TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Korrik 2026, 17:59

Kuçana mesazh demokratëve para mbledhjes së Këshillit: Mos merrni porosi, 'mulizmi' nuk i jep shpresë PD-së

Shkruar nga Pamfleti

Kuçana mesazh demokratëve para mbledhjes së Këshillit: Mos

Teksa Partia Demokratike pritet të mbledhë sot Këshillin Kombëtar, ku do të zyrtarizohet riformatimi i strukturës drejtuese të selisë blu, ish-kandidatja për deputete në zgjedhjet e 11 majit, Ilirjana Kuçana, u ka drejtuar një mesazh anëtarëve të forumit më të lartë drejtues të partisë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kuçana u bën thirrje anëtarëve të Këshillit Kombëtar që të votojnë sipas ndërgjegjes dhe në përputhje me Statutin e Partisë Demokratike, duke i ftuar të mos ndikohen nga porositë për mënyrën e votimit.

Ajo i referohet drejtpërdrejt Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka, duke u kërkuar demokratëve të mos marrin udhëzime prej tij.

"Sot keni përgjegjësinë të votoni sipas ndërgjegjes dhe statutit, jo sipas porosive. Fenomeni i 'mulizmit' nuk përcjell shpresë dhe optimizëm për demokratët. Ata presin ripërtëritje, meritokraci dhe një frymë të re", shkruan Kuçana.

Më tej, ajo u bën apel anëtarëve të Këshillit Kombëtar që të marrin vendime duke pasur parasysh interesin e demokratëve.

"Mos merrni porosi nga Muli. Merrni përgjegjësinë para demokratëve dhe votoni me zemër, sepse vendimi juaj i sotëm do të përcaktojë besimin e nesërm te Partia Demokratike", shprehet Kuçana.

Deklarata e saj vjen pak minuta para mbledhjes së Këshillit Kombëtar, i cili pritet të zgjedhë Sekretarin e Përgjithshëm, nënkryetarët dhe drejtuesit e sekretariateve të Partisë Demokratike, në një proces që do të përcaktojë përbërjen e re të kupolës drejtuese të opozitës.

Lini një Përgjigje