globale që është ndërtuar përgjatë 2 shekujve, fillimisht me marinën britanike dhe më pas me atë amerikane. Dhe në horizont, po shihen më shumë kërcënime për themelet e atij rendi. Rusia dhe Kina, kanë ndërtuar që të dyja kapacitete për të prerë kabllot nënujore, të cilat tani janë një pjesë integrale e bazës ku ruhen të dhënat në të gjithë globin. Nëse Shtetet e Bashkuara nuk mund të pengojnë dot një aktor jo-shtetëror si Houthi nga sjellja e tij përçarëse në Detin e Kuq, atëherë çfarë shanse ka ajo kundër fuqive si Kina dhe Rusia?

Sigurisht, ekzistojnë disa mënyra për t’i trajtuar të gjitha këto probleme. Por kjo kërkon një ndryshim themelore të qasjes nga ana e Perëndimit. Sot po jetojmë në një epokë ku kërkohet një siguri e nivelit të lartë. Dhe kjo do të thotë që qeveritë duhet të shpenzojnë shumë më shumë për mbrojtjen, dhe ta bëjnë këtë në një mënyrë më efikase.

Shtetet e Bashkuara morën rolin e garantuesit të lirisë së deteve në vitin 1945, dhe që atëherë janë zotër të deteve. Në vitet 1980, SHBA-ja kishte gati 600 anije luftarake, ndërsa sot ka më pak se 300. Evropa e ka humbur kompleksin e saj industrial ushtarak, që i dha dikur mundësi të prodhonte municione gati në mënyrë të vazhdueshme.

Në këto kohëra të reja e të rrezikshme, republikanët në Kongresin e SHBA-së kanë vendosur të rikthehen tek izolacionizmi, duke shpresuar se mund të fusin kokën në rërë si struci, dhe që problemet do të zbehen deri diku. Por këtu duhet të theksohet se në kundërshtim me besimin popullor, strucët nuk e fusin kokën në rërë për t’i shpëtuar kërcënimeve që hasin. Sepse kjo do të sillte mbytjen e tyre. Ndoshta këta zogj kuptojnë diçka, të cilën nuk e rrokin dot ende republikanët në Kongres./ Përshtati Pamfleti nga “CNN”

konflikti normaliteti i ri krizat