Editorial 1 Prill 2024, 14:00

Mafia, faza përfundimtare e komunizmit

Shkruar nga Martin Gurri

 

Mafia, faza përfundimtare e komunizmit
Mafia /

 Karl Marksi thoshte dikur se faza e fundit e socializmit është komunizmi. Por Kuba po na mëson, se faza përfundimtare e komunizmit është një gangsterizëm i pamëshirshëm. Dhe pas tij vjen katastrofa...

Më 5 shkurt, Mirtza Ocana, një shtetase amerikane me origjinë kubane, mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar Tampa në Florida nga Havana, ku u arrestua në flagrancë për tentativën e kontrabandimit të më shumë se 100.000 dollarëve. Kur u mor në pyetje, Ocana rrëfeu se kishte kryer 45 misione të ngjashme që nga maji i vitit 2023.

Pra në total ky operacioni përfshinte miliona dollarë. Për shkak se Kuba ka rrëshqitur nën horizontin e vëmendjes së mediave kryesore botërore, kjo ngjarje pati zero interes. Megjithatë ajo fshihte një mister intrigues. Regjimi komunist i Kubës përballet aktualisht me kolapsin ekonomik më katastrofik në historinë e tij të gjatë të dështimeve të tilla.

Arsyet janë të shumta, por më e menjëhershme është mungesa e valutës me të cilën mund të blihen ushqime dhe karburant për popullatën. Ekonomia kubane i ngjan atyre makinave të prishura të viteve 1950 që gjenden ende në rrugët e Havanës: prodhon pak për konsum të brendshëm dhe gati asgjë që mund të shitet jashtë vendit për të pasur një valutë të fortë.

Por përse ishulli tani po eksporton dollarë në Shtetet e Bashkuara? Kërkimi i një përgjigjeje na çon në dy transformime radikale që kanë ndodhur në Kubë, kryesisht pa u vënë re. E para ka të bëjë me regjimin, që ka hequr dorë nga çdo pretendim revolucionar dhe është shndërruar në atë që kubanezët e zakonshëm e quajnë “mafia”.

Mafia, faza përfundimtare e komunizmit

Por mos mendoni për skena të ngjashme me “Kumbari II”. Mafia në Kubë nuk dallon aspak  nga vetë regjimi. Kjo çështja është e mbuluar natyrshëm nga trillime dhe maskime, por kumbari mund të jetë vetë presidenti i vendit, Miguel Díaz-Canel. Në pamja të parë, asgjë nuk ka ndryshuar.

Parullat e dala mode përdoren ende me devotshmëri. Partia Komuniste dominon ende me aparatin e saj represiv. Raul Castro, 92 vjeç, mbetet ende një prani në hije, por sërish e frikshme. Megjithatë të rinjtë që janë sot në krye të qeverisjes së një shoqërie që nga lart e poshtë, e kanë humbur çdo lloj besimi tek ky sistem.

Dhe siç ndodh shpesh në momentet e zbehjes së zellit revolucionar, ata që komandojnë pushtetin dhe burimet nuk duan asgjë më shumë se të kenë një jetë të mirë dhe të mbrojnë veten nga një e ardhme e pasigurt. Makinacionet e mafias janë të dukshme për shumicën e kubanëve.

Në një video 24-minutëshe me titull “Mafia e Cienfuegos”, disidenti Yamil Cuéllar përmend me emër dhe mbiemër anëtarët e mafias, tregon fotot e tyre, zbulon adresat dhe ekspozon në detaje metodat e tyre, duke lidhur me krimin zyrtarët e lartë në qeverinë provinciale Cienfuegos, një qytet dhe provincë në bregun jug-qendror të ishullit.

Cuéllar godet guvernatorin e provincës, krerët lokalë të Ministrisë së Brendshme dhe të Kundërzbulimit Ushtarak dhe në fund, peshqit më të mëdhenj në strukturën qeverisëse të Kubës, kryeministrin Manuel Marrero Cruz dhe vetë Díaz-Canel. Korrupsioni i tyre mund të jetë i thjeshtë ose kompleks.

Zyrtarët kanë fatin të kenë kontroll mbi burimet e pakta si karburanti. Ata i shesin ato në tregun e zi dhe fitojnë shumë. Megjithatë, qasja e preferuar është më indirekte. Pas shpërthimit të protestave kundër regjimit në korrikun e vitit 2021, qeveria lejoi krijimin e “ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme”, teorikisht si një mënyrë për ta hapur ekonominë ndaj forcave të tregut.

Por shumica, në mos të gjitha 9.000 ndërmarrjet private që operojnë sot në Kubë, janë në pronësi të figurave të fuqishme të regjimit, të cilët më pas u japin atyre tenderat e punëve  publike. Në Amerikën latine kjo është një lojë e vjetër.

Guvernatori i Cienfuegos mund të përdorë një ligj për të rrafshuar një bllok banimi në qytet dhe t'ia japë kontratën e rindërtimit një kompanie që e zotëron po vetë, duke fituar 2 milionë pesos. Në videon e tij, Cuéllar përmend shumë manovra të tilla. Edhe sipas standardeve kubane, shuma të mëdha parash po shkojnë për majën e piramidës politike.

Po ku shkojnë saktësisht paratë? Një pjesë e tyre garantojnë jetën e mirë në Kubë. Duhet të kujtojmë se shumica e banorëve të ishullit jetojnë në kushtet e varfërisë së thellë, duke u përballur me ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike dhe mungesën e ushqimit. Po ashtu janë të detyruar të banojnë në godina që po shndërrohen në gërmadha.

Por një grusht njerëzish mund të përballojnë një jetë luksoze. Edhe anëtarët e mitur të mafias së Cienfuegos banojnë në shtëpi të reja me garazhe, panele diellore, ajër të kondicionuar dhe ujë të ngrohtë, por edhe gjeneratorë për të shmangur ndërprerjet e bezdisshme të energjisë në ditët me mot të keq.

Njerëz me pozitë si guvernatori kanë rezidenca luksoze - sipas Cuéllar, të projektuara nga arkitekti i preferuar i Ministrit të Brendshëm - si dhe vila pushimi në plazh dhe fshat, një jaht por edhe një makinë BMW të tipit të fundit. Cuéllar pretendon se 2 pallate luksoze në qytet dhe një marinë e madhe kontrollohen nga kryeministri i vendit, Marrero Cruz. Meqenëse një fluks tjetër parash të çon drejtpërdrejt tek kunati i presidentit Díaz-Canel, mund të supozojmë me siguri se bosët lokalë gëzojnë mbrojtjen dashamirëse të regjimit. Jeta është vërtetë e mirë për mafian Cienfuegos. Por shumica e parave konvertohen në dollarë dhe dërgohen ilegalisht jashtë vendit. Në një deformim ekonomik në komunizmin e fazës së fundit, ka të ngjarë që mungesa e valutës së huaj në Kubës të jetë për shkak të mafias, që pasi blen të gjithë dollarët që ekzistojnë në ishull i kontrabandon në vende të sigurta jashtë shtetit.

Cuéllar thekson se bashkëshortja e guvernatorit, një përfaqësuese e Dhomës së Tregtisë, e cila në cilësinë e saj zyrtare udhëton shpesh jashtë vendit, vepron si “mushka” apo kontrabandistët për bandën e Cienfuegos.

Pra vokacioni i ri kriminal i regjimit kuban lidhet me arrestimin në aeroportin e Tampës. Ocana po çonte në SHBA miliona dollarë në emër të disa anëtarëve të qeverisë kubane. Ai person është ndoshta i njohur dhe siç do ta shohim, zbulimi mund të shkaktojë një krizë brenda regjimit.

Më 2 shkurt - 3 ditë para arrestimit të gruas në Florida - Ministri kuban i Ekonomisë, Alejandro Gil, u shkarkua papritur nga posti i tij. Gil ishte autori i “paquetazo” - një paketë masash ekonomike të krijuara për të frenuar inflacionin dhe për të nxjerrë ekonominë nga kriza. Por kjo paketë masash ka sjellë pasurimin e mëtejshëm të mafias dhe varfërimin e popullsisë.

Shkarkimi dukej se ishte një pranim i nënkuptuar se kjo politikë kishte dështuar, por Gil ishte ende brenda grupit. Katër ditë pas shkarkimit, Marrero Cruz dhe Díaz-Canel i uruan atij 60-vjetorin e lindjes në platdormën X, dikur Twitter. “Unë jam në shërbimin tuaj”- iu përgjigj Gil.

Por më 7 mars ai u arresua. Njoftimi zyrtar, i bërë publik nën emrin e Díaz-Canel, përmendte “gabime të rënda” por jo krime specifike. Megjithatë fjala “korrupsion” rri pezull. Gil nuk ishte pushuar nga puna për dështimin në punën e tij. Përkundrazi, arrestimi i tij ishte fillimi i një lufte mafioze apo një spastrimi në stilin komunist.

Dallimi është vetëm në retorikë. Pas Ministrit të Ekonomisë do ta pësojnë edhe ata që lehtësuan “korrupsionin” e Gil, dhe ky proces tashmë ka filluar. Edhe pse qeveria kubane dhe as ajo amerikane nuk e kanë konfirmuar, në Kubë pranohet nën zë se Ocana, kontrabandistja e kapur në Tampa, ka punuar për Gil.

Mund të ndodhë që ky i fundit të mos dënohet për korrupsion. Por kjo nuk e ndryshon faktin e sikletshëm të pjesëmarrjes së Díaz-Canel dhe Marrero Cruz. Dhe fati i këtyre të fundit varet nga Raul Castro. Ambicia e fundit e udhëheqësit të moshuar duhet të jetë të vdesë në shtrat.

Por me Castrot nuk i dihet asnjëherë. Raul mund të dëshirojë të rrëzojë njerëzit që e zëvendësuan në krye të qeverisë dhe partisë. Po pse qeveritarët e Kubës synojnë ta nxjerrin pasurinë e tyre jashtë vendit? Përgjigja duhet të jetë e dukshme: Me gjithë fuqinë dhe luksin e tyre, këta njerëz janë të tmerruar nga e ardhmja.

Të jesh sot anëtar i klasës sunduese kubane do të thotë të veprosh mbi një vullkan aktiv. Dhe meqë guximi i dhënë dikur nga entuziazmi ideologjik është zhdukur, e vetmja lëvizje e sigurt është largimi. Ekonomia kubane është në krizë të plotë. Për herë të parë që nga revolucioni, Kuba po i lutet Kombeve të Bashkuara për ndihmë në ushqime.

Gati 500 mijë persona janë larguar nga ishulli vetëm gjatë 2 viteve të fundit, ose 4 për qind e popullsisë. Njerëzit e mbetur në ishull ndihen të bllokuar dhe të pashpresë. Zemërimi po vlon. Karl Marksi thoshte dikur se faza e fundit e socializmit është komunizmi. Por Kuba po na mëson, se faza përfundimtare e komunizmit është një gangsterizëm i pamëshirshëm. Dhe pas tij vjen katastrofa./Përshtati Pamfleti nga “Fox News”

Marrë me shkurtime

Shënim: Martin Gurri, ish-analist i CIA-s, aktualisht bashkëpunëtor në Qendrën Mercatus të Universitetit George Mason, SHBA.

mafia faza përfundimtare komunizmi kuba

Editorial