Në videot e bëra publike nga zyra presidenciale e Ukrainës, shihet se para takimit kokë më kokë mes Zelenskyt dhe Trump, ishin përgatitur tre karrige: a ishte një për Macron?
Një video u bë virale dhe hyri në historinë e funeralit të Papa Françeskut, pasi në të shihet presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, duke folur ballë për ballë, ulur nën qemerët e Bazilikës së Shën Pjetrit. I gjithë “takimi” ndodhi pak metra nga arkivoli i Papa Françeskut, i cili ka ofruar vazhdimisht ndërmjetësimin për të ndihmuar në arritjen e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës.
Në videon e publikuar nga zyrat e presidencës ukrainase, shohim se ndërsa Trump dhe Zelensky i afrohen vendit të takimit të tyre, pak para fillimit të funeralit të Françeskut, të dyve u bashkohet edhe Emmanuel Macron, presidenti i Francës. Macron i shtrëngon dorën Zelenskyt dhe më pas përshëndet Trump. Në të majtë, mund të shihni se janë duke u ngritur tre karrige.
Në imazhet e mëposhtme fotografia ndryshon, dhe lëviz pak djathtas, duke u fokusuar te tre protagonistët, të cilët fillojnë një diskutim të shkurtër. Pak çaste para se të “prehet” videoja, shfaqet nga e majta një bashkëbisedues i katërt i nivelit të lartë: Kryeministri britanik Keir Starmer.
Në atë moment, videoja ndalon: dhe rifillon të tregojë Trump duke folur me Zelenskyn. Në atë pikë, ka vetëm dy karrige. E treta - siç shihet në një nga fotografitë e publikuara nga burime ukrainase - u zhvendos pak larg, pranë një prej kolonave të bazilikës.
Për momentin, nuk dihet se për kë ishin të destinuara tre karriget fillimisht në skenë (Trump, Zelensky dhe Macron? Trump-Zelensky dhe një përkthyes?); as pse - nëse hipoteza ishte ajo e një takimi me më shumë protagonistë - nuk kishte një karrige të katërt të mundshme për Starmer; as pse në fund të fundit kishin mbetur vetëm dy karrige. A i tha dikush prelatit se Trump dhe Zelensky nuk do të kishin nevojë për një përkthyes? A i tha dikush Macronit se "samiti" i cili zgjati rreth 15 minuta do të ishte vetëm midis dy personave dhe jo midis tre? Apo Macron u largua, duke kuptuar se Trump dhe Zelensky duhej të flisnin drejtpërdrejt, duke e bërë të padobishme karrigen që ishte përgatitur në rast të një "trepalëshi"?
Në çdo rast, Zelensky më pas u takua individualisht, në fund të funeralit të Papa Françeskut, me Emmanuel Macron dhe Keir Starmer; Elysee postoi një imazh të Macron, Starmer, Zelensky dhe Trump me mbishkrimin "Pour la paix", "Për paqen". Dhe gjatë një dite diplomatike shumë intensive, ai zhvilloi një bisedë të gjatë (pothuajse një orë) me kryeministren italiane, Giorgia Meloni.
Lini një Përgjigje