TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Gusht 2025, 15:28

Mbështeste regjimin e Millosheviç dhe lidhje me Lukashenkon, SHBA heq nga lista e zezë biznesmenin serb dhe kompaninë e tij

Shkruar nga Pamfleti

Mbështeste regjimin e Millosheviç dhe lidhje me Lukashenkon, SHBA

Departamenti amerikan i Thesarit ka hequr nga lista e sanksioneve kompaninë Dana Holdings Limited (Dana Holdings), të regjistruar në Qipro dhe e lidhur me familjen serbe Kariç, e njohur për mbështetjen e saj ndaj regjimit të Sllobodan Millosheviqit gjatë viteve ’90.

Nga lista është hequr gjithashtu edhe Nebojsha Kariç, shtetas serb dhe qipriot, djali i biznesmenit serb Bogolub Kariç, i cili sipas autoriteteve amerikane kishte rol kyç në kompaninë në fjalë.

Perandoria ndërtimore e familjes Kariç ishte futur në listën e zezë në vitin 2021, si pjesë e zgjerimit të sanksioneve kundër Bjellorusisë, duke përfshirë entitete dhe persona që, sipas SHBA-së, përfitonin ose mbanin gjallë regjimin e Aleksandar Lukashenkos në dëm të popullit bjellorus.

Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) pranë Departamentit amerikan të Thesarit kishte vënë në shënjestër kompaninë duke theksuar se ajo kishte marrë përfitime të shumta përmes dekreteve presidenciale të Lukashenkos, nga dhurimi i tokave shtetërore në Minsk me vlerë afër 800 milionë dollarë për një projekt të vetëm, e deri te lehtësitë fiskale, përjashtimet nga tatimet, përdorimi i resurseve publike për punime infrastrukturore dhe kushte të tjera privilegjuese.

Në atë kohë u theksua se familja Kariç kishte marrëdhënie të ngushta me Lukashenkon. Dana Holdings, sipas njoftimit, u kishte ofruar punonjësve një ditë pushimi për të marrë pjesë në një miting pro Lukashenkos pas zgjedhjeve të 9 gushtit të vitit 2020, që Perëndimi konsideron se ishin manipuluar, kishte shfaqur mesazhe mbështetjeje në fletushka proregjimit dhe madje kishte hapur një galeri arti të menaxhuar nga nusja e Lukashenkos në një qendër tregtare në Minsk.

Radio Evropa e Lirë më herët kishte raportuar se gjatë dekadave të fundit familja Kariq kishte arritur të ngjitej në majat e industrisë së pasurive të paluajtshme në Bjellorusi, duke siguruar përfitime të mëdha financiare falë lidhjeve të tyre të ngushta me Lukashenkon, udhëheqësin që sundon vendin me “dorë të hekurt” prej vitit 1994.

Pas protestave masive të vitit 2020, të cilat shpërthyen pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale, regjimi i tij reagoi me shtypje brutale: mbi 32 mijë persona u arrestuan, mijëra u rrahën nga policia dhe opozitarët kryesorë u burgosën ose u detyruan të largoheshin nga Bjellorusia.

Në dhjetor 2020, Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj Dana Holdings dhe një prej degëve të saj, duke e akuzuar për përfitime dhe mbështetje ndaj regjimit të Lukashenkos.

Më pas, më 9 gusht 2021, SHBA-ja, Britania dhe Kanadaja vendosën një valë të re sanksionesh tregtare e financiare kundër Bjellorusisë, në përvjetorin e parë të zgjedhjeve që i siguruan Lukashenkos një mandat tjetër dhe ndezën një valë të paparë protestash.

Si kundërpërgjigje, Lukashenko kërkoi nga SHBA-ja që deri më 1 shtator 2021 të zvogëlonte stafin e Ambasadës amerikane në Minsk në vetëm pesë persona.

Pas shtypjes së protestave dhe izolimit ndërkombëtar, regjimi i tij ka mbetur i mbështetur pothuajse vetëm nga Rusia./REL/

Lini një Përgjigje