Ylli brazilian Nejmar po shqyrton seriozisht mundësinë për t’i dhënë fund karrierës si futbollist, pas eliminimit të Brazilit nga Kupa e Botës.
Sipas raportimeve të mediave braziliane, sulmuesi i Santos nuk do të nxitojë me vendimin, por do të marrë disa ditë për të reflektuar përpara se të përcaktojë hapat e ardhshëm në karrierën e tij.
34-vjeçari pati një rol të kufizuar në Botërorin e zhvilluar në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë, duke luajtur më pak se 45 minuta në total. Përfshirja e tij në listën e trajnerit Karlo Ançeloti ishte shoqëruar me debate dhe polemika, për shkak të gjendjes së tij fizike.
Pas humbjes së Brazilit ndaj Norvegjisë në fazën e 1/8-ave, Nejmar njoftoi tërheqjen e menjëhershme nga kombëtarja. Aktualisht ai ndodhet në Shtetet e Bashkuara së bashku me familjen dhe ende nuk ka bërë të ditur se kur do të rikthehet në fushën e lojës.
Burime pranë futbollistit bëjnë të ditur se ai është thellësisht i zhgënjyer nga mungesa e vlerësimit për kontributin e tij me fanellën e Brazilit, si edhe nga presioni i vazhdueshëm që ka shoqëruar karrierën e tij ndër vite.
Nejmar mbetet golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares braziliane, me 80 gola, rekord që e vendosi në vitin 2023 duke lënë pas legjendën Pele. Megjithatë, pavarësisht paraqitjeve të spikatura në disa edicione të Kupës së Botës, ai nuk arriti ta udhëhiqte “Seleçaon” drejt fitimit të trofeut.
Në Botërorin e vitit 2014, Nejmar u detyrua të largohej nga turneu pas një dëmtimi, ndërsa Brazili përjetoi humbjen historike 7-1 ndaj Gjermanisë në gjysmëfinale. Katër vite më vonë, “Seleçao” u eliminua nga Belgjika, ndërsa në Katar 2022 goli i tij ndaj Kroacisë nuk mjaftoi për të shmangur eliminimin pas goditjeve të penalltive.
Edhe në sfidën ndaj Norvegjisë, Nejmar shënoi nga pika e bardhë, por goli i tij shërbeu vetëm për të zbutur rezultatin. Pas përfundimit të ndeshjes, ai u pa i përlotur, ndërsa më vonë u shpreh:
“U përpoqa. U përpoqa. Gjithçka nisi këtu, në MetLife Stadium, dhe përfundoi po këtu. Tani gjithçka ka marrë fund.”
Lini një Përgjigje