TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 6 Shtator 2023, 14:37

Mes sulmeve ruse, Blinken vizitë në Kiev; nderon ushtarët e rënë në luftë

Shkruar nga Pamfleti

Mes sulmeve ruse, Blinken vizitë në Kiev; nderon ushtarët e

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken, gjatë vizitës së tij në Kiev ka nderuar ushtarët ukrainas që kanë rënë në luftë. Blinken ishte në varrezat Berkovetske i shoqëruar nga ministri i jashtëm Dmytro Kuleba.

“Unë mirëprita Sekretarin Blinken në Ukrainë. Sekretari filloi ditën e tij në Kiev duke bërë nderime për heronjtë tanë të rënë në varrezat e Berkovetske. Kjo është një shenjë respekti për të gjithë luftëtarët ukrainas që dhanë jetën për lirinë dhe të drejtën tonë për të jetuar”, shkroi Kuleba.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken deklaroi se qëllimi i vizitës së tij në Kiev është forcimi i angazhimit të SHBA me Ukrainën.

"Ne u kthyem në Kiev sot për t'u takuar me partnerët tanë ukrainas për të diskutuar kundërsulmimin e tyre të vazhdueshëm, ndihmën e ardhshme dhe përpjekjet e rindërtimit, dhe më e rëndësishmja, për të forcuar angazhimin e vazhdueshëm të SHBA me Ukrainën”, tha Blinken.

Sipas CNN, pritet që Blinken të shpallë një paketë të re ndihme për Ukrainën me vlerë mbi një miliard dollarë. Gjatë vizitës së tij, Blinken do të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ministrin e Jashtëm Dmytro Kuleba, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë dhe personalitete të shoqërisë civile. Anthony Blinken pritet të qëndrojë në Kiev për dy ditë.

Ai u zotua se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Kievin në kundërofensivën e tij që po vazhdon dhe “për çfarëdo që ka nevojë në terma afatgjatë”.

Vizita e paparalajmëruar e Blinkenit më 6 shtator nisi disa orë pasi kryeqyteti ukrainas u shënjestrua sërish nga raketat ruse.

Departamenti amerikan i Shtetit nuk ka lëshuar asnjë deklaratë lidhur me qëllimin e vizitës së Blinkenit, por kjo vizitë vjen disa ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shkarkoi ministrin e Mbrojtjes dhe disa zyrtarë të tjerë pas shqetësimeve për përfshirje në korrupsion për prokurimin e pajisjeve ushtarake.

Një zyrtar i paidentifikuar amerikan i tha Associated Press dhe CNN se vizita e Blinkenit ka për qëllim vlerësimin e kundërofensivës tremujore ukrainase dhe sinjalizon vazhdimin e mbështetjes amerikane për Kievin.

Kjo është vizita e katërt që Blinken realizon në Ukrainë që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të këtij shteti shkurtin e vitit të kaluar. Herën e fundit, ai kishte vizituar Ukrainën në shtatorin e vitit 2022.

 

 

blinken kiev sulme

Lini një Përgjigje