TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Qershor 2025, 19:03

Masakra e Rafahut: Kur ndihma kthehet në kurth vdekjeje

Shkruar nga Diplomatico | Pamfleti.net

 Masakra e Rafahut: Kur ndihma kthehet në kurth vdekjeje

Zëri i gjakut në shkretëtirë: Rafahu dhe turpi i diplomacisë globale...

Izraeli akuzohet për masakrim të civilëve palestinezë që prisnin ushqim në Rafah, duke rikthyer në vëmendje koston e luftës në Gaza dhe heshtjen e turpshme të komunitetit ndërkombëtar

Më 3 qershor 2025, në qytetin e Rafahut në jug të Rripit të Gazës, forcat izraelite hapën zjarr ndaj civilëve palestinezë që prisnin ndihma humanitare. Bilanci: të paktën 27 të vdekur dhe mbi 90 të plagosur. Një masakër në mes të ditës, e dokumentuar nga burime të shumta ndërkombëtare, që në vend të shkaktojë indinjatë globale, kalon në heshtje të përbotshme.

Pika ku ndodhi incidenti ndodhej vetëm 500 metra larg një qendre shpërndarjeje të ndihmave të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe vetë Izraeli. Pra, nuk ishte një "zonë lufte", por një pikë ku qytetarë të uritur vinin të merrnin ndihma bazike. Autoritetet palestineze e quajtën aktin "një krim të përsëritur me qëllim", duke akuzuar ushtrinë izraelite se po e shfrytëzon krizën humanitare për të shkatërruar moralin e popullsisë palestineze.

Ky nuk është rasti i parë. Që prej 27 majit, më shumë se 100 civilë janë vrarë në skena të ngjashme pranë qendrave të ndihmës. Dhe për mbarë botën, kjo duket se po kthehet në normalitet. Organizata të OKB-së e kanë dënuar incidentin, por pa ndonjë pasojë reale politike apo diplomatike ndaj Izraelit.

Përse hesht Perëndimi?

Përse mekanizmat ndërkombëtarë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut nuk veprojnë kur viktima janë palestinezët?

Në një kohë kur standardet dyfishe janë bërë norma, masakra si kjo e Rafahut tregojnë jo vetëm brutalitetin e një fushate ushtarake, por edhe dështimin e rëndë të arkitekturës së rendit ndërkombëtar.

Rafahu nuk është vetëm një qytet në hartën e Gazës. Èshtë simboli i fundit i mbijetesës në një territor që ka humbur gjithçka, përveç dinjitetit për të mos u zhdukur. Dhe kur ndihma kthehet në kurth, ajo çka zhduket nuk është vetëm shpresa, por edhe vetë besimi se bota do të reagojë ndonjëherë.

Kjo është një thirrje që askush nuk duhet ta injorojë. Diplomacia shqiptare, si një vend anëtar i Këshillit të Sigurimit dhe i NATO-s, ka detyrimin moral të mos heshtë. Të pakten të ngrejë zërin, jo si aleate pa kushte, por si një qasje e drejtësisë që mungon. Sepse sot është Rafahu, nesër mund të jemi ne të gjithë./Pamfleti

masakra e rafahut

Lini një Përgjigje