Bastet e dyshimta për luftën SHBA-Izrael në Iran po krijojnë fitime të mëdha të papritura dhe po ngjallin shqetësime midis ligjvënësve në Amerikë, por jo vetëm. Ligji federal amerikan ndalon punonjësit e qeverisë, përfshirë ata që punojnë në Kongres apo në Shtëpinë e Bardhë, të përdorin informacion jo publik për përfitime personale.
Gjashtëmbëdhjetë baste kanë sjellë rreth 100 mijë dollarë secili, duke parashikuar me saktësi kohën e sulmeve ajrore të SHBA-së kundër Iranit më 27 shkurt. Më pas, një përdorues i vetëm fitoi mbi 550 mijë dollarë pasi vuri bast se Ajatollah Ali Khamenei do të rrëzohej, vetëm pak çaste përpara se të vritej nga forcat izraelite. Më 7 prill, pak përpara se Donald Trump të shpallte një armëpushim të përkohshëm me Iranin, tregtarët vendosën baste me vlerë 950 milionë dollarë se çmimet e naftës do të binin, gjë që ndodhi.
Këto baste dhe të tjera, të vendosura në kohë të saktë, parashikuan zhvillime të rëndësishme në konfliktin SHBA–Izrael me Iranin, duke sjellë fitime të mëdha dhe duke ngritur shqetësime te ligjvënësit dhe ekspertët për mundësi tregtimi me informacion të brendshëm.
Bastet, të cilat dikur kufizoheshin kryesisht në ngjarje sportive, janë zgjeruar për të përfshirë kontrata mbi zhvillime në lajme, ku informacioni i brendshëm mund t’u japë avantazh disa tregtarëve.
Përhapja e platformave online si Polymarket dhe Kalshi ka bërë të mundur vendosjen e basteve për pothuajse çdo ngjarje në lajme. Gjithashtu, është bërë më e lehtë blerja e derivativëve të mallrave, si kontratat e naftës, ku tregtarët spekulojnë mbi çmimet e ardhshme.
Drejtues të disa agjencive federale amerikane dhe anëtarë të Kongresit kanë deklaruar se synojnë të godasin aktivitetet e dyshimta në tregje të ndryshme, por mbetet e paqartë se sa hapësirë veprimi do të kenë rregullatorët.
Joshua Mitts, profesor i së drejtës në Universitetin Columbia, shtron dilemën: problemi qëndron tek mungesa e legjislacionit apo tek mungesa e kapaciteteve për zbatim. Sipas tij, një ligj që nuk mund të zbatohet për shkak të kufizimeve teknologjike humbet efektivitetin praktik.
Koha perfekte
Në mbrëmjen e 27 shkurtit, një ditë përpara se SHBA dhe Izraeli të kryenin sulme ndaj Iranit, rreth 150 llogari në platformën Polymarket vendosën baste se SHBA do të godiste Iranin ditën pasuese. Sipas një analize të The New York Times, vlera totale e këtyre basteve arriti në 855 mijë dollarë, ndërsa 16 llogari siguruan mbi 100 mijë dollarë fitim secila.
Pak më vonë, një përdorues anonim në Polymarket, me emrin “Magamyman”, fitoi mbi 553 mijë dollarë pasi bastoi se Khamenei do të hiqej nga pushteti, vetëm pak çaste përpara se ai të vritej nga një sulm ajror izraelit. Kjo rezulton nga një ankesë e paraqitur nga organizata Public Citizen pranë Komisionit për Tregtinë e Kontratave të së Ardhmes, agjencia federale që rregullon tregjet e kontratave. Ankesa citon edhe një kompani analitike të kriptomonedhave, e cila identifikoi gjashtë persona të dyshuar për përdorim informacioni të brendshëm, që fituan gjithsej 1.2 milionë dollarë pas vrasjes së Khameneit.
Një rritje e ngjashme e basteve u vu re më 7 prill, kur të paktën 50 llogari në Polymarket bastuan për një armëpushim mes SHBA-së dhe Iranit disa orë përpara se Trump ta shpallte publikisht. Më herët, ai kishte paralajmëruar se një qytetërim i tërë mund të shkatërrohej nëse Irani nuk hapte ngushticën e Hormuzit.
Aktivitet i ngjashëm u regjistrua edhe në tregjet e naftës. Sipas Financial Times, më 23 mars tregtarët vendosën 580 milionë dollarë në kontrata të naftës vetëm 15 minuta përpara se Trump të deklaronte se SHBA po zhvillonte bisedime produktive me Iranin. Kjo deklaratë çoi në rënie të çmimeve të naftës dhe në fitime të mëdha për tregtarët.
E njëjta situatë u përsërit më 7 prill, kur u investuan 950 milionë dollarë në kontrata të naftës, duke parashikuar rënien e çmimeve pak përpara shpalljes së armëpushimit.
Andrew Verstein, profesor i së drejtës në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos, thekson se nuk mund të përcaktohet menjëherë nëse këto transaksione janë të paligjshme. Sipas tij, disa mund të jenë rastësi, ndërsa të tjera mund të bazohen në informacion të ligjshëm, por shumë prej tyre paraqesin elemente që kërkojnë hetim.
"Një perëndim i egër"
Për ata që ndjekin nga afër tregjet, intensiteti i këtij aktiviteti para zhvillimeve kryesore është i vështirë të shpjegohet vetëm me fat.
Craig Holman nga organizata Public Citizen deklaron se jo vetëm koha, por edhe shumat e basteve sugjerojnë se dikush mund të ketë pasur informacion të brendshëm dhe ka vendosur baste të mëdha mbi këtë bazë.
Holman shpreh skepticizëm për aftësinë e Komisionit për Tregtinë e Kontratave të së Ardhmes për të hetuar në mënyrë të thelluar, duke pasur parasysh strukturën aktuale të institucionit. Komisioni zakonisht ka pesë anëtarë dypartiakë të emëruar nga presidenti, por aktualisht ka vetëm një anëtar, Michael Selig, i emëruar nga Trump në fund të vitit 2025 dhe i konsideruar mbështetës i tregjeve të parashikimeve.
Në muajt e fundit, komisioni është përballur me përplasje me legjislaturat shtetërore, të cilat pretendojnë se rregullimi i këtyre tregjeve online u takon atyre.
Kalshi, një konkurrent i Polymarket, u ndalua përkohësisht në Nevada pasi shteti paditi kompaninë për ofrim kontratash pa licencë bastesh. Ndërkohë, Arizona ngriti akuza penale ndaj kompanisë për lejimin e basteve mbi zgjedhjet. Në të dy rastet, Kalshi i mohoi akuzat dhe argumentoi se juridiksioni i vetëm i takon komisionit federal.
Holman e përshkruan situatën si një fazë pa rregulla të qarta për industrinë e tregjeve të parashikimeve, e cila tashmë është shtrirë edhe në tregjet financiare.
Burime anonime për Reuters dhe Bloomberg bëjnë të ditur se komisioni ka nisur hetime mbi tregtinë e kontratave të naftës të datave 27 mars dhe 7 prill, megjithëse nuk ka një njoftim zyrtar.
Duke folur në Kongres, Selig deklaroi se agjencia është e gatshme të ndjekë rastet e dyshuara për tregtim të brendshëm, por theksoi se nuk do të miratojë rregulla të reja pa u plotësuar përbërja e plotë e komisionit.
Shtëpia e Bardhë, përmes zëdhënësit Davis Ingle, deklaroi se punonjësit federalë i nënshtrohen rregullave etike që ndalojnë përdorimin e informacionit jo publik për përfitime financiare dhe hodhi poshtë çdo pretendim të pambështetur për përfshirje të zyrtarëve.
Baste të rrezikshme
Ligji federal amerikan ndalon punonjësit e qeverisë, përfshirë ata që punojnë në Kongres apo në Shtëpinë e Bardhë, të përdorin informacion jo publik për përfitime personale.
Në fund të marsit, një grup ligjvënësish nga të dyja partitë propozoi një projektligj që do t’u ndalonte anëtarëve të Kongresit dhe zyrtarëve të lartë të marrin pjesë në tregje parashikimi që lidhen me çështje politike ose vendimmarrje publike.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se ligji për tregtimin e brendshëm është kompleks dhe se teknologjitë e reja, që lehtësojnë vendosjen e basteve online, krijojnë gjurmë të ndërlikuara që janë të vështira për t’u ndjekur.
Tradicionalisht, tregtimi i brendshëm ndodh kur një person përdor informacion konfidencial për të blerë ose shitur aksione përpara se ky informacion të bëhet publik. Këto raste rregullohen nga Komisioni i Letrave me Vlerë.
Në rastin e kontratave të së ardhmes, situata mbetet më pak e qartë dhe legjislacioni është ende në zhvillim. Sipas Verstein, ka shumë pak raste të qarta ndëshkimesh në këtë fushë.
Një studim i publikuar së fundmi nga Joshua Mitts dhe studiues të tjerë analizoi mbi 200 mijë raste të dyshimta dhe zbuloi se një grup tregtarësh arriti një normë fitimi prej rreth 70 për qind, duke gjeneruar 143 milionë dollarë nga baste të vendosura në kohë të saktë mbi ngjarje të ndryshme. Studimi thekson se këta tregtarë përfitojnë nga një zonë gri ligjore në platforma si Polymarket dhe Kalshi.
Mitts vëren se përdorimi i teknologjive si blockchain e bën të vështirë identifikimin e tregtarëve dhe provimin e përdorimit të informacionit të keqpërdorur.
Megjithatë, rreziku mbetet i lartë. Tregtimi i brendshëm që përfshin informacion të ndjeshëm, përfshirë atë ushtarak, mund të dëmtojë besimin në tregje dhe në institucionet shtetërore.
Verstein thekson se, ndryshe nga tregtimi i brendshëm në kompani, qeveria ka mundësi të ndikojë vetë zhvillimet, gjë që rrit rrezikun që vendimet reale të shtrembërohen nga interesa financiare./ Përshtatur nga The Guardian
Lini një Përgjigje