Lideri Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, ka reaguar pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, duke bërë të ditur se në parim nuk e mbështeste arritjen e një marrëveshjeje me administratën amerikane.
Në një deklaratë drejtuar popullit iranian, Khamenei tha se autoritetet iraniane kishin bërë përpjekje të shumta për të arritur në këtë fazë, ndërsa akuzoi presidentin amerikan Donald Trump se kishte përdorur “të gjitha llojet e levave” për të siguruar marrëveshjen.
“Në parim, kisha një mendim tjetër”, u shpreh Khamenei, duke shtuar se vendimi për të lejuar nënshkrimin erdhi pasi presidenti iranian, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, mori përsipër përgjegjësinë për mbrojtjen e të drejtave të Iranit dhe të ashtuquajturit Front i Rezistencës.
Sipas tij, presidenti iranian garantoi se nëse pala amerikane do të tejkalonte kufijtë e dakordësuar, ai nuk do të mbante përgjegjësi për veprimet e saj. Për këtë arsye, Khamenei tha se kishte dhënë autorizimin për vazhdimin e procesit.
Në deklaratën e tij, Lideri Suprem theksoi gjithashtu se negociatat e ardhshme të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara nuk duhet të interpretohen si pranim i qëndrimeve amerikane.
“Negociatat ballë për ballë që do të zhvillohen në të ardhmen nuk do të nënkuptojnë pranimin e pikëpamjes së armikut”, deklaroi ai.
Në përfundim, Khamenei shprehu shpresën që marrëveshja dhe proceset e ardhshme diplomatike të sjellin përfitime për kombin iranian, duke bërë thirrje për unitet dhe vigjilencë në mbrojtjen e interesave kombëtare.
Lini një Përgjigje